Shqiptarët e Preshevës vazhdojnë t’u dalin në ndihmë refugjatëve sirianë

Shqiptarët e Preshevës po vazhdojnë të ndihmojnë vullnetarisht refugjatët sirianë që po kalojnë nëpër këtë qytet. Al Jazeera ka raportuar për dy aktivistë shqiptarë që po ndihmojnë në të gjitha format imigrantët.




Qindra sirianë të dëshpëruar mblidhen në përpjekje për të marrë dokumente për kalimin nëpër Serbi, pasi që kanë hyrë nga Maqedonia, raporton KTV.

Valon Arifi dhe Agon Ajeti kanë qenë aty për t’i pritur gjatë 3 muajve të kaluar.

Agoni tregon se si me të tjerët po u ndihmon të gjithë refugjatëve që po vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika dhe këtë e bën për humanitet.

Vullnetarët punojnë çdo ditë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 10.

Ata u japin refugjatëve ushqim e rroba dhe u ndihmojnë të shkojnë drejt kufirit me Hungarinë. Gjithashtu pastrojnë pjesën ku flenë imigrantët.

Al Jazeera kujton se Presheva është komunë shqiptare në Serbi dhe qytetarët e saj e dinë se si është të jesh refugjat.

Valon Arifi tregon se ai dhe të tjerë banorë të Preshevës kanë kaluar nëpër këtë fazë. Valoni dhe Agoni kanë qenë refugjatë në Maqedoni gjatë luftës në Kosovë.

Që të dy tregojnë se mundohen t’u ndihmojnë refugjatëve edhe duke folur me ta, për t’ua kuptuar situatën.

Një polic shqiptar i Preshevës u shpall hero i Serbisë, pas fotografisë me një fëmijë sirian në krahë.