Shqiptarët e Zvicrës dhe privilegji i votës më 18 tetor

Ju jetoni në një shtet, i cili votën e juaj e vlerëson si votën e çdo votuesi tjetër. Të votoni është përgjegjësi! Zgjidhni ato parti, me të cilat mund të identifikoheni politikisht dhe të cilat mund të realizojnë interesat tuaja – jo vetëm si migrantë.

Tani edhe shqiptarët me pasaportë zvicerane kanë përgjegjësi siç kanë të gjithë shtetasit e Zvicrës që ta mirëmbani shtetin e juaj. Grafika: Shutterstock



Më 18 tetor 2015 do të mbahen zgjedhjet për përbërjen e re të Parlamentit të Zvicrës. Për të pesëdhjetën herë do të zgjidhen 200 delegatë të këshillit nacional (Nationalrat), siç quhet parlamenti, dhe 45 nga 46 delegatë në këshillin e kantoneve (Ständerat), të ashtuquajturën dhomën e vogël të parlamentit. Këshilli nacional përbëhet nga përfaqësimi proporcional i kantoneve, ku çdo kanton dërgon deputet varësisht nga numri i popullatës në po atë kanton, si dhe këshilli i kantoneve, në të cilin çdo kanton i plotë dërgon nga dy dhe çdo gjysëmkanton nga një deputet.

Zgjedhjet për parlamentin e Zvicrës organizohen në çdo katër vjet dhe deputetët e zgjedhur do t’i përfaqësojnë interesat e popullit zviceran, të cilit tanimë i përkasin edhe shqiptarët me shtetësi zvicerane me kërkesat dhe problemet e tyre. Nuk është e rastësishme që kemi edhe disa kandidate dhe kandidatë me origjinë shqiptare që konkurrojnë për mandat në këshillin nacional, pasi që tani ndodhemi në gjeneratën e dytë dhe të tretë në Zvicër dhe jemi pjesë përbërëse e shtetit në të cilin kontribuojmë duke paguar tatimet apo edhe me sukseset tona në lëmi të ndryshme, andaj është e natyrshme të kërkojmë edhe përfaqësim në arenën politike.

Tani shtrohet pyetja se a i përfaqësojnë këta kandidatë në të vërtetë interesat e juaja? Fatmirësisht kandidatët janë të shpërndarë në disa parti, gjë që na ofron një paletë ngjyrash politike dhe juve, votuesve shqiptarë me shtetësi zvicerane, ju ofrohet mundësia të keni një varietet më të gjerë. Ju si votues mund ta kërkoni dialogun me këta kandidatë dhe t’u shprehni dëshirat dhe të prezantoni problemet tuaja në Zvicër. Në qoftë se ju hasni në mirëkuptim dhe angazhim nga ana e tyre, atëherë është vendim racional dhe në interesin tuaj ta zgjidhni atë që «ua din hallet më së miri». Nuk është qëllimi i këtij shkrimi t’ju tregoj kë duhet ta votoni, por dua të flas pak për privilegjin e votës.

Ju jetoni në një shtet, i cili votën e juaj e vlerëson si votën e çdo votuesi tjetër. Në një vend ku me mjetet e demokracisë së drejtpërdrejtë edhe gjatë periudhës së legjislaturës të këtyre deputeteve të zgjedhur do të keni mundësinë të shprehni mospajtimet apo idetë e juaja për shtetin helvetik. Këto mjete janë për shembull iniciativat apo referendumet e ndryshme, për të cilat duhet të gjeni njerëz me interesa të njëjta që duan ta përkrahin këtë angazhim.

Nëse doni të ndikoni në zhvillimet politike, atëherë angazhohuni, shfrytëzoni organet të cilat janë instaluar për po këtë arsye. Si shumë shqiptarë të tjerë edhe unë ndihem shumë të lumtur kur shoh gjithnjë e më shumë shqiptarë të angazhuar në politikën zvicerane, sepse kjo tregon një vetëdijesim dhe një integrim të shëndoshë. Por kjo nuk do të thotë që duhet t’i jepni dikujt votën vetëm pse është shqiptar dhe nëse partia për të cilën ai ose ajo kandidon nuk i përfaqëson vlerat tuaja.

Ja edhe diçka të rëndësishme: duhet ta keni të qartë se çfarë drejtimi politik apo çfarë interesa keni. Kjo nuk do të thotë se vetëm pse jeni me prejardhje të huaj duhet patjetër të zgjidhni një parti të majtë – edhe pse ka një rrjedhë të logjikshme për të zgjedhur një parti që dikur kishte një politikë më të hapur ndaj migrantëve dhe me gjasë edhe ka ndihmuar integrimin tuaj në shtetin e Zvicrës. Por nëse e zgjidhni një parti të majtë, atëherë duhet ta zgjidhni për shkak të programit partiak në përgjithësi, sepse ai ofron më shumë se sa vetëm politikën e migrimit. Aty flitet po ashtu për më shumë solidaritet, intervenime shtetërore për përmirësimin e mirëqenies sociale dhe shumë gjëra të tjera të cilat duhet po ashtu t’i keni parasysh.

Të votoni është përgjegjësi!

A jeni për një politikë te migrimit të hapur edhe nëse bëhet fjalë për azilkërkuesit nga Siria? A jeni të gatshëm të paguani më shumë tatime në favor të rritjes së mirëqenies së barabartë brenda shtetit zviceran? A ju pengon në qoftë se ju punoni dhe fqinji juaj pa punë financohet nga tatimet tuaja? Këto janë pyetje, të cilat duhet t’i mendoni në mënyrë më të diferencuar dhe të vendosni se kush më së miri i përfaqëson pikërisht këto interesa tuajat.

Ju që jeni afaristë dhe keni bizneset tuaja ndoshta mendoni se të gjithëve duhet t’u jepet shansi e njëjtë për të bërë biznes me sa më pak pengesa nga shteti dhe me shanse të barabarta për të gjithë ata që duan të punojnë. Ky do të ishte një indikator që ju do i pëlqenit politikat e Partisë Liberale. Nëse në shtetin prej nga vini mbështetni parti me vlera konservatore apo nacionaliste dhe në Zvicër i votoni ato parti të cilat luftuan kohë të gjatë kundër këtyre fenomeneve, pra konservatorizmit dhe nacionalizmit, atëherë mos vallë ka ardhur koha të shqyrtoni vendimmarrjen tuaj dhe të kërkoni brenda vetes se çfarë në të vërtetë prisni nga një shtet dhe nga politika e tij, pa marr parasysh për cilin shtet bëhet fjalë.

Jam shumë e vetëdijshme që kjo nuk është e lehtë dhe që politika ne Zvicër nuk krahasohet me atë në Ballkan, por më duket që kjo është mënyra e vetme e parandalimit të hipokrizisë së vazhdueshme tek ne shqiptarët, kur për një gjë flasim dhe ndryshe veprojmë. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të jepen udhëzime për orientimin tuaj politik. Synimi i këtij shkrimi është që të gjithë shqiptarët t’i shohim të integruar mirë në Zvicër, e cila nuk ua dha pasaportën vetëm për t’ua lehtësuar udhëtimin jashtë shtetit. Ju jetoni në një shtet që jo rastësisht ju ofron një cilësi shumë të lartë të jetesës. Tani ju jeni pjesë e gjithë kësaj shoqërie dhe keni po ato përgjegjësi siç kanë të gjithë shtetasit e Zvicrës që ta mirëmbani shtetin e juaj duke qenë shtetas syhapur dhe të vetëdijshëm për përgjegjësinë e votës tuaj.

Informata shtesë: Nëse ende nuk e dini se cila parti dhe cili kandidat i përfaqëson interesat tuaja, atëherë vizitoni këto faqe ku mund të plotësoni një pyetësor i cili mund t’ju ndihmoj të gjeni orientim tuaj politik: www.vimentis.ch, www.smartvote.ch

* Autorja ka përfunduar studimet e shkencave politike në Universitetin e Zürichut dhe tani vazhdon në nivelin master për politika publike në Hertie School of Governance në Berlin.