Shqiptarët në Maqedoni kanë vlera, s’kanë sovranitet




Nga Shpëtim POLLOZHANI

 

Fjala sovranitet, në thelb, do të thotë autoritet, sundim, rregull dhe forcë. A kanë vallë shqiptarët autoritet në shtetin ku paguajnë taksat dhe tatimet? A kanë vallë shqiptarët të thonë diçka në rregullimin shoqërar të vendit ku jetojnë? A kanë vallë diçka në dorë në ekonomi, politikë, ushtri dhe polici? A e kontrollojnë vallë shqiptarët territorin ku jetojnë? A e kontrollojnë vallë shqiptarët e Maqedonisë sigurinë e tyre në shtet? A i kontrollojnë vallë shqiptarët finansat, shëndetin dhe ujërat e vetë. A i kontrollojnë vallë ushtrinë dhe shërbimet sekrete?

Luigji i 14-të në shekullin e 17-thoshte: «Shteti jam unë», ndërsa Zhan Zhak Ruso ia këthente: «Sovraniteti është public». Mbreti Luigji i 14-të thoshte: Unë jam dielli. Kurse Gruevski është duke na thënë: Unë jam shteti dhe ai që vendos për fatin tuaj! Dhe, me të vërtretë është ashtu, pushteti i tij është absolut. Ai nuk e respekton as jetën dhe as pronën e shqiptarëve. Ai zhgërryhet nëpër oborret e shqiptarëve si derri në oborin e vet. Njëherë shkak është «terorizmi», radhën tjetër «fundamentalizmi fetar»…

Në Maqedoni funksionon sistemi anglez i shekullit të 18-të, që quhej: Monarku në Parlament. Kjo shihet në faktin se në parlamentin e vendit, suksesi i amendamenteve të opozitës mundet të matet me promilë. Jo vetëm amandamantet e opozitës, në Parlamentin e Maqedonisë nuk kalojnë as edhe amandamentet e partisë shqiptare në pushtet. Shumë shpesh ndodh që partia shqiptare në pushtet të veprojë si opozitë. Ndonëse ka mundësi që kjo është edhe një nga strategjitë e shumta të partisë shqiptare në pushtet për t’i hedhur pluhur syve elektoratit të vetë.

A kanë vallë sovranitet shqiptarët në Maqedoni, dhe a u takon sovraniteti zgjedhësve shqiptarë, kur nga njëzet postet më të rëndësishëm në vend, asnjëri nuk udhëhiqet nga shqiptarët? Që nga ndarja e Maqedonisë nga ish Jugosllavia, shqiptarët nuk kanë pasur asnjëherë ktyetar shteti, kryeministër, kryetar parlamenti, ministër të finansave, ministër të brendshëm, minister të jashtëm, guvernator të Bankës Popullore, drejtorin e Entit Republikan të Statistikave, dretor të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjev, drejtor të Shërbimeve Sekret, kryetar të Akademisë së Shkencave, dekan të Universitetit Shtetëror në Shkup, drejtor të Teatrit, Operas dhe Baletit, kryetar të Lidhjes të Shkrimtarëve dhe drejtor të Institutit Demografik, i cili bashkë me Akademinë e shkencave. Janë edhe disa dhjetra poste të tjerë me peshë që shqiptarët as që e dine se ku ndodhen. E gjithë kjo ndodh për shkak se ne kemi një klasë politike bashkëpunëtore të sistemit, natyrisht me disa përjashtime.

Ndodh ndonjëherë që shqiptarët të udhëheqin ndonjë ministri më me vlerë, mirëpo, ministër i arsimit emërohet ndonjë mjek, ose ndonjë inxhiner me shkollë të lartë të xehtarisë, edhe pse një ministër jokompetent i arsimit nuk e njeh asnjë normë pedagogjike, metodike ose didaktike. Edhe pse shqiptarët gjatë çdo mandati i kanë nga pesë ministra, ata janë ministra kukulla, pasi të gjithë drejtorët e sektorëve – me ndonjë përjashtim të vogël – janë joshqiptarë. Më mirë do të ishte që shqiptarët të merrnin tre sektorë nga 10-15 sa janë në një ministri, se sa një minister. Ka dëshmitarë, kur në një takim me vlerë, në vend të ministrit shqiptar flet zëvendësministri a sekretari maqedonas i ministrisë.

Në rast se ne shqiptarët në Maqedoni jemi popull sovran, a nuk na takon vallë edhe territor ku do të kishim mundësi ta ushtrojmë sovranitetin tonë. Ne e kemi territorin tonë, dhe aty duhet ta gëzojmë sovranitetin. Në jemi duke u llogaritur si një popull me sovranitet, por në egzil. Ne duhet t’i gëzojmë të drejtat e një sovrani në egzil. Vetë Kushtetuta e Maqedonisë ne shqiptarët na llogarit si një popull në egzil, pasi ne llogaritemi pjesë e popullit shqiptar, që jetojmë jashtë shtetit amë. Ne nuk quhemi as popull e as popullsi (si në komunizëm). Çfarë do të ndodhte në rast se na nxjerrin nën 20 për qind. Ne të gjitha të drejtat i kemi falë 20-përqindshit. Sipas Kushtetutës ne jemi populli 20 përqind.

Në rast se shqiptarët në Maqedoni do të ishin popull sovran, nuk do t’u shëtisnin forcat speciale nëpër oborre sikur të ishin kopshtet e tyre personale. Sovranitet do të thotë ta sundosh vetveten. Ne jemi të sunduar, të shtypur, të diskriminuar dhe të poshtëruar. Ekspeditat e shpeshta policore kanë vetëm një qëllim: të mbjellin tmerr në popullatën shqiptare që të shpërngulet nga trojet e veta. Përse ndodh terror kundër shqiptarëve në lagjet Nerez, Radishan dhe Karposh të Shkupit? Ka vetëm një arsye: që të shpërngulen. Maqedonasit po ia arrijnë qëllimit – të gjitha bizneset e shqiptarëve u shpërngulën nga Karposhi. U shpërngulën të gjitha familjet shqiptare që nuk i mori në mbrojtje askush nga Radishani. Nuk i pamë asnjëherë forcat special të policisë të arrestojnë ndonjë narko-bos, ose ndonjë makro të prostitucionit. Ne jemi dëshmitarë që biznesi i drogës dhe i prostitucionit po lulëzon në vend.

Çdo popull është sovran dhe sovranitetin e garanton shteti. Federalizimi është forma më e kapshme për momentin për t’i zgjidhur shumë probleme në vend. Sistemi kanadez është i përafërt me realitetin në Maqedoni. Ai është një sistem vlerash, i cili u mundëson popujve të ndryshëm në Kanada të jetojnë në harmoni me diversitetin e vlerave të tyre.

Për të jetuar në harmoni, me diversitetin e vlerave të popujve në Maqedoni, duhet të ndryshojë Kushtetuta, e cila nuk është as Kuran, as Tallmud, e as Bibël. Problem i madh është ndryshimi i mentalitetit hegjemon të pushtetarëve maqedonas, të cilët shqiptarët po i trajtojnë si dhen. Rjep, qeth, merr qengjin dhe në fund lëkurën në tra. Në këtë shtet të shpifur çdo individ mundet të jetë viktima e radhës kundër ndonjë fondamentalizme.

Se cilën rrugë do ta zgjedhin shqiptarët për të qenë sovran, varet vetëm prej vetë shqiptarëve. Në rast se nuk e dinë, le të shkojnë në edukim te populli Zulu në Afrikën e Jugut. Por, përpara se ta zgjedhin rrugën e vërtetë, le t’i largojnë nga skuadra drejtuese individët që dinë të japin vetëm autogola, që dinë ta rregullojnë rezultatin për ta marrë përqindjen e vetë nga «bastorja» Parlamenti. Le t’i largojnë nga skena politike, injorantët dhe tenderbegasit. Ky popull ka vlera.

Mendimet e shfaqura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë