Shqipëria e vitit 1914: bajraktarët kacafyten nëse vendi duhet të ketë një princ mysliman apo një të krishterë

Gazeta austriake «Deutsches Volksblatt» e datës 9 janar 1914 shkruante gjerësisht mbi gjendjen në Shqipëri. Në një telegram të marrë nga një personalitet shqiptar nga Durrësi njoftohej mbi përpjekjet e xhonturqve për të vendosur një princ turk në fronin shqiptar, për rolin e Italisë dhe gazetës «Taraboshi» të Shkodrës – si dhe për vrasjen e majorit Naxhi Beu nga Isa Boletini në skelën e Vlorës.




«Nga një personalitet shqiptar, i cili i njeh jashtëzakonisht mirë rrethanat në Shqipëri, gazeta ‹Vossische Zeitung› ka marrë, ditën e djeshme, raportin vijues telegrafik nga Durrësi: Veprimtaria turbulluese e xhonturqve është vërejtur edhe vitin e kaluar. Gjatë bllokadës së bregdetit shqiptar nga ana e Greqisë në Shqipëri u shfaqën agjitatorë turq me mjete të mëdha financiare. Atëbotë kreu i agjitacionit ishte majori i njohur turk Naxhi Beu, i cili para pesë vitesh me Enver Beun kishte inskenuar një revoltë kundër Kushtetutës. Vetë Naxhi Beu ishte shqiptar. Siç dihet në prill të vitit të kaluar ai u vra në skelën e Vlorës nga Isa Boletini. Xhonturqit nuk hoqën dorë nga veprimtaria e tyre, madje ata dërguan grupe të tëra të agjitatorëve me mjete të mëdha financiare për të imponuar zgjedhjen e një princi turk në fronin e Shqipërisë. Agjitatorët më të njohur janë pasaniku i madh Zejnel Beu nga Peja, Mehmet Bej Berisha dhe Zija Pashë Mati. Ky i fundit, një kushëri i Esad Pashës, gjeneral turk dhe kryemjeshtër artilerie, është xhonturk fanatik. Ai erdhi në Durrës më 28 tetor dhe sa çel e mbyllë sytë arriti ta bind për planet e tij fisin e fuqishëm të Matit. Nga ky fis është i varur Esad Pasha. Në Shqipëri është fshehtësi publike se me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë së mesme Esad Pasha fillimisht u kishte premtuar muhamedanëve se do të kujdesej që Shqipëria të kishte një princ muhamedan. Me të vërtetë ai së shpejti edhe u angazhua në jetësimin e këtij premtimi. Ai thirri një kongres të bashkësisë myslimane në Shkodër, në të cilin rol prijës luajti kushëriri i tij Fuad Beu. Ky kongres e kishte për detyrë të marrë vendim për çështjen e princit, ndonëse ishte mbledhur me qëllim për të arritur një pajtim mes shumë qeverive, të cilat ekzistojnë në Shqipëri. Si pasojë e tij Shqipëria e mesme përmes propagandës për një princ mysliman ka marrë një karakter shumë më mysliman se në kohën e turqve.

Edhe nga ana e Italisë është mbështetur fuqishëm propaganda për një princ muhamedan. Për këtë ekzistojnë dëshmi të ndryshme, mes tyre edhe fakti se gazeta ‹Taraboshi›, që botohet në Shkodër në gjuhën shqipe dhe italiane, që subvencionohet nga Italia dhe kryeredaktori i së cilës vjen nga Italia perandorake, qe katër muaj agjiton për vendosjen e një muhamedani në fronin e princit. Përveç kësaj në Shqipëri vijnë mjete të shumta financiare nga Bari dhe Brindizi, të cilat shpërbejnë për qëllime agjitacioni. Me këtë propagandë me gjasë ndiqej qëllimi që Austria të detyrohet të heq dorë nga protektorati mbi katolikët shqiptarë. Në telegram thuhet më tutje se kandidaturën e një princi mysliman e kanë kundërshtuar ashpër të gjitha qytetet dhe fiset e Shqipërisë me përjashtim të Tiranës dhe Durrësit dhe qyteteve të tjera, në të cilat gëzon mbështetje Esad Pasha. Tri të katërtat e popullit shqiptar kërkojnë patjetër një princ të krishterë dhe që sot mund të thuhet me siguri se çështja e princit nuk do të paraqesë më vështirësi në Shqipëri, sepse shumica dërrmuese e popullsisë mban qëndrim shumë të mirë ndaj princit Wied dhe mezi pret ardhjen e tij».

Nga gjermanishtja: Enver ROBELLI