Shqipëria – një filigran i fshehur i Europës

Ditari i Sarandës (4)

Shqipëria nga deti: detaj nga Porto Palermo. Foto: E.R.

Plazhet dhe qytetet e Mesdheut tashmë janë të njohura për të gjithë europianët. Dikush ka qenë në Itali, tjetri në Spanjë, ndokush në Greqi. Fshehtësia e fundit e Mesdheut ka mbetur Shqipëria. Një vend që ne s’mund ta marrin me mend sa ka qenë i izoluar, një vend ku shqiptarët u shtypën egërsisht nga diktatura, një vend me njerëz të zhveshur dinjiteti, të shpërfytyruar, të uritur dhe të etur – për çdo gjë normale që ofron kjo botë.

Qe një çerek shekulli Shqipëria përpëlitet duke jetuar me lajme të këqija: nga njëra anë polarizimi ekstrem politik mes të ashtuquajturve demokratë dhe të ashtuquajturve socialistë, nga ana tjetër krimi e korrupsioni, që ilustrohen me fusha të mbjella me mariuanë, me vrasje makabre, me dhunë familjare dhe larje hesapesh mes krerëve të mafies. Shqiptarët janë lodhur me këtë situatë, me këtë qorrsokak. Shqiptarët, së paku ata që janë normalë (dhe të tillë janë shumica), duan të përmirësojnë imazhin e vendit të tyre. Këtë imazh mund ta përmirësojë turizmi.

Këtë po e theksojnë sidomos mediumet gjermane. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ARD, kanali i parë i televizionit gjerman, solli një reportazh mahnitës për alpet shqiptare, lumenjtë, natyrën në përgjithësi. «Malet përbëjnë gati gjysmën e territorit të vendit. Lumenj të panumërt përshkojnë atë në drejtimin lindoro-perëndimor. Të gjithë lumenjtë derdhen në Adriatik dhe i japin bregdetit prej 362 kilometrave një fytyrë të pashembullt. Vendi mes detit dhe maleve ka një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme bimësh, shpezësh dhe shtazësh».

Të shtunën ARD i solli publikut gjerman një reportazh tjetër nga Shqipëria. Turizmi, nënvizonte televizioni gjerman, i ofron Shqipërisë një perspektivë premtuese, sepse është vendi i vetëm që ka natyrë të mrekullueshme, por ende të paprekur nga turizmi. Arsye për këtë është izolimi shumëvjeçar nga diktatori komunist Enver Hoxha, i cili e mbuloi vendin me bunkerë, ku shqiptarët do të mbronin parajsën komuniste kundër Amerikës së urryer, Bashkimit Sovjetik që tradhtoi idealet komuniste dhe Kinës që u afrua me amerikanët, atëherë kur Shqipëria besonte se Revolucioni Kulturor Kinez ishte e arritura më e madhe prej se qenë takuar Adami me Evën.

Sipas ARD-së kapitulli më i vlefshëm i Shqipërisë është natyra – «asnjë vend në Mesdhe nuk ka aq shumë potencial të pazbuluar; plazhe përrallore pa njerëz fare, rajone kodrinore të thepisura dhe impozante, lugina lumore të natyrshme, treva të gjera liqenore».

Kjo është ana pozitive. Ana negative, sipas ARD-së, është sjellja e pakujdesshme e shqiptarëve ndaj ambientit. Atë që e potenconte ARD me ton diplomatik dhe e quante sjellje e pakujdesshme ndaj ambientit në të vërtetë është krim, që shqiptarët për çdo ditë i bëjnë vendit të tyre. Bërllok (plehra!) kudo, ujëra të zeza që derdhen në liqene dhe në dete (për ata që nuk e dinë: Shqipëria ka dy dete, Jonin dhe Adriatikun), ndërtime skandaloze, infrastruktura e mangët.

Por shpresë ka, sipas televizionit gjerman. Disa shqiptarë që kanë mësuar se si fitohet leku në kapitalizëm (Itali, Greqi, Gjermani) janë kthyer në vendin e tyre. Dhe po përpiqen t’ia përmirësojnë imazhin vendit të tyre me shërbime të mira. Shqipëria është një filigran, i fundit dhe më i fshehuri i Europës. Por ky vend vuan nga një tragjedi: ka politikanë të papërgjegjshëm që turizmin nuk e shohin si prioritet ekonomik kombëtar, por vetëm si poligon për të shpërblyer militantët partiakë apo oligarkët, të cilët pastaj sigurojnë ca vota për demosocialistokratët. Kundër këtij mentaliteti duhet të protestojnë shqiptarët. Në fakt, kjo ishte edhe porosia subtile e kronikës së televizionit gjerman. Të mbrosh vendin nga shkatërrimi domethënë të  mos u japësh votën shkatërruesve.

Ambicia pothuajse e sëmurë e spekulantëve shqiptarë të ndërtimtarisë e ka nxjerrë, për shembull, Sarandën nga binarët e zhvillimit normal. Në pyetjen e gazetarit gjerman mbi ndërtimet e tmerrshme, i ngarkuari i Sarandës për turizmin, Aristotel Bita, para se të përgjigjet, lëshon një psherëtimë të gjatë: «Po, ka probleme, as që mund të diskutohet për këtë. Dikur Saranda kishte 12 mijë banorë, ndërsa sot këtu jetojnë mbi 55 mijë njerëz».

Bita ka një lajm të mirë për cilësinë e ujit: ai thotë se është ndërtuar një impiant që përpunon ujërat e zeza në brendi të vendit. Tani për tani për këtë lajm duhet të gëzohen shqiptarët nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria që përbëjnë shumicën e turistëve në Sarandë. Por pamjet në portin e Sarandës tregojnë se gjithnjë e më shumë turistë nga vendet skandinave vijnë në këtë qytet në jug të Shqipërisë për të bërë shëtitje njëditore apo për të kaluar disa ditë.