Shqiptarët vendosin për Qeverinë e Maqedonisë

Fati i Gruevskit, ose mandati i cili shpall fituesin në kampin politik maqedonas, varet nga vota e shqiptarëve. Të dielën do të ketë përsëritje të votimeve në një vendvotim në Tearcë të Tetovës, fshat i dominuar nga shqiptarët që me 304 vota LSDM mund t’i marrë VMRO-së një deputet dhe ta barazojë 50 me 50 numrin e mandateve mes dy partive. Edhe partitë shqiptare kanë mundësinë e zgjedhjes së partnerit për koalicionin qeverisës.




Si asnjëherë më parë në historinë 26 vjeçare të Maqedonisë, shqiptarët marrin rolin kryesor dhe e kanë fjalën e fundit në formimin e Qeverisë në Maqedoni. Edhe votuesit, por edhe partitë shqiptare kanë thuajse të njëjtin rol. Kjo u dëshmua si në procesin e deritanishëm dhe ditën e votimit më 11 dhjetor, ashtu edhe në periudhën në vazhdim. Gjykata Administrative vendosi të shpallë të pavlefshëm rezultatin në vendvotimin 2011 në Tearcë, që i takon zonës rurale të Tetovës, ku pjesa dërmuese e votuesve janë shqiptarë. Edhe KSHZ e konfirmoi vendimin dhe shpalli rivotimin për më 25 dhjetor.

Në këtë vendvotim do të vendoset edhe rezultati përfundimtar i mandateve të partive maqedonase, VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit dhe LSDM-së së Zoran Zaevit. E para aktualisht ka 51 deputetë, ndërsa LSDM 49. Kësaj të fundit në rivotimin e së dielës në Tearcë i nevojiten të fitojë 304 vota më shumë se VMRO dhe do t’i marrë kësaj një deputet, me çka numri i mandateve do të barazohet 50 me 50. Në këtë vendvotim ka gjithsej 700 votues; në zgjedhjet e 11 dhjetorit në votime dolën 400 prej tyre. Shpresat e LSDM-së janë tek votuesit shqiptarë që kanë votuar për partitë shqiptare, si dhe tek ata shqiptarë që nuk dolën të votojnë ditën e zgjedhjeve. Rezultati i parë në këtë vendvotim ishte: VMRO-DPMNE 91 vota, LSDM 87, Lëvizja Besa 65, PDSH 64, BDI 53, Aleanca për shqiptarët 25, partitë tjera 2 dhe 17 të pavlefshme. Gjatë rovitimit tanimë partive shqiptare nuk ju nevojiten votat e fituara në Tearcë nëse nuk i fitojnë të njëjtat dhe as nëse 700 votat i merr ndonjëra prej tyre. Kjo situatë ka shtuar shpresat tek LSDM-ja e Zoran Zaevit, e cila edhe ashtu më 11 dhjetor besohet se ka marrë mes 40-70 mijë vota nga elektorati shqiptar në Maqedoni. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, paraprakisht u kërcënua se nëse KSHZ ose Gjykata Administrative do t’i përsërisë zgjedhjet, ai dhe partia e tij do t’i bojkotojnë ato. Por edhe përkundër kësaj deklarate, aktivistë të kësaj partie këto ditë janë parë në numër të shtuar në fshatin Tearcë, ku LSDM ka aktivizuar edhe shtabin parazgjedhor.

Banorët e Tearcës: Tani e kemi në dorë Gruevskin

Karakteristikë e këtyre zgjedhjecve ishte numri tejet i lartë i votave që shqiptarët i kishin dhënë Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, parti e njohur si etnike maqedonase, por së fundmi e afirmuar si parti qytetare. Edhe në listën e kandidatëve për deputetë, kjo parti pati pesë shqiptarë, dy prej të cilëve finduan mandatin për në Kuvendin e Maqedonisë. Votat e shqiptarëve ndaj LSDM-së janë komentuar jo vetëm si vota të joshura nga platforma kryesisht me koncept social dhe qytetar, por edhe nga mllefi që shqiptarët kanë pasur ndaj VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj, Nikolla Gruevski. Mllefi është rritur që nga diskriminimi ekonomik i shqiptarëve e deri te proceset e montuara gjyqësore dhe politike, si dhe nga përgjimet e publikuara, ku funskionarë të partisë së Gruevskit dëgjoheshin duke i fyer shqiptarët. Edhe banorët e Tearcës nuk kanë fshehur mllefin ndaj Gruevskit, disa e kanë pohuar publikisht për mediat se mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së do të zgjedhin këtë të dytën. Disa madje janë edhe më të drejtëpërdrejtë, duke thënë se këto zgjedhje do t’i shfrytëzojnë për ta dënuar Gruevskin për të gjithë atë që ai ka bërë kundër shqiptarëve deri më tani. «Tash kur vjen puna për maqedonasit, më mirë Zaevit se Gruevskit. Mjaft t’këqija na ka bërë ai, na ka shkelë ne shqiptarëve», deklaroi një banorë i Tearcës. Një tjetër shprehet se janë të dëshpëruar totalisht nga VMRO-DPMNE: «Me këto kushte jemi të revoltuar. Tani do të shohim, tani Qeveria e Maqedonisë vendoset këtu».

Partitë shqiptare e zgjedhin partnerin e koalicionit

Në rast së këtë të dielë LSDM i mer një mandat VMRO-së dhe barazohen me nga 50 deputetë, atëherë partitë shqiptare do ta kenë më të lehtë përzgjedhjen e koalicionit. Por, ata këtë mund ta bëjnë edhe nëse shifrat ngelin të njëjta, pasi për formimin e Qeverisë nevojiten 61 vota dhe për një shumicë të këtillë partitë shqiptare kanë rol vendimtar. BDI ka 10 deputetë dhe do të jetë e para që do të fillojë negociata me njërën nga dy partitë më të mëdha maqedonase. Por edhe partitë e tjera opozitare bashkërisht kanë 10 deputetë: Besa ka 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 deputetë. Një koalicion VMRO-BDI i ngjashëm me atë të deritanishmin do të ishte i mundur vetëm në rast se VMRO-DPMNE arrinë të mbrojë epërsinë aktuale prej dy deputetëve ndaj LSDM-së. Por, nëse shifrat barazohen dhe dy partitë kanë nga 50 deputetë, atëherë njëra prej tyre, përveç BDI-së, do të duhet të thërrasë në koalicion edhe të paktën njërën nga partitë shqiptare që morën më pak mandate në këto zgjedhje. Një mundësi tjetër e plasuar në opinion është edhe oferta e Lëvizjes Besa, e cila fitoi 5 deputetë. Nënkryetari i saj, Afrim Gashi, ditë më parë njoftoi se për ta rrënuar Gruevskin, Besa është e gatshme që me 5 deputetët e saj të mbështesë sigurimin e 61 votave për të formuar Qeverinë LSDM-BDI dhe se partia e tyre nuk kërkon hise në këtë Qeveri.

Koalicioni i zgjeruar zgjidhje më e mirë

Një ndryshim eventual i numrit të mandateve pas rivotimit në Tearcë mund të shtojë zërat dhe mundësitë për formimin e një koalicioni të zgjeruar mes katër partive më të mëdha në vend, VMRO, LSDM, BDI dhe BESA. Por edhe me shfirat aktuale kjo mundësi qarkullon nëpër koloaret politike dhe mediatike në vend. Koalicioni i zgjeruar thuhet se është përfolur edhe në qarqet diplomatike për shkak të detyrave që e presin Qeverinë e re. Kjo Qeveri është siguria më e madhe për zgjidhjen e kontestit me Greqinë për emrin e Maqedonisë, pasi përgjegjësinë për një vendim do ta ndajnë edhe pushteti edhe opozita. Përveç kësaj, koalicioni i zgjeruar do të ishte i domosdoshëm edhe për zbatimin e shumë reformave, të cilat kërkohen nga Brukseli për procesin integrues të Maqedonisë. Shumë ligje duhet të sillen me dy të tretat e numrit të deputetëve, që domethnë 82 vota. Këto numra sigurohen vetëm përmes koalicionit të zgjeruar, pasi edhe në rast të koalicionimit të një partie maqedonase me të gjitha partitë shqiptare, shumica nuk do të arrinte mbi 71 deputetë.