Shqipëria mbi katakombe

Ne këtu në Zvicër i njohim futbollistët me origjinë shqiptare: Gjerdan Shaqirin dhe Valon Behramin, të cilët luajnë për kombëtaren e Zvicrës. Por kush di gjë për poezinë shqiptare? Revista letrare «Orte» prezanton shtatë poete dhe poetë nga Shqipëria. Fjalë rasti e mbajtur në promovimin e revistës në Bernë të premten që shkoi, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë.

Foto: Shutterstock



Në skenën e politikës botërore ne po përjetojmë zhvillime të marra, të çuditshme dhe groteske. Prodhues të lajmeve të rrejshme dhe kam-qejf-me-qenë-mendimtarë na e shpjegojnë të tashmen, të ardhmen – dhe të kaluarën po se po. E tëra e paketuar mirë e mirë në një lajm të shkurtër në Twitter. Një botë e rrudhur në 140 shkronja. Andaj ishte një befasi e këndshme kur lexova në shtypin zviceran se pas pensionimit kolegu im i çmuar nga «Neue Zürcher Zeitung», Cyrill Stieger, është arratisur në botën e poezisë, madje të poezisë shqiptare.

Ne këtu në Zvicër i njohim futbollistët me origjinë shqiptare: Gjerdan Shaqirin dhe Valon Behramin, të cilët luajnë për kombëtaren e Zvicrës. Por kush di gjë për poezinë shqiptare? Gjuha e përditshme në stadium, mbi barin e blertë, dhe në katakombe është e ashpër, shpesh e mangët. Si shikues ne gëzohemi kur takohen vepra dhe mendja – në futboll dhe në poezi.

Si lexues (dhe nganjëherë edhe si përkthyes i poezisë) gëzohem për këtë numër të revistës letrare zvicerane «Orte», ku prezantohen poete dhe poetë nga Shqipëria. Përzgjedhja e bërë nga redaksia e revistës është e veçantë: këtu mungojnë – do të thosha fatmirësisht – princërit e etabluar dhe të dyshimtë të poezisë shqiptare, të cilët në diktaturën komuniste synonin ta mësonin popullin si përpunohet çeliku. Në këtë numër të revistës «Orte» fjala u jepet atyre poetëve që në diktaturën komuniste u hodhën në burg apo u censuruan – krahas autoreve dhe autorëve të rinj, të cilët eksperimentojnë me gjuhën, të cilët marrin guxim të ringjallin të lashtën – për shembull si poetja Ledia Dushi, e cila shkruan në gegërisht, në dialektin e veriut të Shqipërisë dhe të Kosovës, i cili pas standardizimit të gjuhës shqipe në fillim të viteve ’70 faktikisht u ndalua – ashtu siç qe ndaluar më parë (më 1967) edhe feja.

Në poezitë e Visar Zhitit dhe Luljeta Lleshanakut përshkruhet herë me ngurrim, herë me guxim epoka e errët e shtypjes. Atëherë një akt rezistence ishte edhe ankesa se në dyqanin e lagjes mungonin artikuj ushqimorë. Autorë të tjerë si Manjola Brahaj apo Arian Leka e marrin lexuesin me vete në një botë gjysmëmitike, ku shiu i zi ngjitet në xhamat e dritares dhe qyteti i Durrësit nuk na shfaqet vetëm si vend arratisjeje nga Shqipëria, por edhe si vend i përmallimit, i dëshirimit, si vend ku shihen rreze shprese.

Nganjëherë poetët shqiptarë janë kritikuar se letërsia e tyre është hermetike, e mbyllur, e kurthuar në legjenda. Kjo mund të jetë e saktë. Shpesh autorët ishin të shtyrë të kalonin nëpër shumë kthesa gjuhësore për të shmangut censurën. Ajo kohë ka ikur, për fat të mirë. Në këtë udhëtim zbulues letrar flasin poete dhe poetë të një vendi të çliruar, të lirë. Por puna me lirinë është paksa e ndërlikuar. Shqipëria sot ka liri me tepri. Si vëzhgues i jashtëm shpeshherë kam përshtypjen se në këtë vend shumë njerëz nuk sillen me përgjegjësi ndaj lirisë së fituar me aq shumë mundim. Një shembull për këtë është polarizimi ekstrem mes blloqeve politike. Por kjo është temë tjetër. Fatmirësisht ka poetë dhe poete. Dhe ka përkthyes, të cilët janë meritorë për sjelljen në mesin tonë të kësaj bote mes Bjeshkëve të Nemuna dhe Adriatikut. Këto poezi janë shoqëruese dhe ura jo vetëm ndaj Shqipërisë së sotme.