Shqipëria kërkon të mbledhë fonde për strehimin e arinjve pas skandalit të keqtrajtimit

Pas presionit ndërkombëtar për të përmirësuar kushtet e jetesës për arinjtë që mbahen të izoluar në mënyrë çnjerëzore, institucionet në vend po kërkojnë fonde për krijimin e një qendre pranë Tiranës.

Një ari mbahet në kushte të këqija në një restorant në Vaun e Dejës. korrik 2016 Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Shqipëria po bën përpjekje për të zhvendosur të paktën 50 arinj në kafazë nëpër të gjithë vendin në një qendër të re pranë kryeqytetit në Tiranë.

Lëvizja vjen pas një proteste ndërkombëtare mbi kushtet e mjerueshme të kafshëve, që mbahen në kafazë të vegjël ose në zinxhirë për të argëtuar njerëzit.

Simboli i kësaj beteje u bë së fundmi një ari i quajtur Tomi, i cili ka ndenjur prej dy vjetësh në një kafaz 40 kilometra nga Tirana dhe për të cilin u raportua në një lajm ekskluziv të Daily Mail të Britanisë në korrik.

Sipas gazetës britanike, pas lajmit «ambasada e vendit në Londër u bombardua me ankesa, nisi një peticion dhe historia u shpërnda në uebsajte të ndryshme për mirëqenien e kafshëve». Ariu më vonë u zhvendos në një qendër tjetër të kujdesit për kafshët.

Rasti i Tomit duket se ka shtuar përpjekjet nga zyrtarët për të gjetur habitate më të përshtatshme për arinjtë e izoluar.

Ana Kekezi nga Ministria e Mjedisit, i tha BIRN se procesi i dërgimit të arinjve në qendra të strehimit filloi në 2014 – por procesi kërkon kohë dhe para ngaqë arinjtë duhen transportuar kryesisht në vendet fqinje.

«Deri më tani, ne kemi dërguar katër arinj në qendra të specializuara – tre në Greqi në janar 2016 dhe një në Gjermani në maj 2016. Në prill të këtij viti ministri Koka nënshkroi një marrëveshje me Prishtinën për të dërguar pesë arinj në Strehën e Arinjve në në Prishtinë, që është një qendër e fondacionit ‹Katër Putra›. Ata do të dërgohen atje brenda tetorit, por ky proces kërkon shumë kohë dhe mbështetje, ndërsa dërgimi i tyre jashtë vendit është i shtrenjtë», tha ajo.

Një ligj i miratuar në tetor 2008 për mbrojtjen e jetës së egër ndalon të gjitha format e izolimit dhe mizorisë kundër kafshëve dhe shpendëve, megjithëse janë vërejtur mjaft probleme me zbatimin e tij.

Një nga pengesat më të mëdha në zhvendosjen e arinjve në streha ka qenë mungesa e një qendre të specialuzar në Shqipëri.

Në prill, ministria e mjedisit ka nënshkruar një marrëveshje me fondacionin Katër Putra për të ndërtuar një strehë për arinjtë në malin e Dajtit pranë Tiranës.

«Projekti për këtë qendër ka përpunuar në letër dhe tani po mbledhim para për të filluar ndërtimin e saj brenda 2017. Kjo qendër gjithashtu zgjidh problemin dhe krijon kushte të përshtatshme për t’i dhënë fund mizorisë ndaj këtyre kafshëve», tha Kekezi.

Ajo theksoi se kafshët e mbajtura për një kohë të gjatë në izolim humbin aftësinë për të mbijetuar në jetën e egër të pyjeve dhe maleve, ndaj për të zgjidhja më e mirë është qendra e specializuar në Tiranë.

Të martën, Tomi dhe dy arinj të tjerë u dërguan përkohësisht në kopshtin zoologjik të Tiranës, ku po presin të transferohen në shtëpinë e tyre të përhershme pranë Prishtinës.

(reporter.al: http://www.reporter.al/shqiperia-kerkon-te-mbledhe-fonde-per-strehimin-e-arinjve-pas-skandalit-te-keqtrajtimit/)