Shqipëria e dëshmon se zgjerimi i BE-së nuk shihet as në horizont

Hapja zyrtare e negociatave nuk nënkupton domosdo përfundim të shpejtë dhe të pashmangshëm. Por, BE-ja duhet t’i mbajë gjallë shpresat në mesin e shteteve kandidate nëse dëshiron ta rikthejë ndikimin e saj.

Bernard Kouchner.



Kur vjen puna te diskutimi që zhvillohet në Bruksel për ngecjen e zgjerimit të Bashkimit Europian – sherri i Brexitit, nacionalizmit në ngritje dhe «plogështisë së zgjerimit» – ia vlen të theksohet se aktualisht zgjerimi nuk është ndalur krejtësisht. Përkundrazi, sa i përket një serie aplikimesh për anëtarësim nga Ballkani Perëndimor, po ruhet momentumi dhe mbase mund të jetë në ngritje. Kjo duhet bëhet menjëherë e qartë. Pas zgjedhjeve të këtij muaji në Shqipëri, dhe mbase gjatë samitit të përvitshëm të Ballkanit Perëndimor, të përcaktuar të mbahet në korrik në Trieste të Italisë, mbase do të ketë kërkesë që negociatat e anëtarësimit me Tiranën të nisin sivjet.

Nuk është e pashmangshme, por ma ha mendja se kundërpërgjigja e BE-së do të jetë pozitive, së paku kur vjen puna te negociatat. Këtë e them bazuar në resurset që i ka zotuar Brukseli për t’i mbajtur gjithë gjashtë aplikuesit e Ballkanit në rrugën e anëtarësimit dhe ndihmën e ofruar kur do që kanë dalë vështirësi, siç është bërë së fundi edhe në Maqedoni dhe Shqipëri.

Rasti i Shqipërisë është instruktiv. Për tre muaj me radhë Partia Demokratike konservatore qëndroi në një çadër të madhe jashtë zyrës së kryeministrit në Tiranë, me bojkotim të parlamentit, me sulme bombastike kundër qeverisë dhe me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit socialist, Edi Rama.

Asnjëherë nuk u bë e qartë se pse ajo që u tha me gjuhë bombastike në çadër nuk u tha brenda kuvendit. Por ishte si kristal e qartë se me dalje nga kuvendi, demokratët po e bllokonin reformën kritike të sistemit të drejtësisë, hapin e fundit të madh të kërkuar para se mund të nisin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Bojkoti parlamentar çoi drejt hapit logjik të radhës, megjithëse krejtësisht joracional, bojkotim të zgjedhjeve. PD-ja dukej e vendosur t’ia privonte qeverisë së re legjitimitetin, duke hapur rrugën drejt – nuk dihej saktësisht kujt? Me fjalimet e tij për nxitje turmash para përkrahësve të tij, lideri i PD-së shpalli «Republikën e Re», duke sugjeruar qëllimin revolucionar.

Brukseli u hodh në aksion. Shefja e politikës së jashtme, Federica Mogherini, dhe negociatori kryesor i zgjerimit, Christian Danielsson, iu prinë delegacioneve për të folur me krerët partiakë. Deputetët u bënë ndërmjetësues. Në fund u arrit një marrëveshje. Karshi serisë së pafund të kërkesave të PD-së, përfshirë edhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në qeveri nëpërmjet ministrave të caktuar nga PD-ja, zoti Rama kishte vetëm një kërkesë kyçe. Ai ngulmonte në të tijën për procedimin e reformës në drejtësi para zgjedhjeve. Pa të, thoshte ai, bisedimet e BE-së nuk mund të vazhdonin. Demokratët u sprapsën.

Me fjalë të tjera, zoti Rama ishte përgatitur për të hedhur gjithçka në tryezën e bisedimeve hiq anëtarësimin në Bashkimin Europian. Është pjesë e qasjes së tij strategjike derisa e nxirrte atë, jo si ndarje të përkohshme pushteti, por si njeri me të cilin mund të merreshe vesh.

Zoti Rama po shfaqet si një prej krerëve më të sofistikuar politikë në Europë. Një artist i njohur edhe ndërkombëtarisht, ai është edhe ish-basketbollist profesionist. Di shumë gjuhë, jetoi një kohe në Paris, ku u pranua së pari si artist. Ndryshe prej shumë politikanëve, zoti Rama nuk kurthohet në slogane.

Ideologjikisht, rreshtohet kah qendra e majtë – socialdemokrat i «rrugës së ndërmjetme», si Tony Blairi i Britanisë, ose mbase si presidenti i ri francez, Emmanuel Macron. Pro-evropian dhe atlantikas i pashoq, ai ka qenë i zëshëm me paralajmërimet për ndërhyrjet ruse në rajonin e tij dhe më gjerë.

Zoti Rama e sheh anëtarësimin në BE si çelës për zgjidhjen e destabilitetit dhe kaosit në Ballkan. I ka bërë thirrje Brukselit të shtojë orvatjet e procesit të zgjerimit dhe afrimit sa më shpejt që është e mundshme, pjesërisht edhe sherri i lëvizjeve të fundit të Rusisë për rritur ndikimin e saj.

Nuhatja ime, si vrojtues i kahershëm i skenës së Ballkanit dhe si ish-përfaqësues special i Kombeve të Bashkuara në Kosovën fqinje, është se ka mirëkuptim të madh për këtë qasje në Bruksel, pavarësisht hezitimit për ta pranuar publikisht.

Hapja zyrtare e negociatave nuk nënkupton domosdo përfundim të shpejtë dhe të pashmangshëm, si në rastin e Turqisë. Por, BE-ja duhet t’i mbajë gjallë shpresat në mesin e shteteve kandidate nëse dëshiron ta rikthejë ndikimin e saj.

Dhe sidomos tani, me krerët veçanërisht miqësorë ndaj BE-së në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni, me Zoran Zaevin të porsazgjedhur kryeministër, ka një seri reformatorësh të zotë për ta rrahur këtë rrugë.

(Autori i këtij shkrimi në «Financial Times», Bernard Kouchner, ka qenë ministër i Punëve të Jashtme dhe Europiane të Francës, bashkëthemelues i «Mjekëve pa Kufij» dhe themelues i «Mjekët e Botës«». Kouchner ishte edhe përfaqësues special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë).