Shqiptarët zemërohen nga bunkeri i ri në qendër të Tiranës

Vendimi misterioz për të ndërtuar një bunker të ri në Tiranë shkakton aludime se qeveria e majtë ka nostalgji për ish-diktatorin e Shqipërisë.

Foto: Shutterstock



Dhjetëramijëra bunkerë të kohës së Komunizmit gjenden aktualisht në çdo cep të Shqipërisë – një trashëgimi e frikës paranojake të diktatorit Enver Hoxha nga një sulm nga jashtë. Por tani, një bunker i ri po ndërtohet në qendër të Tiranës, me urdhër te qeverisë së majtë të kryeministrit Edi Rama.

Opozita e qendrës së djathtë është kaq e zemëruar për atë që e sheh si nostalgji të epokës komuniste sa protestuesit e saj tentuan ta shkatërrojnë me forcë bunkerin përgjatë ditëve të fundit.

Vëzhguesit ndërkohë po vrasin mendjen se çfarë kuptimi ka ky bunker i ri.

Bunkeri po ndërtohet pranë Ministrisë së Brendshme, ku qeveria më herët këtë vit nisi një projekt rigjallërimi urban me synimin e rishtrimit të rrugës dhe krijimit të një zone këmbësorësh.

Por plani i projektit nuk është bërë i disponueshëm për publikun dhe askush nuk e di se çfarë nënkupton ndërtimi i bunkerit. Qeveria nuk ka dhënë shpjegime se çfarë po bën dhe as nuk ka treguar se kush e konceptoi apo dizenjoi bunkerin.

Në mënyrë të pashmangshme, disa e shohin ndërtimin e bunkerit si pjesë e një tendece më të gjerë drejt rilindjes së kultit të Enver Hoxhës, diktatorit stalinist i cili e sundoi Shqipërinë me grusht të hekurt nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në vitin 1985.

Protestuesit e organizuar nga Partia Demokratike të premten e kaluar shkuan pranë bunkerit dhe u përpoqën ta shembnin. Ata akuzuan qeverinë se po tregohet e pandjeshme ndaj vuajtjeve të dhjetëramijëra shqiptarëve në kohën e komunizmit, një këndvështrim i ndarë jo vetëm nga protestuesit.

Të shtunën, dhjetëra oficerë policie u vendosën përreth bunkerit për ta mbrojtur atë nga zemërimi i protestuesve, disa prej të cilëve u arrestuan apo u thirrën më pas në komisariat.

Udhëheqësi i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri thirrje për më shumë protesta kundër bunkerit dhe kërcënoi me akte të mosbindjes civile.

Ndërsa disa artistë apo të tjerë i kanë konvertuar ish bunkerët në objekte me përdorime të tjera, shumica e shqiptarëve i shohin ato si simbole të një epoke të shëmtuar të cilën dëshirojnë ta harrojnë.

Bunkerët shfaqen shpesh në letërsinë dhe kinematografinë shqiptare. Dy romane nga shkrimtari Ismail Kadare, Piramida dhe Muri i Madh, janë alegori për vendimin e qeverisë komuniste për ndërtimin e bunkerëve dhe argumentohet se synimi i vërtetë për ndërtimin e tyre qe që populli të mbahej me punë të lodhshme, sido që të pafrytëshme, në mënyrë që të ishte i bindur ndaj pushtetit.

Duke e cilësuar vendimin për ndërtimin e bunkerit një «mentalitet bunkeri», artisti dhe blogeri Vincent van Gerven Oei, një holandez që jeton në Tiranë, e titulloi bunkerin e ri një formë të «agresionit arkitekturor» dhe vuri në pikëpyetje logjikën e ndërtimit.

«Duhet të shtrohet si çështje nëse një qeveri duhet të lejohet apo jo të bëjë këto lloj ndërhyrjesh në hapësirën publike pa dijeninë apo miratimin e bashkisë, vetëm pak metra larg shumë monumenteve kulturore, përmes një ‹vendimi› të Këshillit të Ministrave për të cilin nuk dihet asgjë», shkroi ai në blogun e tij të fundit.

«Nëse kjo është se si organizohet hapësira publike – pothuajse e diktuar – ne me të vërtetë nuk jemi shumë larg nga format e politikës që duket se kanë fituar terren në të gjithë rajonin», shtoi ai.

Shqipëria filloi të ndërtojë fortifikime ushtarake të pafundme në të gjithë vendin në vitet 1960 dhe 1970 me synimin e deklaruar të ndalimit të një sulmi parallel nga NATO dhe nga Traktati i Varshavës. Në realitet, asnjëra nga aleancat nuk pati në plan të sulmonte.

Bunkerët janë pjesa më e dukshme e këtyre fortifikimeve dhe tërheqin shumë vëmendjen e të huajve, ndonëse jo të shqiptarëve.

Nëntorin e kaluar, qeveria hapi një muze në një kompleks nëntokësor zyrash në periferi të Tiranës të quajtur BunkArt.

Dikush e quajti atë «një muze ilegal për Enver Hoxhën», megjithëse debati i shkaktuar nuk i ndaloi mijëra njerëz nga vizitimi i muzeut, duke sugjeruar se ka ende shumë interes për mbetjet e kohës së Komunizmit.

Qeveria shkaktoi debate të mëtejshme kur përuroi punimet për një muze në ish ndërtesën e frikshme të policisë sekrete të kohës së komunizmit Sigurimi.

Posterët e qeverisë të vendosur në murin e jashtëm iu referuan ndërtesës së frikshme si «bukuroshe e fjetur që priste një puthje për t’u zgjuar.»

Përdorimi i metaforës nga bota e përrallave shkaktoi tronditje dhe qeveria u akuzua se po «romantizonte vuajtjet e kohës së komunizmit». Ndërtesa e njohur me emrin në kod «Gjethi» qe zyrtarisht një bazë sekrete deri sa u deklasifikua si e tillë me vendim qeverie vitin e kaluar, por megjithëse sekret, ajo njihej nga të gjithë banorët e kryeqytetit si një mjedis torturash. Disa i referoheshin asaj si vendi i «drurit pa kufi».

Posterët e qeverisë theksojnë ndërkohë përdorimin e ndërtesës gjatë Luftës së Dytë Botërore si zyrë e Gestapos. Disa zyrtarë kanë lënë të kuptohet se muzeu do të fokusohet vetëm te teknologjia e përgjimit e përdorur gjatë kohës së komunizmit.

Shumë vende në Europën Lindje kanë një farë magjepsjeje ndaj regjimeve të vjetra komuniste dhe kanë hapur muzeume për atë kohë.

Problemi është, gjithsesi, se Shqipëria nuk ka pasur kurrë procese të rregullta gjyqësore për t’u përballur me krimet e kryera në atë kohë.

Ndërkohë, nostalgjikët e Hoxhës janë rishfaqur më shumë gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht gjatë ceremonive të ndryshme përkujtimore të organizuara nga qeveria për ngjarje të Luftës së Dytë Botërore.

Një sherr u shfaq pas një feste të organizuar më 16 shtator për shkak se një pankartë me Enver Hoxhën u shfaq në Pezë nga kryebashkiaku i ri i majtë i Tiranës Erjon Veliaj, në përkujtim të Konferencës së Pezës, një takim i udhëheqësve të rezistencës së udhëhequr nga komunistët në Luftën e Dytë Botërore.

Kur Partia Demokratike protestoi, Veliaj e distancoi veten nga fotografia duke thënë se ajo nuk qe pjesë e ceremonisë së organizuar nga bashkia.

Birn Albania

http://www.reporter.al/shqiptaret-zemerohen-nga-bunkeri-i-ri-ne-qender-te-tiranes/