Shqiptarët e Luginës s’lëkunden, nesër bëjnë Asociacionin




Në mungesë të këshilltarëve shqiptarë nga Medvegja, 68 Këshilltarët Shqiptarë të Luginës së Preshevës, nesër në orën 11 pritet ta mbajnë seancën e Kuvendit, ku edhe pritet të miratohet krijimi i Asociacionit të Komunave Shqiptare të Luginës së Preshevës, raporton KTV.

 

Liderët shqiptarë të Luginës, janë të vendosur se duhet të ketë reciprocitet sa i përket krijimit të Asociacionit. Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka deklaruar se kjo nismë ka ardhur pas nënshkrimit të marrëveshjes së dy qeverive në Bruksel për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Mustafa ka shtuar se Asociacioni i Komunave Shqiptare do të jetë i njëjtë me atë të Komunave serbe të Republikës së Kosovës, duke u bazuar gjithnjë në parimin e reciprocitetit.

Mbështetje Mustafës i ka dhënë edhe kryetar i i Bujanocit, Nagip Arifi. Për një vendim të tillë, liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, thonë se kanë mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria.

Derisa nuk u bën përshtypje kërcënimi i Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, që liderët shqiptarë të mos marrin veprime që janë në kundërshtim me shtetin serb.

Për Asociacionin, që nuk e ka edhe përkrahjen e të gjithë opozitës, qytetarët hezitojnë të flasin. Ata thonë se është herët të flitet se çfarë mund të presin nga Asociacioni.

Ndërkaq, pas formimit të Asociacionit, Kuvendi do ta emërojë grupin punues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shqiptarë në Luginë të Preshevës, raporton KTV. Ky Asociacion do të jetë funksional gjer në jetësimin e referendumit të 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992.