Shqiptarët e Maqedonisë Antike




Nga Shpëtim POLLOZHANI*

Ne shqiptarët e Maqedonisë Antike (FYROM), kemi energji pozitive të pamatshme. Kemi qindra itelektualë, mendimtarë dhe veprimtarë, të cilët janë duke e dhënë kontribut në shërbim të çështjes sonë. Problem të madh e kemi shndërrimin e asaj Energjie pozitive në Masë kritike.

Një postulat i Platonit, i cili nuk vlen për shtetet demokratike, thotë: Një nga dënimet që i marrim duke refuzuar të merremi me politikë, është fakti që, në fund na udhëheqin njerëz që janë inferiorë kundrejt nesh.

Shqiptarët e Maqedonisë Antike, pas vitit 1991, çdo një vjet e gjysmë kanë dalë në zgjedhje – parlamentare, presidenciale ose lokale. Vitet e 90-ta nuk filluan keq. Puna mori të praptën me përçarjen e partisë më të madhe shqiptare. Ajo dështoi të pastronte krahun politik, i cili anonte nga politika antishqiptare e ish kryetarit Kiro Gligorov. Konkurrenca që lindi ndër shqiptarë e institucionalizoi vjedhjen e votave, kërcënimet, shantazhet dhe dhunën gjatë zgjedhjeve. Lindja e Partisë Demokratike Shqiptare e forcoi krahun e Gligorovit në Partinë për Prosperitet Demokratik, i cili kishte për detyrë ta shuajë ate.

Pas konfliktit të vitit 2001 u krijua një parti edhe më e shpifur: Bashkimi Demokratik për Integrim. Kjo parti u krijua nga ish luftarë dhe nga mbeturinat e dy partive të tjera. Nuk shkoi shumë kohë dhe në këtë ngelën vetëm disa zëra të fortë, të cilët nuk munden ta ndyshojnë degradimin e partisë.

Nënshtrimi i Bashkimit Demokratik për Integrim kundrejt shefit të shërbimeve sekrete të vendit është evident. Këtë e dinë edhe zogjtë e fushës. Kjo parti statusin e shqiptarëve e solli nën nivelin e kushtetutës së vitit 1974, duke mos na quajtur komb, por «njëzetpërqindsh». Flamuri i ynë duhet të jetë për një të tretën më i vogël se flamuri i shpifur i dërzhavës.

Partia Demokratike Shqiptare si parti ,«opozitare», nuk ka organizuar as edhe një protestë. Ku ka në botë që, një opozitë të mos organizojë as edhe një protestë për 15 vjet me rradhë?! Kjo parti, e cila është shndrruar në nëndegë e Bashkimit Demokratik për Integrim, jo vetëm që nuk organizon asnjë protestë, por bashkë me këtë të fundit, i pengojnë protestat që i organizojmë ne si Shoqatë e të Burgosurve Politikë Shqiptarë dhe organizata të tjera. Ku ka në botë që opozita të bashkohet me pushtetin kundër një kandidati të opozitës në zgjedhje?! Dy partite shqiptare tok me atë maqedonase në pushtet në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare u bashkuan për ta mundur Rilindjen Demokratike Kombëtare. Këto dy parti janë pengesa kryesore që unioni i studentëve të Universitetit të Tetovës dhe ai i Evropës Juglindore janë në hibernacion të thellë.

Këto dy parti e shkatërruan sistemin e vlerave, duke u kujdesur që në politikë të depërtojnë antivlerat, me disa përjashtime të individëve të fortë brenda partive, të cilët nuk munden ta ndryshojnë gjendjen. Po na ndodh si ajo puna e malit me sëpatën. E kishte pyetur mali sopatën, përse po më pret. Ajo i ishte përgjegjur: sikur të mos e kisha bishtin që ma ke dhënë ti, unë do të isha vetëm se një copë hekur i pavlerë.

E keqja më e madhe është se këto antivlera kanë përkrahje nga sozitë, binakët, e tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Këto lukuni çakejsh kanë përkrahje edhe nga mediat e të dy vendeve. Ne turpërohemi kur i shohim politikanët «tanë» sa të ulët dhe joprofesional janë në komunikim. Pothuajse të gjithë ministrat shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë nuk janë në profesionin e vetë. Të pesë ministritë që i «udhëheqin» shqiptarët nuk kanë më shumë se gjashtë për qind të buxhetit të dërzhavës. Vetëm një gjë është e sigurtë: politikanët ,«tanë», me ndonjë përjashtim, rrogën e parë e kanë marë si:drejtorë, shefa sektorësh, deputetë, ministra, ose zëvendëskryeministra. Asnjëri nuk është futur në politikë pasi të ketë arritur ndonjë sukses në biznes, shkencë……

Inferioriteti, niveli i ulët profesional dhe antivlerat që i bartin në vete, na kanë sjellë në këtë gjendje poshtëruese. Në rast se do të kishim përfaqsues të denjë në institucione, ne do të mund t’ia fusim të dyja këmbët në një çizme Gruevskit, stërnipit të një hyzmeqari që ka shërbyer në çiflikun e një beu shqiptar në afërsi të Selanikut, i cili po na sundon dhe poshtëron me ndihmën e politikanëve shqiptarë.

Gruevski nuk është aspak fajtor për gjendjen tonë. Ai është një kopje e keqe e diktatorëve të këqinj, të cilit i ka hyrë vetja në qejf që – si i thonë fjalës – mori në kurriz e hunda në lis. Ai e mban shtetin me kapitalin më të lezetshëm – remitancat që i sjellin vëllezërit tanë nga kurbeti: një miliardë e gjysmë euro.

Në këto momente, ne nuk na duhet as të digjemi dhe as të vritemi. Ne duhet ti hedhim nga qafa antivlerat tona që nga gjysmëopinga u bënë «agallarë». Vetëm një bllokadë e rrugëve që nga Struga deri në Tabanoc e hedh Grujon në agoni. Vetëm atëherë ,«miqtë» tanë do të ngarendin t’na pyesim se çfarë kërkojmë. Këto qeveri do të na sundojnë derisa të jenë në gjum studentët dhe rinia. Sapo të zgjohen këta, Grujos, Aliut dhe lukunive të tyre nuk do t’u ngelë gjë, përveç ishujve Faroe, Beliz, Qipro, Kajman, Xhibuti dhe ndonjë vend tjetër ku ata i kanë deponuar milionët e sakrificës së dëshmorëve dhe veprimtarëve.

LItari këputet kur hollohet ,kurse zullumi këputet kur të trashet. Kjo klasë politike e ka mbushur zullumin. Po u shtrëngohet laku rreth fytit. Ata i kanë votat, por nuk kanë as legalitet dhe as legjitimitet, pasi. Sipas përgjimeve që po i shpall opozita maqedonase duket sheshazi se edhe numrin e deputetëve shqiptarë e ka planifikuar shefi i shërbimeve sekrete. Kjo klasë politike shqiptare duhet të largohet nga skena politike se po na shet për dhjam qeni.

Më parti politike nuk rëzohet kjo klasë e dështuar politike. Atë e rrëzon vetëm një lëvizje. Derisa shqiptarët nuk e gjejnë rrugën e vërtetë, nuk duhej të dalin në zgjedhje, pasi, pas çdo zgjedhje atyre u shtohet pasha e zgjedhës.

«Shpresa është ëndërr e të zgjuarve», thotë nxënësi I Platonit – Aristoteli.

*Autori është kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik në Maqedoni

Qëndrimet e shfaqura në tekst nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë