Shqiptari i Vitit…



Kur e pyetën yllin e Hollywoodit, Robert Mitchum, se kush ishte aktori më i mirë, sharmeri i njohur me cinizmin e tij tha se ky ishte ai qeni inteligjent që luante nëpër ca filma! Nëse kam lajthitur dhe nuk ishte ky që e i kishte thënë këtë; apo ishte ky, por nuk e kishte thënë kështu, jam i gatshëm ta nënshkruaj kështu si e thashë vetë, me të dyja duart. Ai qeni që i magjepste të gjithë me interpretimin e rolit që ia kishin caktuar, ishte një «mbiqen», në kuptimin që i vishet nganjëherë vizionit të Niçes për njeriun, i cili e kishte kapërcyer qenien e vet.

Filozofi popullor britanik, Bertrand Russell, në librin e tij «Vështrime jopopullore» e ka një rrëfim për njerëzit e famshëm që ka takuar. Ai flet për takimet e tij me poetë, filozofë, shkencëtarë e politikanë me famë të madhe; për Robert Browingun, Einsteinin, Leninin e të tjerë. Por, filozofi është njëlloj dhe më shumë i mrekulluar nga njerëz të thjeshtë, me vetëmohimin dhe zemërdëlirësinë e tyre. Ndërkohë që ai është i tmerruar nga mizoria e Leninit. Atë e impresionon më shumë mirësia e kopshtarit të tij, i cili nuk dinte as të shkruante, as të lexonte.

Këtë vit, opinionin botëror e ka befasuar juria e Nobelit me përcaktimin jokonvencional për ta laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për lirikën e tij, Bob Dylanin. Për këngët e tij. Nëse nuk më braktis kujtesa, më 1999, dikush e propozoi Shqipërinë për Çmimin Nobel për Paqe. Për bujarinë e shtetit dhe popullit të saj për t’i strehuar dhe mirëpritur mbi një milion kosovarë të përzënë nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.

Të tre këta shembuj i afirmojnë kriteret që mund të shërbejnë për caktimin e shqiptarit të vitit, në ethet e të cilit, së shpejti, gjithsesi më së voni deri në mbarim të këtij viti do të gjendet opinioni shqiptar. Do edhe një muaj për të mbaruar viti dhe jeta është plot befasi; ajo mund të të ruajë një lajm të këndshëm, a një shaka të hidhur për sekondën e fundit. Por, ne e dimë se kush është shqiptari i vitit. Edhe atë, jo prej njëmbëdhjetë muajve, por prej së paku një dekade, prej dy deceniesh, së paku prej një shekulli e dimë: Ata janë shqiptarët vetë!

Janë mërgimtarët që në spektaklin e madh të historisë dhe të stërgjatë prej vitesh nuk lodhen kurrë së sakrifikuari për vendin e lindjes së tyre e të prindërve të tyre. Me taksa, me fonde, me fonde mbi fonde, me djersë dhe gjak. Për disa ditë ata do ta japin shfaqjen e radhës së sakrificës së tyre në doganat e Serbisë dhe të Maqedonisë, duke pritur me orë e me ditë për t’u kontrolluar vetëm për kënaqësinë e doganierëve me emër-mbiemër, e me emër të babës. Madje edhe në Doganën e Kosovës, për një bakshish sigurimi. Ata që buxhetit të saj i sjellin qindra milionë euro në vit. Ata që jetojnë në vendet më të zhvilluara, e shpeshherë nuk dinë as not, aq më rrallë u japin skive, sepse pushimet e tyre i kalojnë në vendin e lindjes për ta ngushëlluar për një të afërm që është ndarë nga jeta, për ta uruar një tjetër për një lindje… Për një dasmë, për një këngë, për një fjalë.

Janë minatorët të cilët ia dalin me një pension fyes t’i kalojnë muajt e paktë mbi këtë tokë. Ata të cilët me thonjtë dhe mushkëritë e tyre u nxjerrin të tjerëve xhevahiret e tokës që shkelin. Ata të cilët më keq se gjithandej jetojnë në varr për së gjalli. Ata të cilët në vitet e ‘80-ta nga nëntoka e pasur i tundën themelet e Jugosllavisë me grevën e tyre dhe e ndryshuan mbitokën e Ballkanit dhe të Evropës. Janë invalidët e luftës që me 40 euro në muaj, a 50, që të mos i biem në qafë sistemit, ia dalin të mbijetojnë, t’i lëmojnë plagët e tyre. Ata të cilët e vazhduan amanetin e minatorëve mbi tokë. Në majat më të thepisura, në grykat më të thella.

Janë pleqtë që arrijnë moshë shqiponjash të bardha, pas një jete në tym e flakë. Nën regjimin mizor të Leninit. Dhe, më tepër se kaq. Të përjashtuar dhe të përçmuar; të stërmunduar dhe të braktisur. Pa një pension të dinjitetshëm. Ata që shoqërisë ia kanë lënë rininë dhe fjalët e urta si udhërrëfyese. Janë fëmijët, të cilët, sipas raporteve ndërkombëtare, shijojnë arsimimin më të dobët. Dhe, megjithatë, ia dalin t’i mësojnë teknologjitë e reja edhe të studiojnë në shkollat më të mira të botës, madje të marrin çmime ndërkombëtare. S’ka një javë që një i ri kosovar, Bujar Nrecaj, u shpall Personaliteti i Vitit për arkitekturë në Zvicër. Për një projekt biblioteke, e cila do t’i qaste fëmijët e Kosovës më lehtë te dija. Për të cilin ai u nominua për një çmim të renomuar ndërkombëtar, «Aga Khan Award for Architecture».

Janë gjithë ata burra, që në rastin më të mirë duhet t’i mbajnë familjet e tyre me 200-300 euro në muaj. E ndoshta më shumë se gjysma ia dalin kësaj pa këtë rrogë! Ndërkohë që, përveç çmimeve perëndimore, nuk marrin asnjë shërbim pa ryshfet. Kosovarët janë i vetmi popull i Evropës i privuar nga Liria e Lëvizjes. Prandaj, buletinet meteorologjike të medieve kosovare flasin për gjendjen e motit nga Amerika Latine në Australi; si puna e atij të burgosurit të Alkatrazit, burgut më të thellë në botë, që shkruante një disertacion për lejlekët.

Shqiptarët e vitit, a të shekullit, a të amshimit, nëse dëshironi, nuk janë vetëm burra. Para së gjithash, janë gra. Janë ato që i lindën këta burra! «…në maternitet a në shtëpi, në mal a në arë, duke prerë dru, e duke hedhur farë», siç e ka thënë Dritëro Agolli, që sivjet i mbushi 85 vjet. Po, ai e ka edhe një poezi tjetër admirimi, veçanërisht për nënën shqiptare, së cilës i hakërrehen se ia prishi hesapet Çubrilloviqit. E që mjerisht ajo shpeshherë në viset e shqiptarëve nuk gëzon as respektin të thirret në emër, por thjesht si aneks i burrit i ngjitet emrit të tij me një «-icë».

Këta shqiptarë e meritojnë të shpallen Shqiptari i Vitit! Një popull që e ka forcën t’i mbajë elitat që ka. Performansa dhe rezistenca e të cilit nuk ia kalon vetëm asaj të evropianit, por njeriut vetë. Por, edhe një popull, që me gjithë mjerimin ku është katandisur, ka kthjellësinë të gjykojë edhe energjinë të protestojë.

Janë shqiptarët…