Shqipëri: Opozita fillon «mosbindjen civile» kundër qeverisë, Rama heq dorë përkohësisht nga taksa rrugore

Partitë politike në opozitë grumbulluan qindra protestues në të gjithë vendin dhe bllokuan nyjet kryesore të qarkullimit ndërsa kryeministri tentoi të zbusë zemërimin duke premtuar se taksa kontroverse në Rrugën e Kombit «nuk do të fillojë» menjëherë.

Segmenti i rrugës Rrëshen-Kalimash.



Partitë politike në opozitë grumbulluan mbështetësit e tyre për të bllokuar trafikun për disa orë në nyjet kryesore rrugore të vendit, në përpjekje për të kalëruar zemërimin e akumuluar pas taksës kontroverse private për përdorimin e autostradës së vetme që lidh Shqipërinë me Kukësin dhe Kosovën. Qindra mbështetës krijuan një bllokim në degëzimin e Milotit, 50 kilometra në veri të Tiranës, ku kalon trafiku rrugor drejt veriut dhe verilindjes. Në Milot pati disa përplasje me policinë vendore. Në Vorë, 16 km në perëndim të Tiranës, një turmë tjetër u mblodh për të bllokuar autostradën më të përdorur në Shqipëri e cila lidh Tiranën me Durrësin si dhe veriun me jugun e vendit. Në Elbasan, protestuesit dogjën goma makinash për të bllokuar trafikun në rrugën e vetme që lidh Shqipërinë me Maqedoninë dhe e njëjta gjë ndodhi në Çermë, 80 km në jug të Tiranës, ku kalon aksi kryesor që lidh Shqipërinë qendrore me jugun dhe Greqinë.

Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, mori pjesë në protestën e Vorës bashkë me bashkëshorten e tij dhe pretendoi se do të luftojë «shtetin kriminal privat» të krijuar nga Kryeministri Edi Rama. Në Tiranë, kryeministri foli në parlamentin e braktisur nga deputetët e opozitës dhe pretendoi se taksa kontroverse që shkaktoi zemërimin me protestë të dhunshme të shtunën e kaluar «nuk do të fillojë para se të gjendet një zgjidhje» për një taksë më të ulët për përdoruesit e rrugës nga Kukësi, pjesa më e varfër e Shqipërisë dhe qendra e valës aktuale të protestës. «Ne nuk ishim tërësisht të përgatitur për çfarë mund të krijonte një risi e tillë nga ana psikologjike për njerëzit e painformuar», tha ai në parlament. Qeveria pretendon se taksa në rrugën e kombit është e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugës. Një konsorcium kompanish private shqiptare fitoi një tender dy vjet më parë, i cili efektivisht e privatizoi rrugën më të kushtueshme të vendit. Marrëveshja koncesionare parashikon të ardhura si nga taksa ashtu edhe nga transfertat e drejtpërdrejta nga buxheti për kompaninë private por është e paqartë se çfarë duhet të ofrojë kompania në shkëmbim të të ardhurave.

Qeveria aktuale dhe ajo e shkuar janë kritikuar për dhënien e shumë kontratave të tilla koncesionare dhe Rama ka bërë të qartë qëllimin e tij për të dhënë edhe më shumë, pavarësisht aludimeve të shumta për korrupsion dhe përfitimet e paqarta për qytetarët. Partitë politike në opozitë kanë pjesën e tyre të marrëveshjeve koncesionare, përfshirë taksën kontroverse në Rrugën e Kombit. Procedura për të dhënë koncesionin për këtë rrugë filloi më 2011 kur në qeveri ishte Partia Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim ndërsa përfundoi kur LSI ishte në qeverisje në aleancë me PS.
(reporter.al)