Shpallja e fshehtë e Republikës së Kosovës




Ndonëse në kujtesën kolektive të shqiptarëve, shpallja e Republikës së Kosovës është e lidhur dhe e fiksuar me datën e 17 shkurtit të vitit 2008, në të vërtetë, shteti i sotëm i Kosovës përfaqëson republikën e dytë.

 

Për herë të parë, Kosova ishte shpallur republikë më 7 shtator të vitit 1990. Pasi kishin shpallur deklaratën e kushtetutës, delegatët – siç quheshin deputetët atëherë – e Kuvendit të Kosovës, e konsideronin për detyrë të tyre ta çonin deri në fund idenë e pavarësimit të Kosovës nga Serbia, pro pa u shkëputur nga Federata e Jugosllavisë. Kështu, në një mbledhje të organizuar në mënyrë të fshehtë dhe sekrete në shtëpinë e kulturës në Kaçanik, ata shpallën Republikën e parë të Kosovës, transmeton Koha.net.

Për shkak të kushteve të vështira në të cilat ishte organizuar mbledhja dhe për një mori arsyesh të tjera objektive por edhe politike, nga 111 delegatë sa kishte kuvendi, rreth 80 prej tyre kishin arritur të shkonin në Kaçanik. Në një mbledhje të mbajtur në fshehtësi të plotë dhe e cila kishte zgjatur jo më shumë se 20 minuta, delegatët kishin shpallur Kosovën republikë dhe kishin aprovuar Kushtetutën e saj.

Për të shënuar 25 vjetorin e atij kuvendi me peshë historike, Botimet KOHA kanë ribotuar të plotë Kushtetutën e Kaçanikut, ndërkohë që KOHAVISIONI (KTV-ja) ka bërë një dokumentar televiziv për këtë ngjarje.

[youtube]https://www.youtube.com/watch?v=Lx-iLqnZtb8[/youtube]