Shqipëria kundër Francës: «Të mbijetojmë në 20 minutat e para, pastaj…»

Mavraj, Xhaka, Cana, Behrami: Futbollistët shqiptarë flasin ekskluzivisht për dialogplus për përshtypjet e tyre të deritanishme nga Kampionati Europian i Futbollit.

Foto: Shutterstock

Edvin Murati: Të mbijetojmë në 20 minutat e para

Edvin Murati, ish-futbollisti i Kombëtares dhe lojtari i disa skuadrave franceze, flet për sfidën e së mërkurës me trekolorët. Murati vazhdon të jetojë në Paris edhe pas përfundimit të karrierës. Ai ka qenë për shumë vite pjesë e Kombëtares shqiptare, ndërsa në karrierë ishte pjesë e «Paris Saint Germain» dhe skuadrës tjetër franceze, Lille. «Vetë pjesëmarrja jonë në Euro2016 është sukses, sepse më herët as që shpresonim», thotë ai. Murati ka shikuar edhe takimin e parë në Lens, ku kuqezinjtë pësuan humbje minimale nga zviceranët. «Në lojën e parë e pësuam nga një gabim teknik. Pastaj, loja ishte e mirë dhe mund të kishim shënuar nëpërmjet Gashit e Sadikut. Zvicra dalloi me eksperiencë». Për takimin e së mërkurës me Francën në kuadër të Euro2016, ai beson se ekipi duhet të mbijetojë në fillim të ndeshjes. «Kundër Francës duhet të qëndrojmë në 20 minutat e parë të lojës. Pastaj loja zhvillohet më lehtë», tha ai.

«Me ekipe të mëdha kemi luajtur gjithmonë mirë, besoj se takimi me Francën do të jetë një ndeshje e bukur mbi të gjitha», tha Murati.

Mërgim Mavraj: Duhet të shënojmë gola dhe të fitojmë

Mbrojtësi Mërgim Mavraj vlerëson se skuadra nuk pati fat në takimin e parë në Euro2016, por ai shpreson të shënojë më shmë gola në takimet e radhës. Mavraj ka qenë i pagabueshëm në takimin e parë të Kombëtares shqiptare të futbollit kundër Zvicrës. Në debutimin e tyre kuqezinjtë janë mposhtur nga Zvicra me rezultatin minimal (1:0) dhe me një lojtar më pak pas largimit të Lorik Canës me karton të kuq në minutën e ‘36 të ndeshjes. Mavraj ka qenë ndër lojtarët e parë kuqezi që kanë folur pas lojës. «Nuk kishim fat, kemi menaxhuar mirë lojën edhe me një lojtar më pak, duke e kontrolluar topin. Ne rastet tona nuk i shfrytëzuam,  kështu që Zvicra nga një gabim i yni fitoi, kemi ardhur për të fituar dhe për të bërë gola». Për takimet e tjera ai ka një mesazh për të gjithë. «Asnjë lojë nuk është e njëjtë. Duhet të shijojmë çdo minutë në këtë turnir, të heqim presionin që na bëhet. Duhet të shënojmë gola më shumë dhe të fitojmë».

Xherdan Shaqiri: Shpresoj se Zhegra ishte me mua

Mesfushori i Kombëtares zvicerane e pranon se ai dhe bashkëlojtarët e tij shqiptarë kanë pasur një presion tejet të madh para ndeshjes me Shqipërinë. Xherdan Shaqiri pas ndeshjes me Shqipërinë dukej me humor, madje një gazetar nga Shqipëria e pyeti pse ishte aq nervoz në lojë, për cfarë ky ia preu shkurt: «Kush? Unë nervoz? Jo aspak. Isha si në çdo ndeshje tjetër». Mesfushori i talentuar e pranon se presioni ka qenë shumë i madh për të dhe bashkëlojtarët e tij shqiptarë të Zvicrës. «Kemi pasur shumë stres deri në këtë lojë, por në fushë besoj se cdo gjë ishte si duhet». Sa i përket takimin, Shaqiri beson se goli i hershëm ishte vendimtari. «Mendoj se goli që e shënuam herët ishte pika kthyese e lojës, sepse me atë e fituam ndeshjen dhe ai ishte vendintar për pikët e para. Ishte një ndeshje shumë e vështirë edhe në aspektin sportiv». Shaqiri ka thënë se shperson se vendlindja e tij, Zhegra, të ketë qenë me të në natën kur u zhvillua ndeshja mes Zvicrës dhe Shqipërisë. «Shakanë anash: vërtet ju them se Shqipëria, jo vetëm këta futbollistë, por i gjithë populli shqiptar e ka merituar kualifikimin, të cilin edhe e arriti».

Taulant Xhaka: Ishim pa eksperiencë

Taulant Xhaka beson se ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë qenë të paeksperiencë në ndeshje e parë kundër Zvicrës dhe kjo iu ka kushtuar që ata të humbin në takimin debutues të Euro2016. «Mendoj se ishim të paeksperiencë dhe kjo na kushtoi, ndonëse them që në pjesën e dytë kemi treguar lojë të mirë, që më jep shpresë se ndaj Francës do të bëjmë paraqitje të mirë». Ai shtoi se «goli i hershëm që e pësuam krijoi një situatë tejet të vështirë. Në kampionate të tilla nuk guxon të pësosh gol në këso mënyre». Ai ka preferuar Kombëtaren e Shqipërisë para Zvicrës, ndërsa ka qenë fjalëpakë: «Unë jam tek Shqipëria. Jam i lumtur dhe nuk dua të flas shumë për Zvicrën».  Mesfushori i Baselit beson se ekipi kuqezi duhet të guxojë më shumë në fushën e lojës. «Mendoj se duhet të guxojmë më shumë në fushë, por them se kemi dhënë maksimumin në fushë, duke mos harruar edhe goditjen që e morëm nga largimi i Canës, i cili është një lojtar me shumë eksperiencë në nivele të larta».

Lorik Cana: Më duhej të vendosja brenda gjysmë sekondi

Në minutën e 36-të të ndeshjes në një aksion të zviceranëve, Lorik Cana në rrëzim e sipër preku topin me dorë, duke marr kartonin e dytë të verdhë dhe të kuqin që la bashkëlojtarët e tij pa lider deri në fund të lojës që përfundoi me humbje minimale. Cana ka pranuar të flas detajisht për situatën e krijuar: «Isha duke e përcjellë sulmuesin kundërshtar, i cili në një moment më tërhoqi për fanelle dhe në rëzim e sipër, më duhet të vendosja brenda gjysmë sekondi: të ndërpres lojën apo të rrezikojë penalltinë». Sa i përket lojës, ai thotë se ishte mëkat ajo që i ndodhi Kombëtares. «Gjynah kjo që na ndodhi, besoj se ishim në një ditë të mirë dhe me përkrahje të tifozëve të mrekullueshëm. Jemi munduar të përgatisim ekipin sa më mirë për këtë lojë. Jemi futur në lojë me një tension në 15 minutat e parë, kur edhe pësuam një gol, që nuk është mënyra më e mirë për të filluar një Kampionat. Pastaj mendoj se ekipi mori pikë referimi në fushën e lojës. Mendoj se duhet të përmirësohemi dukshëm në lojë me Francën». Ai nuk harron të vlerësojë edhe pritjet e mira të portierit, Etrit Berisha gjatë lojës. «Etriti na mbajti në lojë me disa pritje të mira».

Valon Behrami: Na u hoq një barrë e madhe

I pakompromis në fushën e lojës sikur edhe nëpër skuadra ku luan, Valon Behrami ka arritur të shfaqet edhe në ndeshjen me Shqipërinë. Ai ka arritur të lë anash emocionet, të përjetojë edhe fyerjet e tifozëve dhe të mbyllet për një javë të tërë pa kontaktuar me askënd dhe kjo më së miri është vërejtur kur pas lojës është shfaqur më i gëzuar se rëndom. Babai i tij, Ragipi tregon se i biri nuk ka pranuar të flas me askënd për një javë. «Nuk dëshironte të fliste me askënd, mediumet kanë trilluar deklarata të tij. Ne i kemi kërkuar të flas dhe të shpreh bindjet e tij për takimin, por ai këtë e ka refuzuar, madje edhe me ne është shfaqur mjaft i tensionuar. Unë them se me këtë lojë fituan të gjithë shqiptarët, i kuptoj edhe fishkëllimat që i bënë Valonit e Shaqirit, por jam i gëzuar me paraqitjen e të gjithëve nga të dy anët, ndonëse mendoj se kartoni i kuq kundër Canës ishte i padrejtë nga referi». Pas ndeshjes Valoni sikur festoi më shumë se rëndom, por kjo, thotë ai, s’kishte të bënte me fitoren ndaj Shqipërisë. «Jo, aspak, nuk ka të bëjë me të… Unë festova për diçka tjetër. Mua dhe shokëve të mi na është hequr një barrë shumë e madhe, shumë e rëndë që e kemi bartuar me muaj të tërë, deri në këtë takim. Java e fundit sidomos ka qenë e vështirë. Nuk ishte e lehtë për ne të jemi cak të dy palëve dhe të mos kryejmë punën tonë si duhet». «Unë kur futem në fushën e lojës nuk di të luaj ndryshe, unë jam ky në lojë, jap përherë maksimumin dhe nuk luaj ndryshe pa marrë parasysh nëse është stërvitje apo lojë. Kjo është natyra e ime», tha Behrami. Ai ka fjalë shumë të mira për nivelin e Kombëtares shqiptare. «E kemi ditur se do të jetë lojë e vështirë, jo vetëm në aspektin emocional, por edhe sportiv, sepse Shqipëria ka lojtarë shumë të njohur dhe ekip kompakt, është kualifikuar me meritë, ndërsa bën lojë të mirë dhe e dinim se do ta kemi shumë vështirë. Edhe me një lojtar më pak, na vënë në shumë vështirësi, ne ishim edhe me fat». Në pjesën përfundimtare të lojës, Behrami u vërejt se u kthye në mbrojtje. «Ishte një zgjedhje bashkë me trajnerin, sepse Shqipëria po mbrohej mirë dhe dëshiroja të kthehem mbrapa. Kombëtares shqiptare i dëshiroj fat dhe mendoj se Franca dhe Rumania do të kenë shumë problem. Për mua nuk është befasi nëse Shqipëria merr rezultate pozitive në dy takimet e radhës», tha Behrami.