Shpërthim në Parlamentin e Kosovës

Në orët e vona të së enjtes së 4 gushtit në objektin e Parlamentit të Kosovës është dëgjuar një shpërthim. Policia flet për një mjet shpërthyes. Nuk ka viktima as të lënduar.

Rreth orë 23 të së enjtes mbrëma në Parlamentin e Kosovës ka ndodhur një shpërthim. Në afërsi të objekti të Parlamentit janë gjendur menjëherë vetura të shumta të Policisë së Kosovës. Mësohet se ajo e ka rrethuar dhe e ka mbyllur për qarkullim rrugën «Agim Ramadani», në afërsi të së cilës shtrihet objekti i Paramentit dhe ka filluar me hetimin e shpërthimit.

Mediat kosovare transmetojnë dëshmitë nga vendi i ngjarjes, sipas së cilave gjurmët e shpërthimit shihen në faqen e përparme të objektit të Parlamenti të Kosovës. Mësohet se para pak kohësh në vendgjarje kanë mbërritur edhe ushtarë të FFOR-it.

Nuk raportohet për viktima dhe të lënduar nga shpërthimi. Së voni, portali «koha.net» ka siguruar një prononcim zyrtar nga Policia: «Me 04.08.2016 rreth orës 23, në ndërtesën e Kuvendit të Kosoves, në rrugën ‹Agim Ramadani› në Prishtinë, nga distanca ka ndodhur një sulm me një mjet të dyshuar shpërthyes. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për të lënduar në njerëz. Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj menjëherë ka reaguar në lokacion dhe veprime intensive operative dhe hetimore janë duke u kryer për të identifikuar të dyshuarit e involvuar në rast».

Nga burime brenda Policisë së Kosovës mësohet se sulmi ka ndodhur me motoçikletë. Zëdhënësi Policisë së Kosovës ka konfirmuar se zyrtarët e saj kanë gjetur një motoçikletë të djegur. Mediat flasin se me të janë shërbyer dy ushtruesit e sulmit, të cilën më pas e kanë djegur.  ks