Shpërthimi në Velipojë, katër të plagosur nga një cisternë gazi në bodrumin e pallatit

Dy persona, atë e bir, pronar të lokalit «Cavaliero», ku ndodhi ngjarja, ndodhen në gjendje të rëndë në Tiranë, ndërsa janë shtruar në spitalin lokal edhe një ndihmës-mjeke dhe një punonjëse e bar-restorantit. Zjarrëfikësit thonë se faji ishte i cisternës së vendosur në bodrumin e pallatit.

Ekspertët duke këqyrur lokalin ku ndodhi shpërthimi në Velipojë. Foto: Elvis Nabolli



Rrjedhja e gazit nga një impiant 1000 litërsh dhe më pas dy shpërthime pranë bar- restorant «Cavaliero» në qendër të Velipojës shkaktuan 4 të plagosur, 2 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Dëshmitarët thanë se shpërthimi shkatërroi plotësisht lokalin «Cavaliero» pranë kompleksit Fishta në Velipojë.

«Unë isha brenda ndërsa ja nisi me fishkëlly diçka, në këtë moment kena kap fmitë dhe i kena qitë përjashta, hala pa dal përjashta është dëgju eksplodimi i parë, i cili i ka nxjerrë përjashta personat që ishin brenda lokalit nga forca e shpërthimit», tha Islam Hyseni sapo kishte mbërritur nga Podujeva e Kosovës për të pushuar në plazhin e Velipojës ndërsa në momentin e shpërthimit ndodhej brenda lokalit.

Nga shpërthimi dhe më pas asfiksimi nga tymi mbetën të plagosur rëndë pronari i lokalit Besnik Zenuni,  55- vjeç dhe djali e tij Hektor Zenuni, 33 vjeç të cilët u dërguan me helikopter në Tiranë për mjekim më të specializuar, pasi pësuan djegie në të gjithë trupin.

Gjithashtu u plagos 19 vjeçarja Saida Spahija, e cila ishte punonjëse në banak dhe u asfiksua si pasojë e ndërhyrjes në vendngjarje ndihmës-mjekja e qendrës shëndetësore Velipojë, Vjollca Voci.

«Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:45 minuta, ka qënë një zjarrë i menjëhershëm dhe i fuqishëm, fatmirësisht nuk kishte dëmtime në katet e mësipërme të pallatit, pasi mund të kishim edhe viktima», bën të ditur për BIRN drejtori i zjarrëfikësve në Shkodër Agron Dibra.

Edhe Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial deklaroi nëpërmjet një njoftimi për shtyp disa minuta pas ngjarjes se nga verifikimet  në vendngjarje u rezultoi se bombulat  që ishin në kuzhinë nuk kanë plasur, por ka pasur rrjedhje gazi nga depozita. Sipas drejtuesit të zjarrëfikësve shkaqet e zjarrit lidhen me cisternën e gazit, «për shkak të zjarrit të menjëhershëm dyshojmë se  shkak i flakëve ka qënë pikërisht cisterna 1000 litërshe poshtë pallatit».

«Bombolat e gazit janë në rregull, pra nuk kanë plasur bombolat e gazit. Inspektorët janë futur  në ambientet e lokalit dhe në bodrum ka pasur një cisternë 1 mijë litërshe me gaz për përdorim në kuzhinë. Ka rrjedhur gazi i kësaj depozite që ka bërë të mundur shpërthimin», thuhet në njoftimin e ISHTI- së.

Lokali u shkrumbua plotësisht brenda pak minutave, ndërsa u rrezikua jeta e pushuesve të shumtë.

Një tjetër pushues nga Kosova, Fahredin Muçiqi automjeti i të cilit ka pësuar dëme nga zjarri, tregon se  sapo kishte kryer pagesën dhe po dorëzonin pasaportat kur shpërtheu zjarri. «Shikuam një flakë i kena kapë fëmijët dhe jemi larguar me vrap», tha ai.

Akoma nuk është e qartë se pse një depozitë me përmasa të tilla është vendosur në bodrumin e pallatit apo nga kush administrohej.

Për drejtorin e Zjarrëfikësve në Shkodër, Agron Dibrën vendosja e këtyre cisternave nuk lejohet. «Normalisht nuk lejohen në këto kushte vendosja e këtyre cisternave, do të nisim kontrollet, ndërsa për këtë rast do të merren masat konform ligjit si nga ana e zjarrëfiksve ashtu edhe nga Inspektoriati Shtetëror Teknik».

(https://www.reporter.al/shperthimi-ne-velipoje-kater-te-plagosur-nga-nje-cisterne-gazi-ne-bodrumin-e-pallatit/)