Shpell’ e Dragobisë

Përmendore e Bajram Currit.



(Elegji për Bajram Currin)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,-
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërmeti.-
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,-
Yll i rall’ i burrërisë.

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,-
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zemr’ e Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.-
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.