«Shqip-Pop»: Kosova dhe Shqipëria janë shndërruar në eksportuese të një fenomeni muzikor

Televizioni i Bavarisë BR shkruan për muzikantët nga Kosova e Shqipëria, të cilët po bëhen të popullarizuar në botë.

Era Istrefi.

Një spot i xhiruar me shumë angazhim, një grua bjonde veshur me pardesy, tinguj të R’n’B. Ky mund të ishte një spot i importuar nga Los Angelesi. Por, kur fillon kënga vërejmë: nuk është në anglisht. Me këngën «BonBon» këngëtarja kosovare Era Istrefi ka pushtuar toplistat ndërkombëtare. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për Italinë, Francën apo Australinë – kjo këngë e kënduar komplet në shqip përheë depërtoi në top dhjetëshe, shkruan Bayerischer Rundfunk, televizioni i landit gjerman të Bavarisë.

«Shqip-Pop» është muzika moderne e shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Ky stil muzike nuk është absolutisht i tillë siç mund të merret me mend muzika e Ballkanit – dhe po depërton fuqishëm në treg. Disa nga interpretuesit po arrijnë pa problem deri në 30 milionë klikime në portalet e streamingut. Artistë si Era IStrefi dhe Enca dhe Samanta tashmë janë të njohura edhe në arenën ndërkombëtare. Për shkak të sfondit komplet të ndryshëm kulturor kjo muzikë dallon nga muzika pop e Ballkanit.

Televizioni BR shkruan se në pop-muzikën shqiptare vërehen ndikime të ndryshme – rap, R’n’B, arabesk, rai afrikanoverior. «Nuk është befasi që ky stil i ri muzikor vjen pikërisht nga ky rajon. Kosova është vendi me popullsinë më të re në Europë. Ky shtet zyrtarisht ekziston qe më pak se 10 vjet, në popullsi mbretëron një atmosferë optimizmi, përkundër probleme sociale. Mbi 70 për qind të të rinjve janë të papunë. Të bësh shumë para me muzikë cool – kjo është një ëndërr e vërtetë», shkruan BR.

Ky medium gjerman ka biseduar edhe me Ardian Bujupin, këngëtar gjermano-kosovar, njërin nga yjet e formatit televiziv «Gjermania kërkon një superstar». Bujupi e përshkruan Kosovën si një Mini-Hollywood. (-lli)