Shqipëria dhe Kosova hasin vështirësi në fuqizimin e niveleve të tregtisë

Eksportet nga Shqipëria në Kosovë ranë gjatë vitit 2016, ndërsa bizneset e vogla dhe të mesme fajësojnë pengesat e tarifave doganore.




Tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk po i arrin synimet e vëna nga të dyja vendet, ku vlera e eksporteve të Shqipërisë ra në vitin 2016 nga rreth 157 milionë euro në 125 milionë euro në vit.

Rënia po nxit shqetësime se bizneset e vogla dhe të mesme po trajtohen në mënyrë inferiore.

Importet shqiptare nga Kosova gjithashtu shfaqen minimale krahasuar me ato nga vendet e tjera fqinje.

Gjatë vitit 2016, eksportet e Kosovës me Shqipërinë arritën rreth 43,9 milionë euro, sipas INSTAT.

Vëllimi i ulët tregtar nuk është rritur pavarësisht se dy vendet vazhdimisht kanë kërkuar shtim të tregtisë.

Alban Zusi, kreu i Qendrës Shqiptare të Eksportit, i tha BIRN se dy vendet shkëmbejnë vetëm produkte të prodhuara nga biznese të mëdha.

«Ka rreth 15 biznese betoni dhe materialesh ndërtimore që eksportojnë në Kosovë. Kur vjen te bizneset e vogla dhe të mesme, eksportimi nuk është i lehtë», tha Zusi.

Ai shtoi se për bizneset e vogla dhe të mesme, tarifat doganore janë shumë të larta dhe kjo ndalon kompanitë shqiptare të eksportojnë në Kosovë.

Ministrja shqiptare e ekonomisë, Milva Ekonomi, mori pjesë në një konferencë të hënën mbi tregtinë mes dy vendeve dhe vështirësive doganore.

Disa vështirësi burojnë nga fakti se institucione të ndryshme kosovare nuk njihen nga organet europiane, duke krijuar probleme në kufij.

Sipas Ekonomit, normat doganore do të ishin më të ulëta nëse produktet e destinuara për tregti do të kalonin të njëjtat teste laboratorike.

«Kemi një ngërç institucional këtu ngaqë agjencia e Kosovës për [monitorim] të akreditimit të produktit nuk njihet nga Agjencia Europiane e Akreditimit, si në rastin e Shqipërisë. Nëse do të ndodhte kjo, shkëmbimi i mallrave do të ishte më i lehtë», tha ministrja.

Ajo shtoi se bashkë me homologun e saj të Kosovës, po përpiqeshin të gjenin mënyra për të lehtësuar proceset e eksportit dhe importit.

Të dhëna nga INSTAT konfirmojnë se kategoria më e madhe e eksporteve shqiptare në Kosovë është në kategorinë e mineraleve dhe energjisë elektrike, ndërsa të dytat janë materialet e ndërtimit.

Eksportet e ushqimit, pijeve dhe duhanit janë minimale, duke arritur 1.8 milionë euro për janar-shkurt 2016.

Partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë mbetet Itali për sa i përket eksporteve dhe importeve.

Serbia është gjithashtu një aktore rajonale në lidhje me eksportet në Shqipëri, që bleu produkte me vlerë 136 milionë gjatë 2016. Megjithatë, eksportet nga Shqipëria në Serbi mbeten të ulëta.