Shqipëria në drejtim të duhur në luftën kundër korrupsionit

Kryeministri Edi Rama po zbaton me sukses zotimet për adresimin e kulturës së korrupsionit dhe po përmirëson imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, shkruan e përditshmja britanike «Guardian».




Korrupsioni ka kohë të gjatë që në Shqipëri ka qenë pjesë e përditshmërisë. Njerëzit rrëfejnë se kur i dërgojnë të afërmit në spital duhet t’i japin para mjekut që të ketë trajtim më të mirë, ose që të shkojnë në zyrën e regjistrimit të pronës, ku u kërkohet të paguajnë «taksë» ekstra që gjërat të kryhen më shpejt.

Kjo kulturë e ryshfetit jo vetëm që e ka frenuar shoqërinë që të ketë shërbime të mira, por e ka dëmtuar edhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Zyra Kundër Drogës dhe Krimeve e Kombeve të Bashkuara (UNDOC) ka bërë të ditur në një studim të vitit 2011 se qytetarët shqiptarë e kanë radhitur korrupsionin si problemin e dytë më të rëndësishëm pas papunësisë në vend.

Prej daljes prej diktaturës së gjatë të Enver Hoxhës, që e shndërroi Shqipërinë në një prej shteteve më të izoluara të botës, shteti nga Ballkani me 2,8 milionë banorë ka hasur në telashe me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kur e mori kryesimin e qeverisë më 2013, Edi Rama, kryetar i dikurshëm energjik i Tiranës, që ngjyrosi ndërtesat e hirta të komunizmit, e shpalli prioritet luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë.

Reformat e koalicionit qeveritar të së majtës së qendrës janë fokusuar në përmirësimin e sistemeve administrative, fuqizim të ligjit dhe lehtësim të metodave për raportimin e korrupsionit për qytetarët.

Qeveria lansoi në shkurt një portal për raportimin e korrupsionit, që qytetarët të mund të njoftonin pa u identifikuar për praktikat e paskrupullta. Uebfaqja mbulon 12 fusha kryesore, përfshirë policinë, shëndetësinë dhe doganat.

Të dhënat tregojnë se prej atëherë janë raportuar 6’800 raste. Shumë prej këtyre ankesave janë për shërbime të këqija, por 777 raste lidhen drejtpërdrejtë me akuzat për korrupsion, me 35 raporte që i referohen prokurorisë. Rama ngulmon se reputacioni i keq ndërkombëtar i Shqipërisë më shumë është bazuar në paragjykime të ekzagjeruara sesa në realitet, por e pranon se luftimi i korrupsionit është kyç për ndryshimin e perceptimeve. «Për të përmirësuar imazhin e vendit së pari duhet të ndryshoni edhe vetë vendin», është shprehur ai. «Unë besoj se korrupsioni bëhet alternativë kur qeveria nuk është e zonja për t’iu shërbyer qytetarëve të saj në mënyrë transparente dhe efikase. Kështu që ne duhet të modernizojmë, dhe modernizimi vjen me reforma».

Një tjetër program antikorrupsion përfshin dërgimin e mesazheve telefonike qytetarëve për t’i pyetur nëse janë detyruar të japin ryshfet kur janë trajtuar në spitale publike. Skema, drejtuar prej Ministrisë së Çështjeve Lokale dhe mbështetur prej Bankës Botërore, ishte lansuar në mars dhe ka përfshirë më shumë se 33 mijë persona, rreth 20 për qind të të cilëve kanë kthyer përgjigje.

«Mjekët gjithnjë vonohen dhe korrupsioni vazhdon si gjithnjë. Nëse nuk jep para, askush nuk kujdeset për ty», ka shkruar një person. Një tjetër, i cili kishte shkuar për vizitë në spitalin e Durrësit, ka pasur një përgjigje më pozitive. «Kam qenë edhe më parë në spital, por kësaj here shihej ndryshimi. Askush nuk më kërkoi ryshfet».

Banka Botërore më herët kishte mbështetur një program të ngjashëm në Pakistan. «Besimi i ulët në qeveri çon jo vetëm drejt mjeteve informale të marrjes së shërbimeve dhe më pak gatishmëri për të paguar taksat, por gjithashtu edhe në drejtim të më pak burimeve për qeverinë për të ofruar shërbime publike, për pasojë duke kompletuar rrethin vicioz të mosbesimit dhe korrupsionit», kanë shkruar në një blog Jana Kunicova dhe Zubair Bhatti, ekspertë të sektorit publikë në Bankën Botërore. «Duke marrë në mënyrë proaktive përgjigje prej qytetarëve dhe duke i përdorur për përmirësim të veprimeve të menaxhimit, mund të thyhet ky rreth vicioz».

UNDOC-i ka bërë të ditur në studimin e vitit 2011 se mesatarisht 28.3 për qind e shqiptarëve të moshës ndërmjet 18 dhe 64 vjeç i ishin ekspozuar në mënyrë direkte a indirekte përvojës së ryshfetit me një zyrtar publik në vitin paraprak. Por theksonte se rreth 30 për qind e ryshfetit ishte ofruar prej vetë qytetarëve.

Shqipëria, e cila radhitet në vendin e 110-të prej 175 shteteve në indeksin e perceptimit të korrupsionit të vitit 2014 të «Transparency International», i bashkohet një liste të vendeve të tjera që përdorin internetin për luftimi e korrupsionit, ose nëpërmjet «emërtimit dhe turpërimit», ose duke i bërë publike aferat e korrupsionit dhe ryshfetit.

Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNDP) po mbështet nismën e Shqipërisë kundër korrupsionit. Shteti, që ishte vlerësuar me shkallën e nëntë në programin për qeverisje të mirë, tani po zbaton indikatorin e qeverisjes së qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, që do të formësojë prioritete zhvillimore deri më 2030.

Projekti, zbatuar ndërmjet qershorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar, u fokusua në identifikimin e indikatorëve relevantë të Shqipërisë. Faza e dytë, që mbaron në shtator, do të zbatojë sisteme për të përmbledhur indikatorët.

UNDP-ja njofton se Shqipëria e ka të qartë se reformat për qeverisje të mirë janë themelore nëse vendi dëshiron të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shumë shqiptarë janë optimistë se kandidatura e vitit të kaluar si shtet kandidat për anëtarësim sinjalizon një fillim të ri për ish-shtetin komunist.

«Indikatorët e qeverisjes janë shumë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE-së dhe fuqizimin e sundimit të ligjit», ka deklaruar koordinatorja rezidente e OKB-së, Zineb Touimi-Benjelloun. «Kontrollimi i korrupsionit dhe zbatimi i qeverisjes së mirë vazhdojnë të mbesin sfidë këtu, por duke qenë vend pilot në zbatimin e projektit, është dëshmuar se shërben si katalizator për qeverinë për të zbatuar sisteme të duhura dhe për përmirësuar delegim të shërbimeve».

Pas fazës së pilotimit, rreth 20 indikatorë ishin propozuar dhe grupuar në tri fusha shënjestruese: përmirësimi i qeverisjes për të përmbushur standardet e BE-së deri më 2030; shërbime më të mira, me fokusim në ujë, energji elektrike dhe tokë; dhe përmirësim të performancës ekonomike, duke përdorur si masë investimin e drejtpërdrejtë të huaj.

Rama beson se qeveria e tij po shkon në drejtimin e duhur. «Shqipëria vuajti shumë vite me radhë prej mungesës së reformave dhe politikave të këqija», ka thënë ai. «Ne kemi dëshmuar se mund të bëjmë ndryshime pozitive. Afërmendsh se nuk i kemi zgjedhur ende të gjitha problemet. Në secilin muaj kemi diçka të rëndësishme që ndodh, dhe më pak se dy vite pas marrjes së qeverisjes, përfundimisht kemi arritur aty ku kam shpresuar se do të arrijmë».