Shqiptarë e serbë sërish protestuan kundër hidrocentralit në Biti të Shtërpcës

Shtërpcë, 2 tetor – Rreth 100 banorë të Bitisë së Poshtme, shqiptarë e serbë, kanë protestuar sërish bashkë të enjten duke kundërshtuar me çdo kusht ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Lepenc.




Ata kanë bllokuar rrugën kryesore për rreth 8 minuta dhe janë shpërndarë të qetë, kurse për dallim nga e mërkura, kur kishte edhe të arrestuar, të enjten protesta ka përfunduar qetë dhe pa arrestime.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë se protesta ka kaluar pa eksese.

«Kanë protestuar 100 veta para Komunës dhe kanë bllokuar edhe rrugën për 8 minuta, e pastaj protesta ka përfunduar e qetë në momentin kur janë shpërndarë njerëzit dhe nuk ka pasur nevojë për asnjë intervenim policor», ka thënë ai.

Mirëpo protestuesit që mblidhen çdo ditë deklarojnë se tashmë kanë nisur të injorohen në përgjithësi nga autoritetet komunale të Shtërpcës. Banorët edhe pse në protestë, ende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje me zyrtarët, pavarësisht se në të kaluarën kishin pasur takime të ndërsjella.

Përfaqësuesi i Bitisë, Avdi Tahiri, ka thënë të enjten se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje për hidrocentralin, derisa kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, dhe vartësit e tij injorojnë protestat dhe problemet që janë shfaqur për bitiasit.

«Protestat do të vazhdojnë çdo ditë. Të enjten jemi mbledhur 100 veta dhe tashmë kanë nisur që edhe banorë të fshatrave përreth të na bashkohen dhe të na përkrahin. Jemi të vendosur dhe po bëhemi gjithnjë e më të fortë në kundërshtim, kurse komunarët po na injorojnë, nuk po duan të flasin me ne», ka thënë ai.

Ndër serbët e Bitisë që përkrahin protestat dhe merr pjesë në to është edhe Drago Sinadinoviq. Ai ka insistuar se do të jenë në këmbë këta banorë në vazhdimësi, sepse po rrezikohet jeta e tyre me këtë projekt të hidrocentralit.

«Jemi ngritur shqiptarë e serbë, sepse jeta po na rrezikohet. Në këtë pjesë tonën shumica e njerëzve jetojnë nga bujqësia. Ndaj po rrezikohemi edhe në aspektin ekologjik, sepse kur ata të marrin ujin dhe mbetet kanalizimi pyesim çfarë sëmundjesh do të na kërcënojnë. Kjo nuk është e mirë, ky është veprim që dëmton banorët», ka thënë ai.

Por protestuesit në vazhdimësi kanë vendosur t’u mbesin besnikë edhe disa qytetarë serbë nga vetë qendra e Shtërpcës.
Radojko Keciq ka thënë se do të jetë në krah banorësh, pasi që, sipas tij, në momentet kur njerëzit po luftojnë për mbijetesë po del në pah korrupsioni nëpërmjet projekteve të tilla.

«E ky korrupsion vjen nga njerëzit që marrin vendime të rënda për njerëzit, e nga ana tjetër ngasin xhipa të shtrenjtë, ndërtojnë vila e shtëpi të mëdha. Ata nuk bëjnë asgjë për njerëzit e thjeshtë. Unë do të solidarizohem në vazhdimësi me shqiptarë dhe serbë», ka thënë ai.

KD-ja ka provuar gjatë ditës disa herë të vinte kontakt me kryetarin e Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Ai nuk e ka hapur telefonin e nuk i është përgjigjur as sms-së. Ndërsa nënkryetari i komuniteteve në këtë komunë, Beqir Fejzullahu, ka thënë një ditë më herët se Komuna e Shtërpcës e ka të vështirë të mos e respektojë një vendim që është marrë në kuvend. Ai ka ftuar banorët për qetësi dhe zgjidhje të problemeve në mënyrë demokratike.