Shprehitë dhe idealet e rinisë zvicerane

Një studim i gjërë rrëfen se çfarë mediash përdorin më së shumti të rinjtë në Zvicër, cilave iu besojnë më shumë, shprehitë teknologjike që kanë dhe qëllimet jetësore.

Foto: Ollyy / Shutterstock

I thonë barometri i të rinjëve 2016. Banka e njohur zvicerane Credit Suisse ka intervistuar të rinj në Zvicër, SHBA, Singapor dhe Brazil lidhur me qëllimet e tyre të jetës dhe politikën. Për më tepër, banka dëshironte të mësonte se cilat media janë më të besueshme për ta, transmeton Tages Anzeiger.

Nga hulumtimi del që më së shumti të rinjtë zviceranë vazhdojnë të informohen nga gazetat falas. 62 për qind e të intervistuarve shërbehen me «20 Minuten» , apo «Blick am Abend». Ndonëse kjo shkallë më 2010 shkonte në 75 për qind. Arsyeja e kësaj rënie është fakti që tani lexohet më shumë online. Për sa u për ket lajmeve, nga studimi del që rinia më së shumti i beson SRF-it, NZZ-tit dhe Tages Anzeiger-it. Në fund të listës për besueshmëri vijnë Youtube, Facebook-u dhe Twitter-i.

Rëndësi të madhe për të rinjtë në Zvicër ka tema e refugjatëve. 46 për qind e të anketuarve këtë e shohin si një problem, ndërsa para gjashtë vitesh këtë qasje e kishin vetëm 22 për qind e tyre. Me këtë lidhet edhe resori «Të huajt dhe migrimi», thotë raporti, çka i merakos 45 për qind të të anketuarve. Më pak urgjente shihet mbrojtja e ambientit.

Në SHBA, për shembull, të rinjtë i preokupojnë më së shumti papunësia, terrorizmi dhe çështjet e shëndetësisë. Për konceptuesit e studimit është habitëse se të rinjtë amerikanë i adaptojnë më rëndë teknologjitë e reja se sa zviceranët. Atje, për shembull, sms-i preferohet më tepër se Whatsapp-i.

Studimi ka gjetur që të rinjtë dëshirojnë të bëjnë karrierë, të pavarësohen, të punojnë në firma ndërkombëtare, të kursejnë më pak, por edhe të ndërtojnë një shtëpi. Në autorizim të bankës, në Zvicër instituti hulumtues GFS Bern për këtë studim ka intervistuar 1’048 veta në harkun kohor maj dhe qershor 2016. ks