Shqiptarët e Maqedonisë ndihen të fyer nga vendimi i presidentit Ivanov

Shqiptarët në Maqedoni thonë se vendimi i presidentit për të mos lejuar opozitën të krijojë një qeveri të re në aleancë me shqiptarët etnikë është fyes dhe do të shtojë tensionet etnike.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov takon liderin e VMRO DPMNE, Nikola Guevski, maj 2014. Foto arkive: MIA.



Shumë shqiptarë të Maqedonisë thonë se ndihen shumë të fyer nga vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos i dhënë një mandat liderit të opozitës, Zoran Zaev – pavarësisht shumicës së tij parlamentare – dhe prej deklaratave anti-shqiptare të presidentit.

Megjithatë, shumica e tyre pranojnë se nuk janë të habitur nga veprimet e tij sepse ai është i njohur si një partizan i ngushtë i partisë në pushtet VMRO DPMNE.

«Argumentimi i tij për të mos i ofruar [socialdemokratëve] mandatin ndez urrejtje ndëretnike dhe më bën të ndihem i pasigurt. Ai duhet ta rishikojë vendimin e tij sepse kështu po e çon vendin në humnerë», tha për BIRN Visar Sadiki, ekonomist.

«Ivanov … po inkurajon konflikt ndëretnik dhe një ndjesi pasigurie. Me këtë hap ai po i jep fund karrierës së tij në një mënyrë skandaloze», tha Fatmir Sulejmani, avokat.

«Kur kemi parasysh se çfarë presidenti kemi, nuk habitem nga deklaratat e tij sepse kështu e sheh ai diplomacinë dhe politikën. Por ndihem keq që në një rast konflikti, njerëz të pafajshëm do të vuajnë», tha Jetmir Abazi, bojaxhi.

Presidenti Ivanov të mërkurën refuzoi t’i jepte Zoran Zaevit, liderit të social demokratëve në opozitë një mandat. Partia e tij fitoi 49 nga 120 vende në parlament dhe kërkoi të formojë një qeveri në aleancë me partitë etnike shqiptare.

Ivanov tha se dakordësia e Zaev me «platformën shqiptare» të partive mund të «shkatërronte» Maqedoninë.

Platforma përfshin kërkesa për zgjerim të shqipes zyrtare në institucione shtetërore dhe më shumë të drejta për shqiptarët në përgjithësi.

Ekspertët dhe vëzhguesit shqiptarë në Maqedoni e kanë dënuar lëvizjen e Ivanov si turp.

Disa druhen se retorika anti-shqiptare e Ivanov mund të nxisë tensione etnike që do të arrijnë në konflikt.

«Në këtë fazë, Maqedonia ka hyrë në një aventurë dhe nuk është e qartë se si do të rezultojë», tha për BIRN analisti Alajdin Demiri.

«Por mendoj se tensionet etnike do të rriten dhe protestat do të përshkallëzohen, jo vetëm nga ana e VMRO DPMNE por edhe nga Social Demokratët dhe Shqiptarët dhe kjo situatë mund të dalë nga kontrolli», shtoi Demiri.

Ai gjithashtu tha se dukej se vendimi i Ivanov ishte planifikuar në selinë e VMRO DPMNE, duke provuar edhe një herë se ai ishte partizan i kësaj partie dhe jo kryetar shteti i pavarur.

«Ky vendim po e shtyn Maqedoninë në kaos politik për të arritur planin e VMRO DPMNE për zgjedhje të parakohshme», tha Demiri.

Partia e Nikola Gruevskit fitoi 51 vende në parlament, por nuk ia doli të formojë qeverinë pas dështimit për të arritur një marrëveshje me partnerin e vjetër në koalicion, Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI.

Lideri i BDI, Ali Ahmeti, ka thënë se platforma shqiptare nuk e dëmton karakterin unitar të vendin, dhe se nuk parashikon federalizim apo përçarje.

Ziadin Sela, kreu i një tjetër partie shqiptare, Lëvizja për Reformat, Partia Demokratike e Shqiptarëve, e quajti vendimin e Ivanov një përpjekje për të mundësuar shmangien e përgjegjësive kriminale të disave, duke iu referuar Gurevskit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të VMRO DPMNE.

«Po ndjekim situatën me kujdes, por vendimi i Ivanov nuk do të na ndryshojë rrugën», tha Sela për BIRN.

«Platforma shqiptare duhet të jetë realitet në Maqedoni. Baza e kësaj platforme reflekton angazhimin e vendeve të BE-së për diversitetin kulturor dhe gjuhësor», shtoi Sela.

«Ne nuk do të lejojmë shqiptarët të trajtohen si skllevër», vazhdoi ai, duke e quajtur platformën mënyrën e duhur për të siguruar një të ardhme më të mirë për shqiptarët në Maqedoni.

Një tjetër parti shqiptare, lëvizja BESA, gjithashtu parashikoi se vendimi i presidentit do të ketë pasoja të këqija në vend dhe se do të thellonte krizën.

«Ky vendim vë në rrezik sigurinë e vendit», tha Afrim Gashi, nga BESA.

«Faktorët ndërkombëtarë që janë garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit dhe Marrëveshjes së Përzhinos duhet të ndërhyjnë dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës», shtoi Gashi.

(https://www.reporter.al/shqiptaret-e-maqedonise-ndihen-te-fyer-nga-vendimi-i-presidentit-ivanov/)