Shpresa dhe Liria – dy jetimet e fundit të kombinatit të tekstileve «Mao Ce Dun»

Historia e dy grave jetime që jetuan dhe mbetën për 50 vjet në konviktin e ish-kombinatit të tekstileve në Berat, pasi u dërguan aty si krah i lirë pune kur ishin ende adoleshente e ku vazhdojnë të ndjehen të paragjykuara.

Shpresa Dervishaj në dhomën e saj brenda konviktit të ish-kombinatit të tekstileve në Berat. Foto: Erjola Azizolli



Shpresa Dervishaj del rrallë nga dhoma e saj e mbushur me kukulla dhe fotografi kafshësh shtëpiake të varura nëpër mure. E rritur jetime, me pjesën më të madhe të jetës të lidhur me kombinatin e tekstileve në Berat dhe konviktin, 67-vjeçarja Dervishaj ka vetëm kukullat për shoqëri në qytetin ku është paragjykuar gjithmonë si «konviktore». «Kjo është jeta ime», thotë ajo, ndërsa tregon dhomën me orendi të vjetra ku nuk hyn askush prej vitesh. «Erdhëm në këtë qytet me dëshira plot, por konviktore na quanin, konviktore na quajnë. Jeta jonë ishte kombinati, por kombinati mbaroi dhe bashkë me të mbaruam dhe ne», i tha ajo BIRN.

Shpresa Dervishaj u dërgua nga Shtëpia e Fëmijës së Vlorës drejt Beratit kur ishte ende adoleshente si krah i lirë pune për Kombinatin e Tekstileve «Mao Ce Dun», së bashku me 39 vajza të tjera të braktisura. Ato u vendosën në konviktin ngjitur me kombinatin në lagjen Çlirim të Beratit, që dikur strehonte rreth 300 gra dhe vajza nga rrethet e Shqipërisë. Pesë dekada më vonë Shpresa Dervishaj ka mbetur brenda së njëjtës godinë, ndërkohë që të tjerat ikën një e nga një. Bashkë me Liri Beqin, ato janë dy konviktoret e vetme që nuk u larguan dot asnjëherë nga konvikti i punëtoreve, nuk përfituan banesë sociale dhe nuk ia dolën të krijojnë familje.

Kombinati i Tekstileve u hap në vitin 1968, në kulmin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën dhe u konsiderua asokohe si arritja më e madhe në fushën e prodhimit të tekstileve. Nevoja për fuqi punëtore u përball asokohe me konservatorizmin e familjeve beratase, të cilat nuk dëshironin të punësonin vajzat e tyre në Kombinat. Ky boshllëk u mbush me forca pune të ardhura nga qytetet dhe nga jetimoret e Fierit dhe Vlorës. Liri Beqi erdhi në Berat nga e njëjta Shtëpi Fëmije e Vlorës si edhe Shpresa Dervishaj kur ishte vetëm 16 vjeçare dhe mbeti aty. Gruaja 66 vjeçare vuan sot nga një sëmundje muskujsh që i ka shkaktuar paralizë në pjesën e poshtme të trupit, duke e lënë invalide në kërkim të një karroce me rrota.

«Pensioni është i vogël dhe nuk më del për ilaçe, për energji dhe për ushqime, por kujt t’i kërkoj?», thotë ajo mes trishtimit që ka vite që zënë vend në fytyrën e saj.

Liria thotë se ka 23 vite pune në ish-kombinatin tekstil, ku erdhi fëmijë me ëndrra të mëdha, pa ditur se në moshën 66 vjeçe ajo do të ndihej sërish një konviktore. «Unë nuk vazhdova shkollën e mesme në Shtëpinë e Fëmijës, ku më kishin braktisur që foshnjë në Vlorë dhe menjëherë sapo mbusha 16 vjeçe më thanë se do të shkoja në Berat për të punuar në kombinat», thotë Liria për BIRN.

Jetimet zunë vend në konviktin e ndërtuar për punonjëset që do të vinin nga qytetet e ndryshme të vendit. «Ne konviktoret jetime u miqësuam shumë shpejt me njëra tjetrën sepse na bashkonte fati i përbashkët dhe miqësi më shumë kishim me njëra tjetrën se sa me vajzat e tjera nga Korça apo Lushnja që kishin familje», thotë ajo. Ndërsa qëndron në kolltukun e saj, pasi nuk mund të lëvizë vetë dhe nuk ka një karrige me rrota, Liria tregon se pret një shoqen e saj po ish-konviktore për t’i dhënë ilaçet. Në një dhomë të vogël në katin e dytë të konviktit ajo ka gjithçka: kuzhinën ku rri dhe fle, por dhe tualetin që e ka përshtatur, pasi në shumë vite banjat në konvikt kanë qenë të përbashkëta.

Dhoma e vogël ka pak orendi – ato më të domosdoshmet, por shumë kujtime. «Gjashtë muaj kurs bëmë në kombinat dhe menjëherë filluam punë, pasi kishte nevoja për punëtore», tregon Liria. «Puna më pëlqente  si mua ashtu dhe shoqeve të mia, pasi nuk kishim tjetër veç saj dhe kemi punuar deri në mes të vitit 1990, pastaj dolëm në pension sepse kishim plot 23 vite pune», thotë ajo. Pavarësisht rrjedhës së viteve, të dyja gratë i thanë BIRN se nuk janë ndjerë kurrë të pranuara. «Ne erdhëm fëmijë në këtë qytet, u rritëm këtu duke punuar dhe paguheshim mirë, në punë na trajtonin mirë, por banorët e qytetit nuk na deshën kurrë», tregon Liria. Ajo thotë se familjet në Berat ishin konservatore dhe i shikonin me sy jo të mirë, sepse ato ishin konviktore, sepse ishin pa përkrahje, pa njerëz dhe të afërm.

«Na thërrisnin <zogj korrenti> dhe ne kurrë nuk ishim të barabarta me vajzat e tjera punëtore konviktore, por me familje në qytete të tjerë», thotë ajo. Një pjesë e vajzave aty u martuan, por me djem nga familje të ardhura nga fshati, sepse në Berat askush nuk pranonte të merrte një nuse konviktore. Godina ende njihet nga të gjithë në Berat si «banesa e konviktoreve», edhe pse sot jetojnë aty vetëm dy prej tyre. Që në vitin 1995 një pjesë e konviktoreve me familjet e tyre përfituan statusin e të pastrehëve dhe në vitin 2008 u vendosën në pallatet e ndërtuara për këtë kategori. Shumë prej këtyre familjeve me vështirësi paguajnë shumën prej 4 mijë lekësh në muaj për banesën e përfituar nga shteti.

«Ne dhamë vitet tona për punën në atë kombinat, pasi na sollën kur ishim ende fëmijë dhe përfituan një pension të vogël me të cilin nuk mbajmë dot familjen. Duhet të paguajmë dhe pagesën për banesën e përfituar, që kur të jetë e jona ne do kemi mbyllur sytë, por të paktën ta gëzojë vajza ime», thotë një tjetër ish-punonjëse e Kombinatit për BIRN që nuk pranon të identifikohet.

Ndërkohë sot, siç ka ndodhur me shumë godina të braktisura të diktaturës, vendin e ish-konviktoreve e kanë zënë të tjerë të pastrehë të qytetit, të cilët kanë mundur t’i rregullojnë banesat e vjetra, ku lagështia është e pranishme kudo. Godina është krejt e rrënuar nga jashtë e brenda e me zor mbahet në këmbë me gjithë investimet e vetë banorëve. «Banjat pikojnë dhe i kemi rregulluar që kur kanë ikur konviktoret, por këto nuk janë shtëpi – për konviktoret janë bërë», ankohet një banore e re me zë të lartë, teksa fshin katin e parë.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/zogjte-e-korrentit-jetimet-qe-punuan-ne-ish-kombinatin-e-tekstileve-mao-ce-dun/)