Shpërndarja e shokëve në Drenas

Dështimi i PDK-së për të marrë postin e kryetarit të komunës në Drenas është një lajm i mirë. Kur kjo parti ndëshkohet në bastione, atëherë e logjikshme do të ishte që në zgjedhjet nacionale të pësonte debakël. Por pa një alternativë politike serioze të opozitës së bashkuar dhe shoqërisë civile të pakorruptuar zor se mund të ketë ndryshime pozitive.

Ilustrimi: Shutterstock



Në zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit ka ndodhur diçka që pritej: Partia Demokratike e Kosovës nuk mund të fitojë më me automatizëm, me lehtësi, madje duke u tallur me partitë rivale. Kjo u pa edhe gjatë fushatës së shkurtër elektorale. Nëpër oda shiheshin shumë pak patriarkë me plisa të bardhë dhe gjithnjë e më shumë të rinj të revoltuar, të cilët për herë të parë pas gati dy dekadash merrnin guximin të kundërshtonin, qortonin, madje edhe atakonin me fjalë të ashpra kandidatin e PDK-së për kryetar të komunës.

Nuk kishin njerëzit më respekt për doktor Ramiz Lladrovcin, ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, një njeri me bagazh të madh intelektual, atdhetar e publik. Kështu së paku e prezantoi Lladrovcin para banorëve të Drenasit Kadri Veseli, i ardhur në krye të PDK-së më shpejt se ç’kishte ardhur Raul Castro në krye të Kubës. Me sa duket edhe elektorati në Drenas e ka kuptuar se PDK nuk meriton më mbështetje të përmasave kubane, as nuk hutohet nga titujt «doktor» e «ambasador».

Raportimet e mediave mbi aferat e shumta të zyrtarëve të PDK-së në të gjitha nivelet, pasurimi i tyre pervers, ekspozimi i pasurisë me arrogancë, kapadaillëku e hajdutëria kanë zemëruar shumë qytetarë, madje mund të thuhet se shumë janë edhe të neveritur, të gërditur nga ky taraf me mendime, me qëllime dhe me interesa të përbashkëta. Kuptohet këto interesa janë në kundërshtim të plotë me hallet e qytetarëve të Kosovës. Përkundër investimeve në asfalt apo në ndërtimin e ndonjë shkolle si pjesët e tjera të Kosovës edhe Drenica mbetet e varfër dhe mijëra të rinj mendojnë të emigrojnë. Jo rastësisht në Kosovë prej kohësh njerëzit më së shumti interesohen të mësojnë gjuhën gjermane – me shpresë se do të jenë sa më të përgatitur për të gjetur çfarëdo pune në Gjermani. Ata që nuk shohin shansin të emigrojnë, kërkojnë shpëtimin në fe. Po të thoshte dikush në vitet ’90 se, pas çlirimit, shqiptarët do të radikalizohen edhe në trevën e prejardhjes së Azem Bejtës e Shote Galicës dhe do të shkojnë në Siri për të luftuar për llogari të terrorizmit islamik, nuk do të besonte njeri.

Dështimi i PDK-së për të marrë postin e kryetarit të komunës në Drenas është një lajm i mirë, pa dyshim. Kur kjo parti ndëshkohet në bastione, atëherë e logjikshme do të ishte që në zgjedhjet nacionale të pësonte debakël. Por pa një alternativë politike serioze të opozitës së bashkuar dhe shoqërisë civile të pakorruptuar zor se mund të ketë ndryshime pozitive. A e kemi sot një alternativë të tillë? Ashiqare jo. Sepse po të ekzistonte, atëherë opozita dhe një LDK e shkëputur nga roli i saj si shërbëtore e krimit të organizuar dhe e sistemit të kalbur do të dilnin në Drenas me një kandidat të përbashkët për të dhënë sinjal edhe për zgjedhjet parlamentare, kurdo që mbahen ato. Besimin e qytetarëve nuk po e fiton as ajo shtresa e snobëve të shoqërisë civile, që tërë ditën bën roje për t’u tallur me gjithçka e çdo gjë, gjithnjë në pritje të ndonjë oferte nga pushteti.

Shikuar ftohtë çfarë ka ndodhur në Drenas është një shpërndarje votash si pasojë e përçarjeve të shumta brenda llojit politik. Lojërat e pandershme të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit me Jakup Krasniqin, i cili vjen nga komuna e Drenasit, themelimi i Nismës për Kosovën, përçarjet brenda PDK-së së Drenasit si pasojë e luftës për pushtet dhe rivalitetet personale e kanë bërë të veten. Kjo shihet edhe nga gjuha që është përdorur në fushatën elektorale. Ish-anëtari i PDK-së, Xhavit Drenori, i cili kandidoi si i pavarur për shef të komunës, tha se deputeti i PDK-së, Shaip Muja dhe shokët e tij kanë biznese të pista në prona komunale në Drenas. Drenori do të tingëllonte edhe më i besueshëm nëse betejën e tij kundër keqbërësve të mundshëm do ta kishte filluar shumë më herët, publikisht, dhe jo tek pasi e mori vesh se bekimin nga Kadri Veseli për të kandiduar për kryetar komune e mori Lladrovci, ky vigan i politikës kosovare siç e personifikon PDK. Megjithatë, guximi i Drenorit duhet t’i trimërojë edhe politikanët e tjerë lokalë në Drenicë për të kundërshtuar të keqen.

Çfarë ka ndodhur në Drenas politologët seriozë e shpjegojnë me fenomenin e shpërndarjes së bandës pas një plaçkitjeje të suksesshme. Se a do të arrihet kjo edhe në nivel të Kosovës mbetet të shihet, por shumë shpresa nuk duhet pasur. Është e mundshme madje që më 19 dhjetor Drenasi të zgjohet për herë të parë në histori me një doktor shkence në krye të komunës. Ky do të jetë një hap i vogël për njerëzimin, por shumë i madh për Ramiz Lladrovcin, siç ishte edhe karriera e tij diplomatike nëpër sallonet e Tiranës, ku i linte gojëhapur ambasadorin kinez, amerikan dhe gjerman, madje ndonjëherë mund të ketë menduar se amerikani është ambasador i Pekinit. Në rastin e PDK-së nuk duhet harruar një gjë: edhe kur nuk i ka fituar zgjedhjet ka qenë grupi më i fuqishëm politik me pushtet real për shkak të përdorimit të metodave parapolitike. Këtu hyjnë aktivitete aq të bukura si blerja e votave, shantazhet, korrupsioni, frikësimi, premtimet për punësim.