Shpend Maxhunit iu vazhdua mandati i kryepolicit pa vendim me shkrim

Prishtinë, 14 tetor - Qeveria e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, mbi bazën e një dakordimi pa shkrim me kryepolicin e Kosovës, Shpend Maxhuni, në tetor të vitit të kaluar ishte pajtuar që atij t’i njihet mandati pesëvjeçar si drejtor i Policisë sipas Ligjit të ri për Policinë.




Qeveria aktuale thotë se nuk ka njohuri se ekziston vendim me shkrim lidhur me mandatin e Maxhunit.

«Unë nuk kam njohuri se ekziston një vendim përpos atij me të cilin është emëruar. Unë nuk posedoj një vendim të tillë», ka thënë sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Fitim Krasniqi.

As zyra për informim e Policisë nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një vendim të tillë. Megjithatë, ajo thotë se drejtori i PK-së ka mandat deri në tetor të vitit 2016. Për këtë mbështetet pikërisht në Ligjin e ri për Policinë që kishte hyrë në fuqi në mars të vitit 2012, gjatë kohës kur Maxhuni vetëm po ushtronte për gjashtë muaj postin e drejtit të PK-së.

Maxhuni ishte emëruar drejtor i Policisë, më 12 tetor të vitit 2011, me një vendim që bazohet në Ligjin e Policisë, të vitit 2008.
«Drejtori i Policisë emërohet për një periudhë trevjeçare», thuhet në vendimin për emërimin e tij kopjen e të cilit e posedon gazeta.

Tri vitet e mandatit, që parashihen në vendimin me të cilin ishte emëruar Maxhuni, kanë skaduar në vitin 2014