Shpërbëhet Kuvendi i Maqedonisë, zgjedhjet e 11 dhjetorit të pasigurta

Kuvendi i Maqedonisë është shpërbërë dje për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u caktuan të mbahen më 11 dhjetor. Por ato mbeten edhe më tej të pasigura, pasi nuk është zgjidhur problemi me njësitë zgjedhore, ku ka shkelje të kodit zgjedhor. Zgjedhjet rrezikohen edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e Prokurorisë Speciale.

Foto: outcast85 / Shutterstock

Me 110 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi i Maqedonisë njëzëri votoi vetëshpërbërjen e tij për t’u hapur kështu rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për më 11 dhjetor. Partitë i shfrytëzuan edhe çastet e fundit të legjislaturës për të lëshuar akuza ndaj njëra-tjetrës lidhur me përgjegjësinë për krizën e deritanishme, e cila pritet të zgjidhet me zgjedhjet e fundvitit.

LSDM-ja opozitare, e cila dorëzoi iniciativën për shpërbërjen e Kuvendit, tha se gjatë 10 viteve të fundit Maqedonia ka jetuar në një agoni të qeverisjes VMRO-BDI. «Erdhi momenti që t’i jepet fund shoqërisë kriminale të VMRO-DPMNE-së. Erdhi momenti t’i jepet fund kriminalitetit dhe korupsionit të Qeverisë, VMRO-DPMNE dhe BDI. Erdhi momenti t’i jepet fund vjedhjes së parave të buxhetit, vullnetit të njëanshëm të pushtetit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Erdhi momenti të merret licenca për vrasje që dikush në mënyrë joligjore e uzurpoi, andaj dhe e dorëzuam iniciativën për shpërbërje të Kuvendit dhe kërkojmë zgjedhje më 11 dhjetor», tha deputetja e LSDM-së, Renata Deskovska. Ajo u shpreh e bindur se, falë marrëveshjes së Përzhinos, zgjedhjet e 11 dhjetorit tani duhet patjetër të mbahen në atmosferë të lirë, fer dhe demokratike.

Ndërkaq, nga partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, akuzuan opozitën se për dy vite kanë mbajtur në ngërç vendin e perspektivën e tij dhe u shprehën të bindur se qytetarët do ta dënojnë më 11 dhjetor këtë sjellje të opozitës. «50 ditët e ardhshme, si asnjëherë deri më tani, do të jenë të rëndësishme për atë nëse Republika e Maqedonisë do të hapërojë në rrugën që do të nënkuptojë stabilitet ose do të vazhdojmë që struktura të ndryshme UDB-ashësh, përsëri ta tërheqin shtetin në drejtim të dyshimtë. Qytetarët më 11 dhjetor do të dërgojnë dy porosi. E para është që përbërja e ardhshme parlamentare të vazhdojë ta ndërtojë Republikën e Maqedonisë dhe e dyta ta ruani Republikën e Maqedonisë të atillë siç kanë luftuar gjenerat me radhë për ta bërë Maqedoninë», deklaroi kordinatori i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.

Por, zgjedhjet e ardhshme parlamentare përsëri mbeten të pasigurta për shkak të dy temave të papërmbyllura. E para ka të bëjë me aspektin ligjor dhe kushtetueshmërinë e zgjedhjeve, disbalansi i njësive zgjedhore dhe vendimi i pasjellë i Gjykatës Kushtetuese për Prokurorinë Speciale Publike. Kodi zgjedhor në Maqedoni përcakton që në gjashtë njësitë zgjedhore në vend numri i votuesve të jetë në kornizat e plus minus pesë përqindëshit të numrit mesatar. Ndërkaq në njësinë zgjedhore numër gjashtë që dominohet nga shqiptarët ka 5,28 për qind votues më shumë se mesatarja, ndërsa në njësinë e tretë ka katër për qind më pak se mesatarja. Përveç që thyhet kodi zgjedhor, për çka çdo qytetar në të ardhmen mund t’i kontestojë zgjedhjet në Gjykatën Administrative, partitë kanë dhënë vlerësime se shkelet edhe kushtetuta, ku garantohet barazia e votës së secilit qytetar.

Sipas kufinjve aktualë të njësive zgjedhore, njësia zgjedhore numër 6 ka 30 mijë votues më shumë se njësia e tretë, apo 15 mijë votues më tepër se mesatarja nga gjashtë njësitë. Kjo ndikon që në njësinë e gjashtë një deputet të zgjidhet me më shumë vota sesa në njësinë e tretë. Për të evituar këtë padrejtësi dhe për të respektuar edhe ligjin e zgjedhjeve, partitë ditëve të fundit disa herë janë ulur për të ndryshuar kufijtë e njësive zgjedhore. Partitë shqiptare kanë insistuar që numri i votuesve nëpër gjashtë njësitë zgjedhore të jetë i njëjtë, VMRO-DPMNE kërkonte që vetëm dy mijë votues nga njësia e gjashtë të transferohen në njësinë e pestë, ndërsa LSDM-ja opozitare propozonte që Maqedonia të shpallet një njësi zgjedhore. Pas dështimit të bisedimeve disajavore, PDSH-ja opozitare dorëzoi në Kuvend një iniciativë për uljen e limitit të numrit të votuesve nga plus minus 5 për qind në plus minus 1 për qind dhe me këtë edhe ndryshimin e kufijve të njësive zgjedhore. Por, kjo iniciativë u mbështet vetëm nga BDI dhe deputetët e PDSH-së, të cilët u mbivotuan nga VMRO dhe LSDM duke e rrëzuar këtë propozim. Kështu zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit mbeten të pasigurta, pasi çdo qytetar ka të drejtë të ankohet për mbajtjen e zgjedhjeve në Gjykatën Administrative, e cila është kompetente për respektimin e kodit zgjedhor, si dhe në Gjykatën Kushtetuese, ku mund të ankohen për obligimin kushtetues për barazi të votës së qytetarëve.

Një temë tjetër që vë në pikëpyetje jo vetëm zhvlerësimin e zgjedhjeve, por edhe vetë mbajtjen e tyre është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Prokurorinë Speciale Publike. Kuvendi sot refuzoi edhe propozimin e deputetit Pavle Trajanov për zgjedhjen e mandatit të PSP-së si dhe për miratimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Ndërkaq iniciativa e ngritur në Gjykatën Kushtetuese nga një qytetar për vlerësimin e punës së PSP-së ende mbahet në sirtarët e gjykatës dhe nuk është hapur akoma për shqyrtim. Nga ana tjetër, kreu i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev shumë kohë më parë ka kërcënuar se në rast se Gjykata Kushtetuese sjell vendim për shfuqizimin e PSP-së, do të nxjerrë në rrugë mbi 200 mijë qytetarë dhe s’do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Andaj që në çastet e para pas miratimit të vendimit për shpërbërjen e Kuvendit, nëpër koloaret politike kanë lindur dyshimet e para se numri i votuesve në njësitë zgjedhore dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Prokurorinë Speciale Publike janë ruajtur nga partitë e mëdha si dy «xhokerët» e fundit për shtyrjen eventuale të zgjedhjeve në rast të nevoje, varësisht nga kalkulimet e tyre deri në ditët para mbajtjes së zgjedhjeve.

Sipas afateve të caktuara ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor, që nesër Ministria e Punëve të Brendshme duhet t’i dorëzojë Komisionit Shtetëror Zgjedhor listën përfundimtare të votuesve. Të njëjtën KSHZ më 27 tetor duhet ta nxjerrë në shqyrtim publik, që do të zgjasë 15 ditë, deri më 11 nëntor. Në këtë periudhë do të kenë të drejtë të paraqiten edhe rreth 30 mijë votuesit e fshirë nga lista e votuesve, pasi nuk u paraqitën në afatin e parë për regjistrim që zgjati 20 ditë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Po sipas këtij kalendari, fushata parazgjdhore fillon më 21 nëntor, ndërsa do të zgjasë deri më 9 dhjetor. Më 10 dhjetor është heshtje parazgjedhore, ndërsa më 11 dhjetor qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri më 19:00. Rezultatet e para preliminare pritet të dalin menjëherë pas mesnate.