Shqiptarja në botën e çudirave të New Yorkut

Si është e mundshme që si autore amerikane ta thoni mendimin tuaj të piperosur për mënyrën e jetës në Amerikë, por me atë rast të mos e digjni gjuhën? Në romanin e saj «Jeta ime e re amerikane» («My New American Life») Francine Prose për këtë punë e angazhon një emigrante të guximshme dhe gjuhëbrisk. Krahas kësaj lexuesi përmes Lulas mësohet ta vlerësojë dhe ta dojë shpirtin shqiptar




Prej vitesh kam pritur përgjigjen shqiptare ndaj romanit «Russendisko» të autorit ruso-berlinez Vladimir Kaminer. Ku gjendet zëri ironik i emigrantit, i cili publikut të gjerë ia afron kulturën shqiptare dhe në të njëjtën kohë i drejtohet shoqërisë së atdheut të ri në mënyrë kritike? Vladimir Kaminer ka arritur që përmes rrëfimeve të tij të shkurtra dhe plot humor të ndikojë në ndryshimin pozitiv të imazhit të proveniencës ruse në Gjermani, madje kjo mënyrë rrëfimi u shndërrua në kult. Një vlerësim të tillë e meritojnë edhe vendet tona të shumta «dhe të egra të Ballkanit».

Aq më tepër isha e zhgënjyer kur gjeta në libraritë gjermane romanin «Të gënjesh shqip». Kureshtja më kaploi, sepse bëhej fjalë për një vepër të autores amerikane të bestsellerëve Francine Prose, e cila është shpërblyer edhe me çmime. Titulli origjinal ishte «My New American Life». Përkthimi krejtësisht i lirë në gjermanisht në veshët e mi tingëllonte si provokim që duhej të nxiste shitjen. Gënjeshtra dhe shqiptarët në hapësirën gjermanishtfolëse tingëllon pak tepër si klishe. Titulli në anglisht, ndërkaq, i referohet drejtpërdrejt përmbajtjes së romanit: migrimi në kohërat e erës së post-11-shtatorit.

Ngjarja e kësaj satire plot humor tregohet shpejt. Lula, një 26-vjeçare nga Shqipëria, vjen në New York me vizë turistike. Ajo punon ilegalisht në një bar derisa zotëri Stanley e merr në shtëpi Lulan si kujdestare për të birin e tij 17-vjeçar, i cili quhet Zeke, për shkak se Ginger, gruaja me sëmundje psikike e zotit Stanley, e ka braktisur familjen në Krishtlindjet e shkuara. Zeke është një autsajder në vitin e fundit të shkollës fillore. Për edukimin e tij Lula nuk mund të bëjë më shumë se sa të përziej kokteje Mojito, të pjek pica të ngrira dhe të ofrojë zemrën e saj të mirë. E gjithë kjo së paku ndihmoi që ky rast i vështirë të regjistrohet me sukses në kolegj. Kohën e saj të lirë gjatë ditës Lula e kalon në bibliotekë ose duke shkruar rrëfime pseudobiografike duke u mbështetur në përralla shqiptare ose në romanet e Ismail Kadaresë. Shpresa e Lulas për të pasur një Green Card gjendet në duar të sigurta – në duart e Don Settebellos, i cili është miku më i mirë i shefit të saj dhe po ashtu një burrë i divorcuar. Si filantrop Don Settebello nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë rrethanave politike të viteve të Bushit dhe Cheneyt. Ai angazhohet drejtpërdrejtë në Guantanamo për të burgosurit e pafajshëm dhe të torturuar. Politika ksenofobe e vendit të tij e bën atë të ndihet i turpshëm para një qytetareje, e cila është njëra prej dashamirësve të fundit të Amerikës: «Duhet të jetë e vështirë për Lulan. Ajo është duke e parë se ç’po ndodh në këtë vend. Por, ajo vjen nga një kulturë ku Amerika është zot».

Kështu Lula është mirë e akomoduar në familjen e saj të re. Në bazë të kujtimeve të saj ne mund të njoftohemi edhe me farefisin e saj shqiptar. Në New Jerseyn monoton ajo ka shumë kohë të ndjej mall për atdheun dhe të ziej ajvar sipas recetës së gjyshes. Nuk është fare befasi që jeta e Lulas del nga binarët kur befas në vendbanimin e saj zbresin tre shqiptarë nga një xhip Lexus SUV dhe ia besojnë asaj një armë për ta fshehur. Lula dashurohet në shikim të parë në kreun e bandës Alvo. Në çerekun e fundit të librit historia e dashurisë merr mjaft hov. Në fund Lula, e cila nuk ka patentë shoferi, mban timonin e xhipit të zi. Dhe askush nuk mund t’ia zë për të madhe që ajo «nuk ishte në gjendje t’i rezistojë joshjes së argëtimit të rrezikshëm».

Deri më tani kritika nuk ka qenë aq dashamirëse ndaj romanit të Proses. Thuhet se ajo shërbehet me shumë stereotipe siç është babai që vetë rrit fëmijën, me adoleshentët e përkëdhelur perëndimorë apo me mërgimtarët më shpirtmirë. Thuhet po ashtu se figurat janë tepër sipërfaqësore, narracioni kaotik dhe lexuesi shpeshherë mbetet i braktisur. Romani dështoi në Gjermani. Edhe unë frikësohesha se përmbledhja e rrëfimeve shqiptare nga ana e Lulas mund t’i përngjante recitimit nga ciceroni turistik i Lonely Planet. Por, njëjtë sikur tre burrat amerikanë dhe tre shqiptarë në roman edhe mua më magjepsi Lula me gjallërinë e saj, me energjinë, dëshirën e hapur dhe të plotë për jetë dhe etjen për dije.

Si shqiptare e rritur në Perëndim unë protagonisten e Proses e përjetova si një shqiptare autentike. Një lexues amerikan nuk kishte fare mirëkuptim për Lulan dhe qortonte: «Ju i lejoni të hyjnë në shtëpinë e shefit tuaj tre burra që nuk i keni takuar kurrë më parë dhe pajtoheni të fshihni një armë të tyre vetëm e vetëm pse ata janë të të njëjtit nacionalitet? (…) E si e gjetën atë ata?» Ky koment më bëri të qeshë, sepse këtë pyetje as që e kisha menduar gjatë leximit të romanit. Shqiptarët takohen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Lula e trajton me ironi frikësuese aspektin e familjes së madhe shqiptare, kur pyet nëse të gjithë shqiptarët kanë të njëjtën ADN dhe nëse «seksi me Alvon do të ishte incest?»

Përtej klisheve Proses ka arritur të përfshijë shumë gjëra nga karakteri i shqiptarëve. Ajo dëshironte të shkruajë për migrimin. Pasi që njeriu është imazh i shtetit në të cilin rritet, dramaturgjia e romanit jeton nga renditja e veçorive të të dy vendeve në trajtë të parabolës. I vetëquajturi polic botëror dhe shteti më i varfër i Europës janë habitshëm më të afërt se ç’mund të mendohet. Të dy vendet ndajnë dashurinë për vetura, armë dhe alkool. Babai i Lulas ishte shumë i dhënë pas armëve dhe e kishte mësuar të bijën të shtie me armë. Pa menduar aq si shënjestër ishte përdorur një pllakat i Madonës. Kjo aftësi i ndihmon Lulas më vonë në roman. Pa marrë parasysh a është në pyetje shkolla, shoppingu apo dalja në mbrëmje: me mënyrën e saj të pafajshme dhe me humor Lula i krahason këto dy vende me njëri-tjetrin dhe rezymon: «Por, Amerika ishte si komunizmi dhe post-komunizmi i kombinuar. Ju nuk keni menduar se jeni materialist përderisa nuk keni pasur sukses, pastaj ishte praktikisht detyrë e juaja që para çdokujt të tregoni suksesin tuaj». Si në kohën e Enver Hoxhës edhe në këtë model frikësues shtetëror janë mediet ato që karakterizojnë mendimet. Një gjë e tillë vërehet sidomos pas sulmeve të 11 shatorit përmes frikës dhe urrejtjes ndaj të huajve.

Prose ia del që figurat e urryera nga mediet si Alvo dhe Lula t’i kesh për zemër. Kështu mbyllim njërin sy kur Lula nuk i tregon entit të emigracionit se ka prejardhje gjysmë-myslimane. Ajo madje e sheh gënjeshtrën si mjet të përshtatshëm në një sistem, i cili rregullisht tregon përralla dhe paralizon popullsinë. Ja si mendon Lula për punën e gënjeshtrave: «Historitë e vërteta të fëmijërisë së saj ishin tregime për mjerimin e madh pa asnjë romansë, vetëm vuajtje, tradhti dhe lakmi të vogla. (…) Pas pesë minutash bisedë shqiptarët thoshin se ata rrjedhin nga grekët e vjetër. Nga ilirët. Ato tregime popullore kishin ardhur nga diku».

Pjesët monotone të librit gjithsesi mund të lexohen edhe si mjete stili për botën e shkretë të idilit amerikan në periferi të qytetit. Mister Stanley, pronari i shtëpisë, i cili, sipas Alvos, kundërmon si një arkivol, është personifikim i mungesës së shpresës. Ish-profesori i kolegjit kishte preferuar të heq dorë nga profesioni i tij i vjetër dhe për të kënaqur dëshirat e gruas për konsum nisi një karrierë bankieri në Wall Street. Lula tregon empati për të kur e dëgjon natën duke qarë: «Kush nuk do të qante? Pa grua, pa argëtim, pa dashnore, me një vend pune që e urren, një djalë që duket se e përçmon». Ndonëse në sytë e Lulas ai ka gjithçka për çfarë ëndërron, ai vuan nga një gjendje e tmerrshme shpirtërore: «Pashpresë nuk është e njëjta si hopeless. Hopeless ishte amerikane, hopeless ishte zoti Stanley i vetmuar në shtëpinë e tij të madhe e të këndshme dhe duke punuar e fituar para e për pasojë gruaja dhe i biri i tij nuk jetojnë me të».

Lula, ndërkaq, e cila ka humbur prindërit në një aksident në Kosovë, ka përjetuar mjaft gjëra në kryeqytetin e ngushtë, në Tiranë, dhe udhëhiqet nga shpresa. Candideja shqiptare arrin që vetëm me optimizmin e saj ta bëjë të hareshëm Zeken, adoleshentin e degjeneruar. Në thelb të romanit është edhe alegoria e një familjeje bujqish, e cila përherë beson në të mirën dhe punon ndershëm dhe përkundër mallkimit shpërblehet me të korrura të bollshme si rrjedhojë e vlerave familjare. Zeke vjedh tregimin e Lulas për testin e tij për kolegj dhe në bazë të kësaj eseje që rrezaton jetë pranohet në një kolegj, mbi të cilin kishin rënë re të zeza për shkak të një atentati të armatosur në shkollë. Alegoria përmban pak si tepër moral. Lula si terapi për një vend migrimi, i cili lëngon mendërisht dhe moralisht – një qasje e tillë nuk i shkon për shtati Lulas.

Në fund të romanit lexuesi (dhe lexuesja!) më shumë identifikohet me Lulan se sa me Amerikën. Me secilën gotë raki në «diskotekën shqiptare», e cila vërtet organizohet çdo vit, zgjohen edhe shpirtrat e jetës së lexuesit. A duhet Lula të ndjek shembullin e fantazmës së shtëpisë Ginger, ish-gruas së zotit Stanley? Jo! Asaj më me qejf duhet dëshiruar seks të çmendur me gangsterin misterioz Alvo. Dhe një dëbim në Shqipëri duket të jetë fat më i bardhë se ky burg amerikan. Duket bukur të shohësh Lulan që nuk dorëzohet dhe si del e forcuar prej secilës situatë. Në fund shkëputemi me pikëllim nga jeta e Lulas. Ajo është shtegu i ri, të cilin do e takoje me qejf në rrugën e asimilimit. Sikur te Chaplini, babai i të gjithë emigrantëve në «Modern Times» edhe prej saj në pyetjen se «çka sjell sikur të vazhdosh?» do të pasonte fjalia energjike: «Zmbrapsu – kurrë mos thuaj vdis. Do t’ia dalim së bashku!»

Ky libër së shpejti do të duhej të përkthehej në shqip. Jam e sigurt se Lula në gjuhën amtare do të jetë bestseller.

Buch

Anglisht: «My New American Life: A Novel» (325 faqe, botuar më 26 prill 2011), Harper Collins Publishers.

Gjermanisht: «Lügen auf Albanisch: Roman» (321 faqe, botuar më 24 shtator 2012) carl’s books.