Shqiponja fluturon më 1 gusht – disa reflektime mbi Ditën Kombëtare të Zvicrës

17 shkurti? 28 nëntori? Janë festa të rëndësishme (edhe) për 200 mijë shqiptarët e Zvicrës. Por, me kalimin e viteve 1 gushti do të bëhet festë më e rëndësishme. Sepse gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve do ta përjetojnë Zvicrën si atdheun e tyre të parë.




1.
Në «Bundesbrief», kështu quhet dokumenti themeltar i Zvicrës, thuhet: «Ka ndodhur në vitin e hyjit 1291 në fillim të muajit gusht». Në atë vit të largët u hodhën themelet e Zvicrës. Përfaqësues të tri kantoneve të Zvicrës qendrore u mblodhën në një livadh, në Rütliwiese, dhe pothuaj sipas traditës shqiptare i dhanë besën njëri-tjetrin për të themeluar një aleancë të përbashkët. Në gjermanisht Zvicra quhet edhe «Eidgenossenschaft», që i bie Besëlidhje. Në shqip më mirë do të tingëllonte Besëlidhja Zvicerane se sa Konfederata Zvicerane, siç e quajmë duke u mbështetur në versionin frëngjisht dhe italisht.

2.
1 gushti është Dita Kombëtare e Zvicrës. Në dokumentin themeltar nuk konkretizohet data, andaj banorët e Bernës, kryeneç siç janë, vendosën më 1 gusht 1891 të festojnë 700-vjetorin e qytetit të tyre dhe 600-vjetorin e Zvicrës. Më 1899 për herë të parë mbarë Zvicra e festoi 1 gushtin si Ditë Kombëtare. Është traditë që më 1 gusht në Zvicër të shkrepen fishekzjarre. 80 për qind e fishekzjarreve që shiten në Zvicër gjatë tërë vitit shkrepen më 1 gusht dhe lënë pas 300 tonelata pluhur.

3.
Sivjet, në prag të Ditës Kombëtare, në komentet e mediave zvicerane dhe në intervista me intelektualë të shquar përmendet edhe gjesti me shqiponjë i futbollistëve shqiptarë të ekipit kombëtar të Zvicrës. Politikanët konservatorë e kanë kritikuar gjestin, të majtit dhe liberalët e kanë mbrojtur ose kanë deklaruar se ishte vetëm një reagim çasti i lojtarëve pas provokimeve të fansave serbë gjatë ndeshjes mes Zvicrës dhe Serbisë në Kaliningrad. A janë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri tamam zviceranë? Me pasaportë po. Nuk ka asnjë dilemë. A mund të identifikohet secili zviceran me ta si me një bashkëkombës të rëndomtë? Jo. Të dy futbollistët me opinionin shqiptar komunikojnë vetë ose nëpërmjet familjeve të tyre, me opinionin zviceran, ndërkaq, përmes këshilltarëve apo avokatëve. Që në gjokset e tyre kanë dy zemra – një shqiptare dhe një zvicerane (për aq sa mund të flitet për nacionalitetin e zemrave) – nuk mund të mohohet. Dhe kjo nuk është problematike, së paku për aq kohë sa nuk ndizen debate emocionale mbi lojalitetin e tyre ndaj Zvicrës. Futbollistët kanë të drejtë edhe të mos këndojnë himnin e Zvicrës, siç ka të drejtë çdo zviceran të refuzojë të shërbejë në ushtri. Por, përtej arsyetimit formal, është pamje paska e çuditshme kur intonohet himni i Zvicrës dhe shumica e lojtarëve i përngjajnë një muri. Siç dihet: muri nuk flet. Nga lojtarët e kombëtares pritet të jenë më shumë se futbollistë. Prej tyre pritet të jenë edhe ambasadorë me rroba sportive. Debati i egër rreth Mesut Özilit në Gjermani duhet t’u shërbejë lojtarëve shqiptarë për të nxjerrë mësime. Ata nuk duhet të fshehin origjinën e tyre, nuk duhet as të heqin dorë nga bërja e shqiponjës, por duhet të kenë kujdes që të mos shndërrohen në protagonistë politikë të ngatërresave ballkanike. Sidomos opinioni i dalldisur në Kosovë i sheh futbollistët shqiptarë të Zvicrës si ushtarë të Skënderbeut kur luajnë kundër Serbisë. Në këtë kurth futbollistët shqiptarë nuk duhet të bien. Ata kanë vendosur vullnetarisht të luajnë për Zvicrën, kanë përfituar nga infrastruktura e këtij vendi dhe duhet të respektojnë rregullat. Nuk mund të luash për Zvicrën dhe t’i drejtohesh opinionit publik shqiptar me letra përvajtuese se në të vërtetë ke dashur të luash përherë për Kosovën ose Shqipërinë, se familjen e ke me traditë patriotike e kështu me radhë. Këto janë përralla që nuk i ha pazari, por turmat populliste i hanë si sapunin për djathë.

4.
Kush është zviceran? Shkrimtari i madh zviceran Gottfried Keller (1819-1890) në shënimet e tij «Mendime të përziera për Zvicrën» shkruante se Mbret i vendit (i Zvicrës) është liria – «tjetër nuk kemi». Në lidhje me të qenmit zviceran Keller mendonte: «Nëse një i huaj e do rendin shtetëror zviceran, nëse ndihet më i lumtur se në një shtet monarkik, nëse me gëzim përqafon doket dhe zakonet tona dhe nëse madje merr shtetësinë, atëherë ai është zviceran po aq i mirë sa ai, etërit e të cilit kanë luftuar në Betejën e Sempachut». (Në Betejën e Sempachut zviceranët mposhtën më 1386 Perandorinë e Habsburgëve). Gazeta «NZZ am Sonntag» në lidhje me këtë shkruan: «Deklarimi i Kellerit në favor të hapjes dëshmon për largpamësinë e tij: sot gati 40 për qind e banorëve të këtij vendi kanë origjinë të huaj, numri i të huajve është 25 për qind. Me shkollat publike, me mundësinë e nxënies së profesionit dhe me tregun fleksibël të punës Zvicra jep një kontribut të madh integrues. Shoqëritë paralele, të cilat janë përhapur në disa paralagje të metropoleve europiane, këtu janë të panjohura». Ndoshta nuk do të ishte keq që këto fakte t’i kishin parasysh edhe shumë shqiptarë, përfshirë edhe Xhakën dhe Shaqirin.

5.
Është një traditë e mirë zvicerane që më 1 gusht të mbahen fjalime. Në aktivitete festive komunale flasin jo vetëm kryetarë komunash. Dita Kombëtare është një rast i mirë për t’u prononcuar edhe intelektualët. Në vitin 2009 në Rütliwiese, në livadhin mitik të Zvicrës, fjalimin qendror e kishte mbajtur Peter von Matt, profesor i letërsisë me prestigj ndërkombëtar, një mendje brilante. Në prag të festës së këtij viti, në prag të 1 gushtit 2018, Peter von Matt zgjodhi gazetën bulevardeske «Sonntagsblick» për t’i dhënë një intervistë. Kanë folur tashmë shumë njerëz – politikanë, gazetarë, twitterianë, fecebookianë – lidhur me gjestin me shqiponjë të Xhakës e Shaqirit. Por, përherë është me rëndësi të dëgjohet e lexohet se çfarë ka për të thënë Peter von Matt, njëri prej intelektualëve më të rëndësishëm të Zvicrës. «E kam parë ndeshjen kundër Serbisë», tha Peter von Matt – «ishte madhështore si luajtën futboll. Pastaj lojtarët bënë këtë gjestin me shqiponjë. Fakti se komentuesi zviceran, i cili përndryshe nuk është më interesanti, foli vetëm për këtë, m’i acaroi nervat pafund. Unë as që e kam vërejtur këtë gjest, aq më bënte për të. Jam i bindur: sikur lojtarët të ishin lavdëruar për lojën e tyre ashtu siç duhet të lavdërohen, atëherë do të kishin vrullin e duhur për ta mposhtur Suedinë në të tetën e finales. Këtë debat (për shqiponjën) unë e konsideroj si shpirtvogël, bash ashtu zvicerano-moralist».
Funksionarët, vazhdon Peter von Matt, është dashur që pas ndeshjes të flasin me lojtarët dhe t’u thonë: mos e bëni këtë më, por ju jeni tmerrësisht të mirë! «Përndryshe unë nuk e kuptoj përse ky gjest na qenkësh krim. Granit Xhaka e ka origjinën atje, pra ai atje ka edhe një këmbë emocionale. Kështu është. Këto janë struktura biologjike dhe orientime. Në vend të kësaj Federata e Futbollit ndezi një debat për shtetësinë e dyfishtë».

6.
Edhe më e rëndësishme është ajo çfarë Peter von Matt ka për të thënë për marrëdhëniet e Zvicrës me Bashkimin Europian. Zvicra refuzon të jetë anëtare e BE-së. Partia më e madhe politike SVP qëmoti ushqen elektoratin me retorikë antieuropiane, me deklarata cinike e populliste. Këtu Peter von Matt e sheh problemin e madh të Zvicrës – «…kjo arrogancë e çuditshme ndaj Bashkimit Europian, e cila në Zvicër është e përhapur gjerësisht. Ky gëzim shpotitës për të gjitha problemet e reja me të cilat përballet Brukseli është politikisht budallallëk dhe pa stil në aspektin njerëzor. Por, në vendin tonë tashmë 30 vjet zhvillohet propagandë politike kundër BE-së, për shkaqe krejtësisht taktike-partiake. Ajo përshkruhet si armike e Zvicrës, por BE nuk e ka ndërmend të na gllabërojë as neve, as Norvegjinë!»
Jo pak zviceranë mendojnë se vendi i tyre thjeshtë është më i miri për shkak se qeveriset mirë. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por Zvicra ka pasur shumë, shumë fat gjatë historisë. Peter von Matt shprehet: «BE nuk është shtet, por një shoqatë e shteteve autonome. Kjo shoqatë ka interesat e veta dhe angazhohet për realizimin e tyre. Të gjithë anëtarët janë anëtarësuar vullnetarisht. Ta njollosësh BE-në si agresive, është iracionale dhe tepër e rrezikshme, sepse kjo pengon zgjidhjen e problemeve serioze. Më i rrezikshmi është përfytyrimi se Zvicrës nuk mund t’i ndodhë asgjë. Ne kemi pasur shumë fat. Amerika pas luftës e ka ngjallur ekonomikisht Europën. Kështu vendet e Europës perëndimore dalëngadalë hynë në një fazë lulëzimi ekonomik… (…) Por, zviceranët mendojnë se është vetëm meritë e tyre që ne i kemi punët kaq mirë. Asnjë shtet në 200 vitet e fundit nuk ka pasur aq shumë fat sa Zvicra. Nëse gjermanët në fillim të Luftës së Parë Botërore do të kishin marshuar nëpër Zvicër dhe jo nëpër Belgjikë në drejtim të Francës, Baseli e Zürichu do të ishin bombarduar, siç ka ndodhur atëherë me Leuven dhe me Reims, të cilat u bombarduan nga gjermanët».

7.
Përse është kështu? Zvicra, thotë profesori von Matt, nuk ka kulturë të fqinjësisë. «Ky është mentaliteti i vjetër i katundarisë, mosbesimi ndaj çdo gjëje të huaj. Në Zvicër kjo ende ekziston biologjikisht». Dhe prapë: Zvicra është ndër vendet me standardin më të lartë të jetës në botë. Me rroga të larta, në shikim të parë, por edhe me një filxhan kafe që kushton 5 franga (rreth 5 euro). Me banesa tri-dhomëshe për të cilat duhet paguar qira deri në 2000 franga. Dhe prapë: shqiptarët më të lumtur me gjasë jetojnë në Zvicër.

8.
17 shkurti? 28 nëntori? Janë festa të rëndësishme edhe për 200 mijë shqiptarët e Zvicrës. Por, me kalimin e viteve 1 gushti do të bëhet festë më e rëndësishme. Sepse gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve do ta përjetojnë Zvicrën si atdheun e tyre të parë. Si hap i parë në këtë drejtim është mirë të lexohet – së paku – ajo çfarë thotë Peter von Matt për Zvicrën. Atdheun e 200 mijë shqiptarëve. Prej tyre me gjasë nja 100 mijë tashmë me shtetësi zvicerane.