Shqiptarët nga tri perspektiva

Tre zviceranë të rinj flasin për përvojën e tyre me shokë shqiptarë. Ata bëjnë propozime për një bashkëjetesë më të mirë ndërmjet zviceranëve dhe emigrantëve, përkatësisht shqiptarëve.




Në anketa të ndryshme, shqiptarët dalin ndër bashkësitë më pak të dëshiruara në Zvicër. Por, sa janë reprezentative këto pohime? A është gjithmonë kështu? Ja çfarë thonë tre të rinj zviceranë, të cilët kanë shumë përvojë me shqiptarë.

«Unë rri me shumë kënaqësi me shqiptarët…»

«Në fillim, prindërit e mi merakoseshin për faktin që shoqërohesha shpesh me shqiptarë», tregon Christian Aeschbacher, 26 vjeç. Kur i njohën shokët e tij, u bënë rehat.

Christian Aeschbacher
Christian Aeschbacher

Ai mendon se shqiptarët që jetojnë në Zvicër nuk ndryshojnë gjithaq nga të huajt e tjerë. Dallimet janë individuale. «Mua më ka rënë në sy që ata janë paksa më të dhunshëm se të tjerët», pohon Christian, dhe vazhdon: «Mendoj që kjo lidhet me historinë e tyre». Vështirësitë që kanë shqiptarët në Zvicër, sipas tij, qëndrojnë ndoshta në faktin se ata vijnë nga një kulturë tjetër. Ai është i sigurt: Nëse zviceranët dhe të huajt do të ishin më shpesh në kontakt me njëri-tjetrin, nuk do të ekzistonin këto paragjykime që kemi. «Unë rri me shumë kënaqësi me shqiptarët, ata janë shumë të përzemërt dhe mund t’u besohet më shumë se të tjerëve», është i bindur Christian.

Ai është për të ashtuquajturën Iniciativë të Migrimit. Sipas tij, Zvicra është një vend i vogël, dhe kohët e fundit po vijnë kaq shumë të huaj, sa vendësve po u rrezikohet identiteti. «Unë mendoj që këtu duhet të ketë një numër të kufizuar emigrantësh», është opinioni i këtij të riu zviceran.

«Shumica e shokëve të mi kanë prejardhje të huaj»

Gabriel Iberg, 24 vjeç, që në foshnjore ka pasur të bëjë me emigrantë shqiptarë. «Unë nuk kam parë tek ata ndonjë dallim nga fëmijët zviceranë, përveçse ndonjëri prej tyre nuk dinte gjermanisht», vëren ai. Si i ri, pastaj Gabriel është shoqëruar shumë me shqiptarët. Për prindërit e tij nuk ka qenë kurrë e rëndësishme çfarë prejardhje kanë pasur shokët e tij. «Shumica e tyre, edhe sot kanë prejardhje të huaj».

Gabriel Iberg
Gabriel Iberg

Gabriel dëgjon të thuhet që të rinjtë shqiptarë janë më të prirë për dhunë. Arsyeja për këtë, sipas tij, janë historia dhe përjetimet e tyre, si dhe gjendja sociale që kanë. Kjo mund të ketë edhe bazë kulturore, ose sepse ata nuk po perceptohen si duhet nga shoqëria zvicerane. Nga njerëz që kanë punuar me shqiptarët dëgjon vetëm falë të mira për ta: Shqiptarët janë të zellshëm dhe të fjalës. Ky grup emigrantësh, sipas tij, janë në rrugë të mbarë, kohët e fundit janë shumë aktivë në jetën sportive të vendit. «Edhe kontakti me vendësit është përmirësuar. Në qendra të mëdha, si Cyrihu, ata e kanë më të lehtë», mendon Gabriel.

Sipas tij, lipset një qasje më e diferencuar. Të dyja palët duhet të jenë më shpesh në kontakt me njëra-tjetrën, vetëm kështu mund të eliminohen paragjykimet. «Votimi për Iniciativën e Migracionit, Zvicrës i bën dëm», është i sigurt Gabriel. Sipas tij, emigracioni për Zvicrën ka qenë i dobishëm. «Ka gjasë që tani për këtë arsye të na dalin telashe me Unionin Evropian», druan ai.

«Kontaktet e mia të para me shqiptarët datojnë nga shkolla fillore», rrëfen Oliver Senn, 23 vjeç, i cili bashkëjeton me një shqiptare. Ata kishin filluar të binin në sy vetëm në klasat e larta: Shqiptarët ishin involvuar më shpesh se të tjerët në konflikte. Sjellja e tyre ishte një temë ndër nxënësit. Ata, sipas tij, e kishin një tjetër mentalitet, shumë prej tyre ishin rritur në konfliktet që sundonin në vendlindjen e tyre.

«Me rëndësi është kualiteti i njerëzve, e jo nacionaliteti i tyre»

«Për prindërit e mi, shoqërimi me emigrantë s’ka qenë kurrë ndonjë problem», thotë Oliver. Sipas tij, janë kryesisht gjeneratat e vjetra, të cilat emigrantët i shohin me dyshim. «Gjyshes sime nuk i bëhet gjithaq qejfi që në Zvicër jetojnë kaq shumë të huaj», rrëfen Oliver. Por, ajo nuk e ka me të keq, shton ai. Zviceranët, sipas këtij të riu, kanë mendime të ndryshme për shqiptarët: «Ata të cilët bazohen vetëm në raportimet mediatike nuk kanë mendim të mirë, ndërsa vendësit, të cilët kanë kontakt të drejtpërdrejtë me shqiptarët e kanë një mendim pozitiv për ta».

oliver senn
Oliver Senn

Emigrantët nuk e kanë gjithmonë të lehtë në Zvicër, mendon Oliver. Të shumtën e rasteve ata duhet të punojnë më shumë se vendësit për të arritur një pozitë të mirë. Ai dëshmon: «Një shok imi shqiptar, i cili e ka një post udhëheqës në punë, duhej të angazhohej dy herë më shumë se kolegët e tij zviceranë».

Emigrantëve duhet qasur më mirë: «Kështu atyre ua krijojmë ndenjën e të qenët bashkë». Votën për Iniciativën për Migracionin, Oliver e sheh si diçka të keqe për Zvicrën. Vendi ka nevojë për fuqi të kualifikuar punëtore. Sipas tij, «me rëndësi është kualiteti i njerëzve, e jo nacionaliteti i tyre».