Shou arrogant i shefit të diplomacisë serbe në East River

Çfarë u ka bërë të tjerëve regjimi i Millosheviqit, por edhe popullit të vet, serbëve nuk ua kanë bërë të gjithë armiqtë së bashku. Tani ministri i Jashtëm serb, i cili nuk di as anglisht, u mban leksione për Kosovën ambasadorëve të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Çmimin e kësaj politike qytetarët e Serbisë do të paguajnë së shpejti.

Ivica Daçiq në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New Yokr.



Një mbledhje e rregullt, rutinore dhe deri diku monotone e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi gjendjen në Kosovë. Deri në çastin kur Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në Washington, propozoi të shqyrtohet qëndrimi i mëtutjeshëm i UNMIK-ut, misionit të OKB-së në Kosovë, dhe të ndërpritet mbajtja e mbledhjeve të zakonshme, të rregullta mbi situatën në atdheun e saj. Anëtarëve të Këshillit të Sigurimit kjo u mjaftoi për vlerësime dhe konsultime, ndërsa për Ivica Daçiqin, ministrin serb të punëve të Jashtme, kjo qe e tepërt dhe një rast edhe për një «shou patriotik» të nivelit më të ulët, ashtu siç i ka hije atij.

«I ofenduar dhe i zemëruar» për shkak se ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Francës, dhe jo vetëm ata, përkrahën propozimin e ambasadores së Kosovës, Daçiq hapur vendosi që edhe njëherë t’u mbajë leksion mbi drejtësinë dhe padrejtësinë, miqësinë dhe tradhtinë, «spastrimin etnik dhe gjenocidin të kryer në Kosovë…». Duke numëruar të dhëna konkrete nga regjistrimi i popullsisë nga viti 1981 mbi atë se sa serbë dhe ku kanë jetuar në Kosovë, shefi i diplomacisë serbe shprehu përfundimin e pakundërshtueshëm – sipas tij tani në Kosovë ka «njëqind herë më pak se para 30 vitesh», andaj para Këshillit të Sigurimit parashtroi pyetjen e tij më të rëndësishme nga të gjitha pyetjet: «Zotërinj, a është kryer spastrim etnik dhe gjenocid ndaj shqiptarëve apo ndaj serbëve?»

Duke mos i lënë ambasadorët e pranishëm të kurthohen në dilemën e shtruar dhe, eventualisht, të ndjejnë vrasjen e ndërgjegjes për vendimet e qeverive të tyre në dëm të Serbisë, Daçiq menjëherë ua dha përgjigjen, e cila do të mund të hynte edhe në analet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së: «Serbët në Kosovë, zotërinj, janë viktimat më të mëdha të spastrimit etnik. Mbi ta është kryer gjenocid… Ose, ndoshta, dikush ende mendon se serbët e kanë përzënë veten nga hapësira ku kanë jetuar me shekuj…».

Tri fuçi metali

Duke punuar si reporter i luftës dhe si shef i byrosë për Serbi të Radios Europa e Lirë gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, shpesh jam ftuar në biseda dhe në «shkëmbim të mendimeve» jo vetëm nga ana e autoriteteve civile serbe, por edhe atyre ushtarake. Me një rast të tillë, një ditë maji të vitit 1999, një zyrtar i shërbimit sekret të ushtrisë, i cili ishte kthyer nga Kosova, për arsye që mua më ishin të panjohura hollësisht … duke vizatuar njëfarë fuçie… më shpjegoi «situatën në terren» në një pikëkalim të improvizuar kufitar jo larg qytetit shqiptar të Kukësit.

«Neve na konvenon që amerikanët atje poshtë të bombardojnë sa më shumë… Shipcat (shqiptarët) atëherë ikin vetë, nuk duhet t’i mbledhim nëpër shtëpi… Njerëzit tanë po i çojnë ata me ditë të tëra në kolonë deri në kufi, por para se t’i hedhim andej, ata i presin tri fuçi metali… Në njërën hedhin letërnjoftimet, në të dytën pasaportat, në të tretën dokumentet e tjera… A po më kupton?»

«Jo! Nëse po i dëboni, çfarë ju duhen dokumentet e tyre?»

Duke aktruar si i hareshëm sigurimsi ushtarak në mënyrë sarkastike «u habit» me naivitetin tim: «Ke të drejtë, çfarë na duhet… dokumentet e tyre! Por, as atyre nuk u duhen më, andaj i hedhin në fuçinë prej metali… E kur fuçia mbushet, ia fusim zjarrin… A po kupton?»

«Jo!»

Duke u matur nëse po e provokoja, bashkëbiseduesi m’u afrua te fytyra: «Pa dokumente, pa dëshmi identiteti… ja ku e kanë leshin!… si do të kthehen ndonjëherë në Kosovë!»

Isha i habitur, por gjatë mbeta edhe pa tekst: «Do të kthehen… Bile edhe më shumë se që i keni dëbuar!»

Kurrë nuk do të harrojë fytyrën e sigurimsit ushtarak. As «tërheqjes e vërejtjes» që ma bëri atëherë.

Marrëveshja për Kosovën

Sipas të dhënave zyrtare të organizatave humanitare ndërkombëtare, gjatë prillit, majit dhe qershorit 1999, duke zbatuar politikën shtetërore të Slobodan Millosheviqit, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe dëbuan nga Kosova në Shqipëri dhe në Maqedoni më shumë se 863 mijë shqiptarë. Kjo është një e dhënë të cilën pushteti i Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit e fsheh si të ishte sekret shtetëror, andaj për këtë edhe sot opinioni publik në Serbi nuk ka haber. Pa këtë fakt nuk mund të kemi pamjen e plotë dhe të drejtë të marrëdhënieve serbo-shqiptare, por as të zhvillimeve të përgjithshme kosovare. Andaj ia vlen ta kujtojmë këtë fakt.

Pasi në fillim të qershorit 1999 me NATO-n në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi, zyrtarisht i quajtur Marrëveshja e Kumanovës, ndërsa Millosheviqi «qytetarëve të Serbisë ua uroi paqen», brenda një afati prej pak ditësh në Kosovë ndodhi «shkëmbimi» i paparë i popullsisë. Shqiptarët e dëbuar dhe jo vetëm ata nxituan të kthehen në shtëpitë, fshatrat dhe qytetet e tyre, ndërsa njëkohësisht serbët nga Kosova, duke braktisur shtëpitë, banesat dhe patundshmëritë e tyre morën rrugën drejt Serbisë.

Në panik dhe kaos ikën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila i përndiqte, por edhe nga bandat kriminale që erdhën nga Shqipëria për të plaçkitur dhe kryer krime. Disa ikën edhe nga fqinjët e dëbuar, duke e ditur përse nuk guxojnë t’i presin. Megjithatë, arsyet e përmendura dhe të ngjashme nuk janë kyçe për «eksodin» e paparë «të serbëve nga Kosova», por arsye kryesore e kësaj është një fakt pothuaj banal.

Të vetëdijshëm se janë tradhtuar nga regjimi «i tyre» i Millosheviqit, serbët ikën nga Kosova duke ndjekur ushtrinë dhe policinë, «forcën e tyre të armatosur, e cila është aty për t’i mbrojtur», ndërsa gjeneralët e saj, në pajtim me «marrëveshjen» e nënshkruar, ngutshëm dhanë urdhër për tërheqje – më mirë të themi ia mbathën si kurrë më parë në drejtim të Serbisë. Në një situatë të tillë njeriut të rëndomtë, qoftë ai serb nga Kosova apo nga Beogradi, Knini, Chicago… nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të të largohet duke shpëtuar jetën. Për këtë arsye Serbia, pas ndërprerjes së bombardimeve të NATO-s, në rrugët e saj sërish u ballafaqua me pamje ferri të kolonave të refugjatëve të ngjashme me ato pas operacionit kroat «Stuhia» («Oluja») në Krainë të Kninit në fillim të gushtit 1995.

Pa epilog

Mbase nuk është e tepërt të thuhet se atë çfarë regjimi i Millosheviqit ua ka bërë të tjerëve, por edhe popullit të tij, në ish-Jugosllavi, serbëve nuk ua kanë bërë të gjithë armiqtë së bashku, duke llogaritur mes tyre edhe shtetet anëtare të NATO-s. Ndërsa pjesëmarrësit në krime dhe shërbëtorët e atij regjimi edhe atëherë, para 18 vitesh, kanë qenë edhe Vuçiqi, edhe Daçiqi, presidenti i Serbisë dhe shefi i diplomacisë i Serbisë së sotme.

Është keq, por jo gjëja më e keqe që Daçiqi, nënkryetar i qeverisë serbe dhe ministër i punëve të Jashtme, nuk di as anglisht dhe nuk i njeh parimet elementare të diplomacisë. Nuk është gjëja më e keqe që në Këshillin e Sigurimit, me sjelljen e tij prej ngatërrestari të kafehanes, me serbishten e tij të pastër, me ndihmën e miqve të tij rusë, «u mban leksion» amerikanëve, britanikëve, francezëve… Është e paturpshme dhe arrogante, por jo gjëja më e keqe që ai kështu ua ngarkon atyre përgjegjësinë për «spastrim etnik të serbëve të Kosovës». Është poshtëruese, por jo gjëja më e keqe, që Vlora Çitaku, me anglishten e saj të përsosur, paraqitjen e Daçiqit në Këshillin e Sigurimit e quan «mjegullnajë të zakonshme». Dhe me indinjatë hedh poshtë propozimin e tij për dialog dhe ndarje të Kosovës.

Shumëçka prej këtyre që u numëruan janë gjëra të këqija, por më e tmerrshmja është që Daçiqi, si i tillë, udhëheq politikën e jashtme të Serbisë. Dhe këtë e bën në marrëveshje me presidentin Vuçiq dhe në pajtim me miqtë e tij nga rrethi i Vladimir Putinit. Frytet e kësaj politike qytetarët e Serbisë do t’i paguajnë së shpejti. Sepse kështu është kur mungon pastrimi i figurave me ligj të posaçëm, andaj vlen parimi se nuk është hajdut ai që vjedh, por ai të cilin e kapin.

(Al Jazeera Balkans)