Shqipërinë po e rrënon «gangrena» e korrupsionit

Drejtësia shqiptare është rrënuar prej korrupsionit, dhe Bashkimi Europian e ka bërë të qartë prerazi se Shqipëria nuk mund t’i bashkohet bllokut prej 28 shtetesh anëtare pa marrë masa për pastrimin e saj. Avokati i popullit, Igli Totozani, i beson «vetëm bashkësisë ndërkombëtare», duke e përshkruar vendin e tij si paradoks – një sistem demokratik pa kulturë demokratike, thuhet në analizën e AFP-së.

Foto: Shutterstock

Lushe Qogles i janë kërkuar pesë mijë euro ryshfet për të nxjerrë një dokument që dëshmon se e ka shitur kafenenë e saj para njëzetë vitesh: një mijë euro për avokatin, katër mijë të tjera për gjykatësit.

«Korrupsion! Me K të madhe!», ka deklaruar Qogle, 56 vjeçe, duke shprehur zëshëm zemërimin që e ndjen shumëkush në shtetin ballkanik me 2,7 milionë banorë.

Por e përballur me faturën prej njëzetë mijë eurosh për mospagimin e faturave mujore për vite me radhë, asaj i duhet dokumenti si dëshmi se nuk ka lidhje me kafenenë e shitur para dy dekadash.

Drejtësia shqiptare është rrënuar prej korrupsionit dhe Bashkimi Europian e ka bërë të qartë prerazi se Shqipëria nuk mund t’i bashkohet bllokut prej 28 shtetesh anëtare pa marrë masa për pastrimin e saj.

Sipas anketimeve, 90 për qind e shqiptarëve janë të dëshpëruar, saqë edhe Brukseli ka shtruar me ngulm kërkesat për reforma.

Por mosmarrëveshjet ndërmjet shumicës në pushtet dhe opozitës kanë vënë në dyshim nëse ligji do të aprovohet prej parlamenti para se të përfundojë seanca e parashikuar për të enjten. Partitë politike janë takuar të hënën në Tiranë në prani të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian në përpjekje për të dalë prej rrugës pa krye.

Avokati Artan Haxhia i ka thënë AFP-së se kolegët e tij «nganjëherë shërbejnë si ndërmjetës» për pazarllëqet derisa dëgjojnë proceset gjyqësore.

«Këtu seancat gjyqësore drejtohen si të ishin ankande, është pazar hesapi», ka thënë Haxhia.

Ka konteste të shpeshta pronësore në vendin agrar që vuan prej ruajtjes së dokumenteve. Shkatërrohen shtëpi pa kurrfarë procesi, shkurorëzimet nuk ruhen si duhet dhe krimi i organizuar është i shkallës së lartë: nuk ka fushë ku nuk ka korrupsion.

«Korrupsioni është endemik», ka deklaruar avokati i popullit, Igli Totozani. «Është gangrena e Shqipërisë».

Dhe politikanët pothuajse nuk pajtohen për asgjë.

Shqiptarët «nuk i besojnë drejtësisë, nuk u besojnë politikanëve të tyre», ka deklaruar kreu i opozitës së qendrës së djathtë, Lulzim Basha.

Për kryeministrin socialist të vendit, Edi Rama, sistemi i drejtësisë është «turpi i këtij vendi».

Sipas një raporti ekspertësh publikuar në webfaqen e Kuvendit të Shqipërisë, shumë shqiptarë besojnë se disa prej gjykatësve «paguajnë prej dhjetë mijë deri në treqind mijë euro për pozita më të mira në zona urbane», ku mund të fitojnë më shumë para prej ryshfetit.

Një tjetër perceptim i zakonshëm është se një i burgosur mund të bëjë pazar për të dalë prej qelisë në arrest shtëpiak për «gjashtëdhjetë mijë deri në tetëdhjetë mijë euro».

Fahri Islamaj, kryetar i gjykatës kryesore të Tiranës, duke pranuar se ka korrupsion në drejtësi, thote¨se «perceptimi në këtë shkallë është më i madh se është në realitet».

«Nuk duhet të kursehen gjykatësit e korruptuar», ka thënë Islamaj, duke shtuar se vetëm «katër ose pesë» prej shtatëqind gjykatësve e prokurorëve të vendit janë larguar nga puna për shkak të korrupsionit.

Kryeprokurori i shtetit ka kërkuar në fillim të muajit pesë vjet burg për një prokuror nga qyteza jugore e Sarandës, pasi ishte raportuar se kishte kërkuar tetëdhjetë mijë euro prej një ndërmjetësim në një kontest pronësor për të nxjerr vendim në favor të tij.

Në raportin e fundit vjetor për Shqipërinë, Parlamenti Europian ka theksuar fort «ndërhyrjen politike» dhe «nivelin e lartë të korrupsionit».

Reforma në drejtësi e negociuar me ndihmën evropiane është bllokuar meqë opozita kundërshton që të huajt të përfshihen në një taskë-forcë për ekzaminimin e kandidatëve për gjykatës.

Kryeministri Rama gjithashtu ka kundërshtuar përfshirjen e partive politike, përfshirë opozitën, në këtë trupë.

Ai mbështetet në këtë pikë prej Knut Fleckensteinit, raportues për Shqipëri i Parlamentit Europian, që është munduar ta çojë përpara dialogun ndërmjet partive politike që nga viti 2014.

«Derisa të gjithë gjykatësit do të jenë të varur në një formë a tjetër prej disa politikanëve, nuk do të ndalet korrupsioni», ka deklaruar ai.

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, ka paralajmëruar muajin e kaluar se «korrupsioni në drejtësi jo vetëm që ua lejon gjykatësve dhe politikanëve të mbushin xhepat me para nga korrupsioni, por edhe po shkatërron jetën e njerëzve të rëndomtë dhe të ndershëm».

Shefi i Komisionit për Punë të Bashkimit Europian i Bundestagut, Günther Krichbaum, ka kërcënuar në fund të qershorit se Shqipërisë mund t’i revokohet statusi i kandidates së BE-së, dhënë më 2014.

Kërcënimi ka nxitur reagime të shumta.

Avokati i popullit, Totozani, ka deklaruar se i beson «vetëm bashkësisë ndërkombëtare», duke e përshkruar vendin e tij si paradoks – një sistem demokratik pa kulturë demokratike.