Shtatorja e Clintonit në Prishtinë po e humb shkëlqimin

Fundi i një epoke në Kosovë, Bosnjë, Serbi dhe më gjerë. Revista e famshme britanike «Economist» analizon fitoren e Donald Trumpit nga këndvështrimi ballkanik.

Bill Clinton në Prishtinë: monumenti flakërues e shfaq ish-presidentin amerikan me dorën e ngritur në shenjë kujtimi të udhëheqjes së tij, por nga afër më shumë duket se po kërkon një taksi. Foto: Shutterstock

Kryeqyteti i Kosovës, Prishina, është në mesin e vendeve të pakta që mund të mburret me një shtatore të Bill Clintonit. Monumenti flakërues e shfaq ish-presidentin amerikan me dorën e ngritur në shenjë kujtimi të udhëheqjes së tij, por nga afër më shumë duket se po kërkon një taksi. Shqiptarët etnikë të Kosovës e çojnë në qiell Clintonin për rolin e treguar në luftën që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga sundimi serb dhe për vendosjen e protektoratit të administruar prej Kombeve të Bashkuara më 1999, e që më 2008 solli pavarësinë e vendit. Por shtatorja ka nisur ta humbë shkëlqimin e praruar – pak a shumë si puna e trashëgimisë politike të epokës së Clintonit në Ballkan.

Tamam si Clintoni që formësoi Ballkanin Perëndimor gjatë luftërave të viteve nëntëdhjetë, ishin po ato luftëra që formësuan pikëpamjet e politikës së tij të jashtme – dhe të gruas së tij. Ndërhyrja liberale e përkrahur nga Hillary Clinton kishte nxitur përpjekjet amerikane për të sjellë paqe në Bosnjë dhe Kosovë. Kur përkrahu ndërhyrjen ushtarake në Libi më 2011, zonja Clintoni kujtoi masakrën e Srebrenicës më 1995. Shtetet e Ballkanit prisnin që zonja Clinton të vazhdonte me përpjekjet e saj muskuloze të ndërtonte rendin liberal ndërkombëtar nëse do të zgjidhej presidente.

Disfata e zonjës Clinton dhe triumfi i Donald Trumpit janë lajmëtarë të kohëve të vështira për Kosovën dhe paqartësi për Ballkani në tërësi. Triumfi i zotit Trump i ka dhënë zemër presidentit autoritar rus, Vladimir Putin, mik i Serbisë dhe nacionalistëve serbë në Bosnjën fqinje, dhe armik i përbetuar i Kosovës prej shtetësisë së saj. Kjo pastaj mund ta trimërojë Turqinë të fuqizojë ndikimin në mesin e myslimanëve në Bosnjë, Kosovë dhe Shqipëri. Dhe po nisin të veniten ëndrrat e shteteve të Ballkanit për anëtarësim në Bashkimin Europian prosperues dhe të bashkuar.

Një kandidat për zgjedhjet presidenciale në Serbi festoi triumfin e Trumpit në Amerikë duke kënduar një këngë në parlament, duke i bërë thirrje presidentit të ri amerikan t’i dëbojë myslimanët dhe t’i bashkojë forcat me Putinin. Igor Dodon i fitoi zgjedhjet presienciale në Moldavi më 13 nëntor duke premtuar afrim me Putinin dhe kishën ortodokse. Ai mposhti rivalen pro-evropiane dhe antikorrupsion. Në të njëjtën ditë zgjedhjet presidenciale në Bullgari i fitoi një kandidat me qasje miqësore ndaj Rusisë.

Qeveria e Malit të Zi ka akuzuar nacionalistët serbë e rusë për puç për vrasjen e kryeministrit në largim, Milo Gjukanoviq më 16 tetor, ditën e zgjedhjeve parlamentare në vend. Qeveria pretendon se qëllimi ka qenë ndalja e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, që është afër përmbylljes. (Disa mendojnë se aleatët e Gjukanoviqit e fabrikuan rrëfimin që të fitonte vota partia e tij.)

Të alarmuar prej fryrjes së muskujve të Rusisë, myslimanët e rajonit kanë kthyer sytë kah lideri autoritar i Turqisë, Rexhep Taip Erdoan. Ambasadori i ri turk në Sarajevë mbajti më 14 nëntor një fjalim në të cilin theksoi «historinë e përbashkët të popujve tanë», një thirrje për të kujtuar historinë e përbashkët osmane.

Prapëseprapë, ata që shpresojnë se ndryshimi i regjimit të Amerikës do t’ua mundësojë të prishin baraspeshën e fuqisë të realizuar përgjakshëm me prishjen e Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë, mund të jenë dëshpëruar. Nacionalistët serbë kishin shpresuar se George W. Bushi, pasardhës i zotit Clinton, do t’i ndihmonte të rikuperonin disa prej humbjeve të pësuara në luftërat e Ballkanit. Në vend të kësa, Kosova e shpalli pavarësinë me përkrahje të plotë të amerikanëve.

Një diplomat në rajon spekulon se efekti i miqësisë së mundshme Trump-Putin do të jetë i kundërt me atë çfarë mund të kenë pritur serbët, duke e nxitur Rusinë ta humbë interesimin në rajon. Qëllimi kryesor i përzierjes së Putinit në Ballkan ka qenë goditja ndaj vendeve perëndimore për përkrahjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe për ndihmën dhënë Ukrainës. Me zotin Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, Putini mund të ketë më pak shkas për hakmarrje.

Dimitar Bechev, akademik dhe autor bullgar i një libri të botuar së fundi për ndikimin rus në Ballkan, paralajmëron kundër ekzagjerimit të rolit të autsajderëve. Politikanët bullgarë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit shfrytëzojnë rrjetet që zgjaten deri në Rusi si burime të ndikimit dhe parasë në dorë, sidomos në biznesin e energjisë. Por në shumicën e rasteve, ata vendosin sipas hesapeve të tyre të ngushta, e jo sipas ndikimi të të huajve.

Problemi është se përdorimi i kartave pro-ruse – ose atyre pro-turke – ka qëllim kryesor shmangien prej marrjes së përgjegjësisë së dështimit për t’u marrë me punët urgjente të nxitjes së punësimit dhe përmirësimit të sistemit të arsimit e shëndetësisë. Kjo i largon vendet prej përpjekjeve të ndërtimit të demokracisë, që ka qenë prioritet i BE-së, dhe deri tani, edhe i Amerikës.

«Ne jemi bërë pikë e pesë kur vjen puna te qeverisja», thekson Alida Vraçiq, analiste boshnjake në SWP, grup gjerman i pavarur mendimi. Ngadalësimi i procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit në BE vetëm sa i përkeqësuar punët. Në raportet e progresit të BE-së për vendet që ende nuk i janë bashkuar BE-së thuhet se asnjë shtet nuk ka shënuar përparim të madh drejt realizimit të standardeve të anëtarësimit në BE. Maqedonia po shënon regres.

Nuk është për habi se në shtetet e Ballkanit po bie numri i popullsisë. Rinia po migron kudo që mundet nëpër shtetet europiane me një të ardhme më të mirë. Ata që po ngelin ka rrezik t’i shohin Putinin e Erdoganin si modele për ta. Dhe shtatorja e Clintonit po humb shkëlqimin, ngjashëm nuk po josh më as modeli perëndimor e pro-BE.