Shqipëria frikësohet nga “dronët” e joshqiptarëve




Edhe një muaj ka mbetur deri te ndeshja ndërmjet Shqipërisë e Serbisë që mund të vendosë për kualifikimin e kuqezinjve në “Euro 2016”, shkruan Koha Ditore.

 

Por fitimi i tri pikëve nuk është sfida e vetme për Shqipërinë, përkatësisht për Federatën Shqiptare të Futbollit. Organizimi i mirë i ndeshjes, pa ndonjë lëshim që do të mund t’i kushtonte kombëtares, vlerësohet të jetë po ashtu sfidë e madhe.

Pritet që ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, që luhet më 8 tetor në Elbasan, të jetë ndeshje e rrezikshmërisë së lartë, ashtu siç ishte edhe ndeshja e parë mes këtyre dy përfaqësueseve që nisi e nuk përfundoi më 14 tetor të vitit të kaluar në Beograd.

FSHF-ja ka një muaj që ka nisur përgatitjet për këtë takim, ndërsa përgatitjet janë intensifikuar pas zhvillimit të dy ndeshjeve eliminatore.

Shqipëria më 4 shtator barazoi pa gola me Danimarkën në udhëtim, ndërsa më 7 shtator, të hënën, humbi 1:0 nga Portugalia në Elbasan. Ndeshja me Serbinë dhe ajo në udhëtim me Armeninë (11 tetor) janë të fundit të kombëtares në eliminatoret për “Euro 2016”.