Shpëtimtarja e Rumanisë

Mijëra rumunë janë rebeluar kundër politikanëve të korruptuar, ata s'duan të pranojnë më mentalitetin e bakshishit. Shpresa e shumë njerëzve është Laura Codruţa Kövesi: kjo prokurore është shefe e Zyrës kundër Korrupsionit. Nganjëherë ajo i përgjon edhe varrezat për t'i burgosur keqbërësit.

Laura Codruţa Kövesi.



Fjala qytetar sërish ka kuptim në Rumani. Qe disa ditë njerëzit po vërshojnë rrugët, po tubohen në sheshe e bulevarde, para selisë së qeverisë në Bukuresht dhe para prefekturave në provincë. Këta janë qytetarë që nuk duan të zemërohen në heshtje me tragjedinë rumune, ata nuk duan vetëm të shtrëngojnë grushtin në xhep. Tragjedia e vendit të tyre mund të përmblidhet me disa fjalë: korrupsion, gënjeshtra, keqpërdorim pushteti, vjedhje, intriga. Gjatë fundjavës demonstruan gjysmë milioni njerëz, duke nxjerrë zemërimin nga shpirti dhe duke kënduar himnin rumun: «Zgjohu Rumani nga gjumi yt i vdekjes». Protestat po vazhdojnë edhe këtë javë.

Shpresa e shumë njerëzve në luftën për një vend të pastër dhe një adminsitratë funksionale është Laura Codruţa Kövesi: kjo prokurore është shefe e Zyrës kundër Korrupsionit (DNA). Në marshet protestuese qytetarët e zemëruar brohoritën para së gjithash emrin e saj.
Një vend – qe 10 vite anëtar i BE-së – është zgjuar, sepse qeveria, e cila e quan veten socialdemorkate, me një dekret të paturpshëm është përpjekur të legalizojë ryshfetin dhe korrupsionin. Kush plaçkit më shumë se 200 mijë lei nga arka e shtetit, në të ardhmen do të shpëtonte pa asnjë pasojë. Konvertuar në euro kjo shumë është rreth 45 mijë euro – afërisht sa njëqind rroga mestare mujore në Rumani. Por kjo nuk ishte e tëra: dekreti parashihte që veprat penale që janë kryer para gjashtë muajsh parashkruhen, keqpërdorimi i pushtetit do të dënohej me më së shumti tri vite burg (deri më tani shtatë) – dhe meqë burgjet, sipas qeverisë, qenkan të mbushura, duhej amnistuar rreth tre mijë keqbërës. Shumica prej tyre janë zyrtarë të shtetit dhe politikanë, të cilët janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.

Kryengritja kundër të pandershmëve të pushtetit tregoi efekt tani për tani: qeveria tërhoqi dekretin. Por për Laura Codruţa Kövesin kjo nuk është arsye për t’u ndjerë e lehtësuar. Një ligj, i cili pritet të miratohet nga parlamenti, mund të vështirësojë luftën kundër korrupsionit dhe të dobësojë drejtësinë. Në shënjestër të partisë në pushtet PSD është vënë Zyra kundër Korrupsionit. Ajo u themelua më 2003 për t’i arrestuar plaçkitësit e institucioneve shtetërore. Kövesi është në detyrë që nga viti 2003 dhe dirigjon mbi 200 prokurorë në mbarë vendin. Beteja kundër hajdutëve me kostume të shtrenjta i përngjan një spektakli: mediat janë pothuaj përherë të kyçura drejtpërdrejtë kur arrestohen të dyshuarit. Mes viteve 2014 dhe 2016 janë dënuar 1200 persona, aktualisht po zhvillohen hetime në mbi 2000 raste, 1170 zyrtarë të shtetit, politikanë dhe oligarkë gjenden para gjyqit. Shuma që dyshohet se kanë keqpërdorur vlerësohet të jetë rreth një miliardë euro. Një studim i Parlamentit Europian ka treguar se rreth 15 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të Rumanisë harxhohet për korrupsion.

Kövesi është 43-vjeçare, një fëmijë i transicionit brutal nga diktatura komuniste në një demokraci të drejtuar nga kapitalistët grabitqarë. Kur para 27 vitesh u rrëzua regjimi i Nicolae Ceaușescut, një klikë e përbërë nga ish-komunistët, agjentët e shërbimit sekret dhe menaxherët e firmave shtetërore arriti të përvetësojë resurset më të rëndësishme të vendit. Që nga atëherë mbi tre milionë rumunë kanë braktisur vendin. Kush ka mundësi ia kthen shpinën vendlinddes. Mjekë, specialistë të informatikës, inxhinierë kërkojnë ardhmërinë në Europën perëndimore – sa më larg moçalit rumun të korrupsionit.

Dalja e aq shumë njerëzve në rrugë është meritë edhe e prokurores Kövesi. Ajo u ka dhënë kurajë qytetarëve, familjeve, shoqërisë civile se askush nuk është i paprekshëm, se dora e gjatë e ligjit do të prek çdo politikan pa marrë parasysh pozitën e tij. Bilanci i dy viteve të fundit është impresiv: janë akuzuar një kryeministër, pesë ministra, 21 parlamentarë, 97 politikanë lokalë, 32 drejtorë të ndërmarrjeve shtetërore, gati 500 zyrtarë të shtetit. Kuota e dënimit është 93 për qind. Në Rumani ka humoristë të cilët thonë se Kövesi në mëngjes nuk pi kafe, por një gotë me lotët e të korruptuarve. Ata e akuzojnë se po zhvillon një gjueti shtrigash kundër elitës politike, gazetat e oligarkëve e quajnë «prokurore staliniste». Kövesit nuk i bëjnë përshtypje këto akuza. «Unë vetëm po kryej punën time», thotë ish-basketbollistja e ekipit kombëtar, kur e pyesin nëse është e shqetësuar për sigurinë e saj. Para gati një viti u bë e ditur se Kövesi ishte spiunuar nga ish-agjentë të Mossadit, shërbimit sekret izraelit: punëtorët e një firme private të sigurisë mendohet se ishin angazhuar nga politikanët apo oligarkët rumunë për ta frikësuar zyrtaren më të lartë kundër korrupsionit. Kövesi reagoi me një kundërgoditje dhe arrestoi dy punëtorë të firmës izraelite të detektivëve Black Cube.

Se çfarë përmasash ka marrë korrupsioni në Rumani tregon rasti i ish-ministrit të Financave Darius Valcov: gjatë bastisjes së patundshmërimeve të tij hetuesit konfiskuan 82 mijë euro, flori dhe 100 piktura – mes tyre një pikturë të Renoir, një të Cocteau, tri të Picassos dhe një të Warholit. Si kryetar i qytetit Slatina afër kufirit me Serbinë Valcov kishte mbushur xhepat me dy milionë euro nga tenderët lokalë. Mbi lartësinë e provizionit ai negocionte shpesh te varrezat e qytetit – me shpresën se atje nuk përgjohet askush.

Rumunët nuk janë më të gatshëm ta pranojnë korrupsionin si nafakë të keqe, thotë Kövesi. Kontrata e saj vlen deri në vitin 2019. Heroinë ajo është që tani – jo vetëm në Rumani. Komisioni i Bashkimit Europian e lavdëron atë rregullisht në raportet për Rumaninë, Franca e ka nderuar zonjën e hekurt të drejtësisë rumune me Urdhrin e Legjionit të Nderit. Gjatë ceremonisë Kövesi u tregua si përherë modeste: «Jam krenare për njerëzit që më rrethojnë, janë qytetarë të guximshëm dhe aktivë. Këta njerëz duan ta ndryshojnë Rumaninë, ata duan të jetojnë në një vend të çliruar nga korurpsioni». Se si do të duhej të dukej Rumania e pastër po e tregojnë vetë demonstruesit. Në fund të protestave ata po e mbledhin vetë bërllokun në sheshet e Bukureshtit.