Shpërthimi mbyll fabrikën e armëve të biznesmenit kontrovers zviceran Heinrich Thomet në Malin e Zi

Një fabrikë malazeze armësh, e cila pjesërisht zotërohet nga biznesmeni kontrovers i armëve Heinrich Thomet, aferat e të cilit u zbuluan në vitin 2008 në Shqipëri, u mbyll përkohësisht pas disa aksidenteve të ndodhura vitet e fundit.




Fabrika më e madhe e armëve në Malin e Zi, Tara Aerospace, në qytetin verior të Mojkovacit, që zotërohet pjesërisht nga tregtari kontrovers i armëve, Heimrich Thomet, u mbyll përkohësisht të martën pas shpërthimit të një dite më parë që plagosi dy punëtorë. Dy punëtorët pësuan plagë të rënda, kërcënuese për jetën gjatë shpërthimit dhe më pas u transportuan në Beograd për t’u mjekuar në Akademinë Mjekësore Ushtarake Serbe.

Televizioni publik i vendit, RTCG, citoi një njoftim për shtyp të lëshuar nga kompania ku thuhej se fabrika u mbyll pasi autoritetet nisën një hetim për shkaqet e aksidentit të ndodhur të hënën. «Pavarësisht gjithçkaje që kemi ndërmarrë [për të garantuar sigurinë] dhe rregullat e sigurisë në vendin e punës, dje ndodhi një aksident», tha kompania. Kompania nuk zbuloi nëse fabrika u mbyll me urdhër të shtetit malazez ose nëse drejtuesit e vendosën këtë. Shpërthimi në ish-fabrikën shtetërore ishte i katërti që kur kompania u privatizua në vitin 2014.

Në qershor të vitit 2015, një shpërthim vdekjeprurës vrau punëtorin Slobodanka Koriq dhe la shtatë të tjerë të plagosur. Në shkurt të vitit 2014, u plagos Gordana Boshkoviq, drejtuesja e sektorit të piroteknikës dhe më 24 tetor të njëjtin vit gjashtë punëtorë u plagosën nga një shpërthim. Heinrich Thomet, biznesmeni në qendër të një skandali që përfshiu furnizimin e Pentagonit me municione shqiptare me destinacion Afganistanin në vitin 2008, është aksioneri kryesor në kompaninë Tara Aerospace. Thomet qe në listën e atyre që duhen vëzhguar nga CIA si «trafikantëve të armëve» në kohën e marrëveshjes në vitin 2008, sipas një raporti të Kongresit.

Edhe pse kurrë nuk u akuzua për një vepër penale, emri i tij doli në dokumentet e prokurorisë shqiptare dhe në një raport të Kongresit në SHBA, si një ndërmjetës kyç në aferën shqiptare, që më vonë frymëzoi filmin hollivudian Qentë e Luftës (War Dogs) të vitit 2016. Thomet, shtetas zviceran, u përfshi sërish në sigurimin e municioneve për qeverinë amerikane në vitin 2017 përmes një prej kontraktorëve të saj më kryesorë, gjigantit britanik të mbrojtjes, Chemring.