Shqiptarët shpallen bullgarë për t’ia mësyrë Europës

Shqipëria nuk kufizohet fare me Bullgarinë, por banorët e një fshati të vogël në verilindje të Shqipërisë po deklarohen bullgarë vetëm sa për të kërkuar pasaportën bullgare, me të cilën mund t’ia mësyjnë shteteve të Bashkimit Europian, shkruan agjencia franceze e lajmeve, AFP.

Flamuri bullgar dhe shqiptar. Ilustrimi: Shuttstock



Trebishti në verilindje të Shqipërisë duket si fshat fantazmë, i boshatisur prej banorëve të tij, të cilët kanë marrë vrull pas pasaportave me të cilat u hapen dyert nëpër shtetet e Bashkimit Europian, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP.

Arman Kadriu ka emër shqiptar, por dymbëdhjetëvjeçari pretendon se është bullgar. «Nuk dua të rri këtu që t’i ruajë lopët. Dua të bëhem futbollist», thekson Armani, i larë nga djersët, ndërsa luan me top në rrugën e pluhurosur në fshatin e rajonit Golo Brdo (Gollobërdë). «Në Angli, me pasaportë bullgare, kjo është e mundshme», thekson ai, duke ndryshuar gjuhën sa për të thënë «Dovizhdane!» – lamtumirë në bullgarisht.

Bullgaria dhe Shqipëria nuk ndajnë vijë të përbashkët kufitare. Dhe Shqipëria si shtet joanëtar i BE-së, ku po shqyrtohet ligji për pakicat, nuk i njeh bullgarët si pakicë, ndryshe prej grekëve, maqedonasve ose serbo-malazezëve.

Etniciteti i bashkësive historikisht sllavishtfolëse në pjesët lindore të Shqipërisë ka qenë përherë fluid dhe i kontestuar – Maqedonia fqinje pretendon se ata janë maqedonas etnikë. Por sipas Agjencisë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit, që ndihmon për sigurimin e pasaportës bullgare, familjet bullgare janë vendosur në Shqipëri qysh në shekullin e pestë dhe pasardhësit e tyre janë pjesë e diasporës. Nuk ka asnjë statistikë, por organizatat bullgare në Shqipëri pretendojnë janë rreth 100 mijë pasardhës.

Dhe Parlamenti Evropian (PE) duket se pajtohet me këtë të dhënë: në shkurt, PE-ja kërkoi prej Tiranës që «të drejtat e popullatës me etnicitet bullgar në rajonet e Prespës, Golo Brdos dhe Gorës të mishërohen me ligj dhe të garantohen në praktikë».

Rekomandimi «ka ngjallur shpresë. Përditë, së paku shtatë ose tetë persona vijnë për të kërkuar shtetësinë bullgare», thekson Haxhi Pirushi. Ai drejton shoqatën Prosperiteti Gollobërda, që ofron certifikata të prejardhjes bullgare për shqiptarët dhe njihet prej qeverisë në Sofje.