Shqiptarët e Malit të Zi fitojnë ndarjen administrative të Tuzit nga Podgorica

Qeveria e Malit të Zi do t’i japë një zone të populluar kryesisht nga shqiptarët statusin e shumëkërkuar të bashkisë, përkundrejt lëshimeve të tjera pasi politikanët shqiptarë në vend ndihmuan partinë në pushtet të krijojë një koalicion qeverisës.

Imazhi: Wikipedia/Tuzi.me

Nën një marrëveshje me partinë e ish-kryeministrit Milo Djukanoviç për të siguruar një shumicë në parlament për të formuar një qeveri të re, koalicioni i shqiptarëve etnikë në vend ia ka dalë me sukses të sigurojë disa miratime politike për kërkesa që janë bërë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe për të cilat autoritetet kishin mbyllur gjithnjë një sy.

Shqiptarët etnikë do të marrin gjithashtu statusin e bashkisë së pavarur për qytetin e vogël Tuz pranë kryeqytetit Podgoricë, të cilën e kanë kërkuar për shumë kohë dhe që i është premtuar nga koalicioni qeverisës por që nuk u vu kurrë në zbatim.

Qeveria e re i ka thënë partive të shqiptarëve etnikë se do t’i japë statusin e bashkisë për Tuzin jo më vonë se maji i vitit të ardhshëm.

Sipas marrëveshjes, një impiant kripe i falimentuar në qytetin me shumicë shqiptare Ulqin, të cilin qeveria kishte parashikuar ta përdorte për ndërtimin e një resorti me pesë yje, do të fillojë të hapet sërish dhe do të bëhet një zonë e mbrojtur ku do të ndalohet ndërtimi.

Shqiptarët etnikë gjithashtu do të marrin deputetë në parlament nën një ligj të ri elektoral që do të përgatitet për vitin e ardhshëm dhe që do të lejojë përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare në publik sipas dëshirës së tyre.

Marrëveshja u nënshkrua nga Djukanoviç, si lider i partisë qeverisëse të Social Demokratëve dhe një koalicioni të tre partive shqiptare përpara votimit parlamentar për miratimin e kabinetit të ri të hënën.

Partia e Djukanoviç fitoi 36 vende në parlamentin me 81 deputetë në zgjedhjet e 16 tetorit dhe iu desh të formonte një koalicion me partitë minoritare të boshnjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve për të siguruar shumicë.

Nik Gjeloshaj, një zyrtar i lartë shqiptar me Alternativën Shqiptare, një nga partitë që nënshkroi marrëveshjen, i tha BIRN se ata “morën çdo garanci të mundshme” se kërkesat do t’i përmbushen.

I pyetur nëse ka besim që Djukanoviç dhe partia e tij do t’i qëndrojnë fjalës për statusin e bashkisë për Tuzin dhe për rihapjen e kripores, Gjeloshaj tha se premtimet e mëparshme ishin bërë në tubime elektorale por tani «është në letër».

Gjeloshaj tha se deputetët e koalicionit shqiptar, bashkë me kolegët e maxhorancës, do të kërkojnë ndryshime për ligjin e qeverisjes vendore në fillim të sesioneve parlamentare në pranverë që do t’i japë më 31 maj 2017 Tuzit statusin e bashkisë.

Ai tha se ndryshimet e ligjit elektoral në vend do t’i japin gjithashtu deputetë në parlament shqiptarëve.

«Përdorimi i lirshëm i simboleve kombëtare shqiptare pa penalitete u kërkua dhe u miratua», shtoi ai.

Ai tha se partia e Djukanoviç premtoi se më shumë shqiptarë do të punësohen në administratën publike.

Zona e Tuzit e njohur si Malësia, shtrihet nga kufiri me Shqipërinë dhe përbën më shumë se 17 për qind të territorit të Podgoricës. Historikisht ka qenë një  bashki e pavarur, por e humbi statusin në 1957.

Kërkesa që Tuzi të bëhej sërish një bashki ka qenë një nga çështjet kryesore të shqiptarëve që përbëjnë rreth pesë për qind të popullatës së Malit të Zi.

Djukanoviç premtoi se një referendum vendor këshillues mbi statusin e Tuzid do të mbahet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2012, por kjo nuk ndodhi kurrë.

(http://www.reporter.al/shqiptaret-e-malit-te-zi-fitojne-ndarjen-administrative-te-tuzit-nga-podgorica/)