BBC: Shqipëria, vendi i njohur për tolerancën

Papa Françesku ka lavdëruar këtë vend të vogël ballkanik për tolerancën e dukshme fetare, duke theksuar se ky duhet të shërbente si shembull për botën, shkruan BBC.

Pamje nga Berati. Foto: Shutterstock

Megjithëse ishte hera e parë që po e takoja Hasib Buban, tashmë disa herë kisha dëgjuar zërin e tij që po jehonte nëpër rrugët dhe rrugicat e Beratit, qytet i vogël në Shqipërinë jugqendrore.

Me flokë të zeza, një mjekër të mirëmbajtur dhe me fytyrën e gjatë, lideri 25-vjeçar fetar shpjegonte se si myezin, një prej detyrave të tij është thirrja e ezanit, thirrja islamike për namaz që bëhet prej minares. Pesë herë në ditë e këndon ezanin.

Ai ka pamjen e një myslimani të përkushtuar, por u habita kur mora vesh se nuk ka qenë gjithnjë i tillë.

«Në fakt jam rritur si i krishterë», shpjegon Buba, «dhe për vite me radhë e kisha ndjekur atë rrugë. Kur u rrita pak, hyra në debat me një prej miqve të mi, që ishte mysliman. Debati zgjati për muaj me radhë dhe me qëllim që të përgatitesha më mirë për diskutimet tona, nisa të lexoja për islamin; mësova gjithçka për të».

«Në fund, e fitova debatin, por procesi më nxiti drejt shtruarjes së pyetjeve për bindjet e mia. Përgjigjet që më kishte ofruar islami kishin më shumë kuptim për mua, kështu që u konvertova», thekson ai.

Megjithëse vendimi për konvertim mund të duket i papritur për shumëkënd, realiteti është se Shqipëria njihet ngaherë si vend me harmoni dhe tolerancë fetare.

Fetë dominuese janë islami dhe krishterimi, me myslimanët që përbëjnë gjysmën e popullsisë. Prapëseprapë, vendi vazhdon të ketë unitet pavarësisht dallimeve fetare. Xhamitë dhe kishat shpeshherë janë në të njëjtën rrugë, dhe martesat ndërfetare pranohen gjerësisht brenda kësaj kulture. Berati është një vend që ia vlen të theksohet në këtë drejtim, siç e paraqet edhe Muzeu Onfuri me Ikonën Burimi Jetëdhënës. Kjo vepër shqiptare arti e shekullit të tetëmbëdhjetë përshkruan një skenë të krishterë me minare që çojnë krye në sfond dhe konsiderohet si simbol i harmonisë së famshme fetare.

Në vizitën e vitit 2014, Papa Françesku, kreu i Kishës Katolike, lavdëroi këtë shtet ballkanik për tolerancën e tij të theksuar fetare, duke theksuar se vendi shërben si shembull për botën. Gjatë fjalimit të tij në Tiranë, Papa Françesku lavdëroi «bashkëjetesën paqësore» të feve në vend, duke shtuar se «ky është rast i veçantë në këto kohë ku fryma shpirtërore autentike është devijuar prej grupeve ekstremiste, dhe ku dallimet fetare po shtrembërohen».

Është interesante të mësohet si popullsia shqiptare mbetet e bashkuar, e pyeta Buban duke dashur ta nxisja të fliste për këtë temë.

«Shqipëria gjithnjë ka pasur njëfarë pranimi të të tjerëve. Nëse i hidhni një sy historisë së vendit, e merrni vesh se kishte harmoni në secilin shekull. Madje edhe gjatë Perandorisë Osmane. Shumë njerëz ia atribuojnë këtë komunizmit, por nuk e besoj këtë. Nëse e shihni historinë e mëparshme, ky pretendim nuk ka kuptim».

Buba i referohet periudhës ndërmjet viteve 1945 dhe 1992 kur Shqipëria ishte nën sundimin e ashpër të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Gjatë kohës së këtij regjimi, Shqipëria u shndërrua në shtet të izoluar pothuajse pa marrëdhënie me asnjë shtet të botës. Më 1967, Hoxha ia shtrëngoi lakun vendit edhe më shumë duke ndaluar krejt religjionin, duke e shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist. Gjatë kësaj kohe, kishat dhe xhamitë ishin zënë prej ushtrisë dhe ose ishin shkatërruar ose ishin shndërruar në kinema ose salla vallëzimi. Anëtarëve të klerit u ishin hequr titujt, ishin poshtëruar dhe në disa raste ishin vrarë.

Shumëkush spekulon se rrëzimi zyrtar i religjioni të organizuar rezultoi me mendësinë shekullare, dhe se vendi i është shmangur ndonjë tensioni fetar, sepse bindja fetare nuk është element i rëndësishëm për jetën për shumëkënd tani. Buba përgjërohet që qasja të ndryshojë. Megjithatë e mohon këtë duke e konsideruar si cinike.

Që ta demonstrojmë ekzistencën e harmonisë fetare në Shqipëri, ai përmendi shembullin e fundit të Malbardhit, fshat i vogël në Shqipërinë veriore. Para disa vitesh, rajoni i vogël rroku vëmendjen anembanë vendit kur popullsia lokale mblodhi fonde dhe rindërtoi kishën e vetme të fshatit, që ishte shkatërruar me themel me shumë të tjera gjatë kohës së sundimit të Hoxhës.

Malbardhi nuk është zona e vetme që ka sjellë lajme të tilla. Leskoviku, fshat afër kufirit grek, është i njohur për faltoren e tij të përbashkët që ishte ndërtuar prej rrënojave të xhamisë së shkatërruar gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Rrënojat nuk u prekën gjatë komunizmit, por tani faltorja, që ndodhet afër një minare të dikurshme, frekuentohet edhe prej myslimanëve, edhe prej të krishterëve për falje.

Këto rrëfime janë të zakonshme sot. Me frikën që po rritet për shkak të grupeve ekstremiste, duket se ndasitë fetare vetëm po thellohen edhe më shumë.

«Dëgjoj gjithë këtë muhabetin e njerëzve që duan të ndërtojnë mure dhe t’ua ndalojnë besimtarëve të bindjeve të ndryshme fetare që të hyjnë në vende të caktuara», ka theksuar Buba. «Kjo vetëm se do t’i fryjë flakëve të urrejtjes dhe keqkuptimit. Arsyeja pse ekziston harmonia në Shqipëri është se ne merremi njëri me tjetrin. Ne debatojmë, ne diskutojmë dhe ne edukojmë veten për çfarë na rrethon».

Gjatë dy viteve të mia të kaluara në këtë vend, kam parë me sytë e mi çfarë Buba ka folur prej përvojës së tij. Ka një numër ngjarjesh të myslimanëve e të krishterëve në të cilat besimtarët e dy feve marrin pjesë. Dita e Ujit të Bekuar ta zëmë është ditë feste e krishterë që festohet prej pjesëmarrësve që zhyten në ujë në kërkim të kryqit, por që është e hapur për të gjithë dhe ka pasur shumë myslimanë gjatë viteve të kaluara që kanë fituar. Ngjashëm, Buba shpjegoi se nuk është e pazakonshme që të krishterët të festojnë ditën e Bajramit pas përfundimit të agjërimit të Ramazanit. Me përfshirjen në festa të njëri-tjetrit dhe me qëllime përnjëmend dashamirëse, myslimanët dhe të krishterët shqiptarë kanë krijuar një komunitet të fuqishëm të vendosur mbi themelet e mirëkuptimit dhe respektit.

Është e zorshme të thuhet nëse bota do të marrë Bubën dhe shembullin e Shqipërisë si model, por ka diçka që duhet të thuhet për shtetin e vogël ballkanik në të cilin fëmijët rriten duke dëgjuar ezanin e hoxhës dhe jehonën e kambanës së kishës që depërtojnë nëpërmjet dritares. Për ta, bashkëjetesa dhe harmonia janë shndërruar në frymë të natyrshme.