Shqiptarët, të korruptuar, por dhe «gënjeshtarë»?

Vrojtimi i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkan tregon se sipërmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria paguajnë më shumë ryshfet se fqinjët.

Foto: shutterstock.com



Megjithatë ata mundohen ta fshehin këtë realitet, për t’u zbuluar më pas përgjatë pyetjeve të vrojtimit.
Renditjet e Kosovës dhe Shqipërisë në një sërë vrojtimesh ndërkombëtare si vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit (të perceptuar) në Ballkan, mbështeten edhe nga sipërmarrësit në këto vende.

Kosova dhe Shqipëria rezultojnë vërtet si vendet më të korruptuara në Ballkan, edhe sipas sipërmarrësve, por e veçanta qëndron se ata mundohen të paraqiten më të «ndershëm» se sa homologët e tyre nga rajoni, duke deklaruar fillimisht se nuk paguajnë ryshfet.

Sekretariati i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), një institucion i BE-së, ka realizuar një vrojtim me sipërmarrës nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Barometri i Opinionit për Biznes, i cili vlerëson frymën e biznesit në këto vende, realizoi sondazhe me 200 kompani për secilin shtet, duke i pyetur sipërmarrësit për një sërë aspektesh, menaxheriale por edhe të natyrave të ndërthurura. RCC publikoi raportin në maj të këtij viti.

Disa ndër pyetjet që u janë parashtruar bizneseve kanë të bëjnë me korrupsionin, me pagesa ryshfeti apo dhurata ndaj institucioneve apo zyrtarëve publikë për të zgjidhur çështje të natyrës biznesore.

Në pyetjen shtruar bizneseve se a është e zakonshme për firmat që të paguajnë disa pagesa të rregullta (ryshfet dhe dhurata) për t’i kryer punët, biznesmenët e Evropës Jug-Perëndimore janë përgjigjur se diçka të tillë në përgjithësi nuk e praktikojnë.

Biznesmenët nga Bosnja dhe Hercegovina janë më të bindur që ekziston ky lloj i pagesës (ryshfet), sesa ata nga Kosova, Serbia, Kroacia dhe Shqipëria. Madje, sipas vrojtimit, bizneset nga Kosova dhe Shqipëria paraqiten sikur paguajnë shumë më pak ryshfet sesa bizneset nga vendet e tjera të rajonit.

Të pyetur nëse është e zakonshme për firmat që të «japin disa pagesa/dhurata të parregullta për t’i rregulluar punët», sipërmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria rezultojnë se shumë rrallë kryejnë veprime të tilla, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Sipërmarrësit nga të dyja vendet, thanë se nuk bëjnë punë të tilla, përkatësisht me gati 80% të përgjigjeve, duke vendosur në këtë mënyrë një «rekord rajonal të ndershmërisë». «Në shikim të parë Kosova dhe Shqipëria ndoshta duken si vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit, mirëpo nëse ndalemi dhe i shikojmë përgjigjet e tyre më poshtë, atëherë konkluzioni është tjetër», shkruhet në raport.

Sipas vrojtimit, 38% e sipërmarrësve shqiptarë mendojnë se ekziston dhënia e ryshfeteve për shërbimet publike, 27% në Kosovë, kurse në vendet e tjera të rajonit kjo përqindje është më e ulët, në Bosnje dhe Hercegovinë është 14%, në Serbi 13%, në Mal të Zi 10%, kurse në Kroaci 8%.
Këto përgjigje i pozicionojnë të dy vendet shqipfolëse në krye të listës së korrupsionit për këtë kategori, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Edhe kategoritë e tjera tregojnë një pasqyrë të ngjashme.

Për shembull, opinioni se jepet ryshfet për licenca biznesi është më i shpeshtë në Shqipëri (39%), në Serbi (39%), në Kosovë (34%), (Maqedoni 24%), Bosnje e Hercegovinë (22%) dhe në Kroaci (13%).

Sipas vrojtimit, 35% e udhëheqësve të biznesit në Shqipëri dhe 24% e tyre në Kosovë, mendojnë se firmat nganjëherë duhet të paguajnë ryshfet për të marrë licencën nga qeveria, që është një përqindje dukshëm më e lartë sesa në Maqedoni (20%), Kroaci (14%), Serbi (14%) dhe Bosnje e Hercegovinë (14%).

Nga udhëheqësit e biznesit nga Kroacia, 8% prej tyre janë të bindur që ka korrupsion në inspektimet e shëndetit. Kjo përqindje është më e ulët sesa në Shqipëri (45%), Kosovë (29%), Maqedoni (22%) në Serbi (16%) dhe Bosnje e Hercegovinë (13%).

Në pyetjen se sa ekziston praktika e dhënies së ryshfetit në taksa përsëri janë Shqipëria dhe Kosova ato që i prijnë listës. Kemi Shqipërinë më 40%, Kosovën më 29%, Maqedoninë 20%, Bosnje dhe Hercegovinën më 14%, Malin e Zi më 15%, Serbinë më 15% dhe Kroacinë më 7%.

Dhënia e ryshfetit është praktikë e shqipfolësve edhe në dogana. Përqindjet e larta në përgjigjet e tyre e dëshmojnë se këto dy shtete japin më së shumti ryshfet në dogana, krahasuar me shtetet e rajonit. Kemi Shqipërinë më 34%, Kosovën më 31%, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi më 17%, Serbinë më 11%, Kroacinë më 8% dhe Maqedoninë më 16%.

Se sa ofrojnë ryshfet dhe ndikojnë në gjykata, përsëri listës i paraprijnë Shqipëria (29%), Kosova (21%) dhe Maqedonia (18%). Duke lënë prapa Serbinë (11%), Bosnje Hercegovinën (11%), Malin e Zi (7%) dhe Kroacinë (9%).

Në krahasim me Kroacinë (8%), Serbinë (10%), Malin e Zi (7%), Bosnje dhe Hercegovinën (12%), Shqipëria (34%), Kosova (25%) dhe Maqedonia (21%) kanë përqindjen më të lartë në raportet e tyre, ku theksojnë që ofrojnë ryshfet dhe se ndikojnë në legjislacionet e reja.

Në të gjitha pyetjet e parashtruara, Maqedonia është shteti i vetëm i cili në çdo pyetje ka përqindjen më të lartë në opsionin «Nuk e di», çka ngre dyshime nëse maqedonasit me të vërtetë nuk dinë asgjë, apo shtiren sikur nuk dinë.

Sidoqoftë, përgjigjet e të anketuarve nga Kosova dhe Shqipëria në pyetjen e parë, se a japin zakonisht ryshfet për kryerjen e shërbimeve të caktuara, ata dalin të jenë si më të jo korruptuarit, mirëpo, përgjigjet e tyre në pyetjet e tjera paraqesin krejtësisht të kundërtën e asaj që thanë në fillim. Kosova dhe Shqipëria rezultojnë vendet më të korruptuara në rajon, me nivelin më të lartë të korrupsionit në pothuajse secilën fushë të cekur më lart.

Bazuar te Raporti i Progresit 2014, korrupsioni është njëra ndër temat kryesore të Komisionit Evropian për Kosovën dhe përmendet në pothuajse secilën fushë.
Sipas raportit, Kosova ka bërë një progres të kufizuar dhe ende është në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit.

Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha duke përfshirë edhe prokurimin publik. Prania e shumë subjekteve të përfshira në prokurim paraqet një rrezik të korrupsionit.

Në përgjithësi, «edhe përkundër progresit të bërë në regjistrin civil dhe në të dhënat kadastrale, korniza gjyqësore, dhe sidomos zbatimi i saj, mbetet i pakënaqshëm. Sigurimi i një sistemi funksional të gjyqësorit mbetet një detyrë e rëndësishme. Kapaciteti i dobët institucional për zbatimin ligjor, vonesat në gjykata dhe korrupsioni i përhapur kanë vazhduar të pengojnë mjedisin e biznesit», thuhet në raportin e progresit 2014.

Kosova dhe Shqipëria shfaqen si vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor edhe në indeksin e perceptimit të korrupsionit të «Transparency International» duke e renditur Kosovën dhe Shqipërinë në vendin e 110 nga gjithsej 174 shtete të botës.

http://www.reporter.al/shqiptaret-te-korruptuar-por-dhe-genjeshtare/
[Jeta në Kosovë]