Shqipëria, investitore në rivitalizimin e «Kosovës A»

Ka ndryshuar vizioni i Qeverisë për energjetikën, shkruan sot Koha Ditore.




Ndërtimi i termocentralit të ri me kapacitet prej 450 megavatësh, rivitalizimi i termocentralit «Kosova B» dhe zgjatja e jetës së termocentralit «Kosova A» për 15 vjet të tjerë, janë prioritetet e Strategjisë së Energjisë, që pritet të miratohet gjatë këtij viti në Kuvendin e Kosovës.

Strategjia është shtyrë qe një kohë të gjatë, e detajet e saj janë bërë publike vetëm në konferencën e organizuar nga Korporata Energjetike e Kosovës me temën: «Qëndrueshmëria e industrisë së prodhimit të energjisë në Kosovë – Sfidat dhe mundësitë”. Vizionin fillimisht e ka përmendur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili është lidhur në konferencë nëpërmjet «Skype» nga Koreja Jugore.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik thotë se janë pajtuar me Qeverinë e Shqipërisë që të shikohen mundësitë e bashkëfinancimit në mes të dy ministrive, përkatësisht në mes të dy operatorëve të energjisë në dy shtetet të zgjatjes së jetës së termocentralit «Kosova A».