«Shotës» i kushton 7 mijë euro humbja e fluturimit

Në faqen zyrtare të ansamblit të këngëve dhe valleve «Shota» përshkruhen sukseset që institucioni ka korrur në prezantimin në Portugali.




Por pjesëmarrja në festivalin shtatëditor «Alta Minho 2015» i ka kushtuar «Shotës» më shumë sesa e kishte planifikuar, shkruan sot «Koha Ditore».

Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, afro 7 mijë euro shtesë janë paguar për bileta avioni, shkaku që disa anëtarë të trupës nuk kanë arritur ta zënë orarin e fluturimit sipas planifikimit.

Në përgjigjet për të cilat gazeta ka pritur gati tri javë, MKRS-ja ka konfirmuar se projekti fillimisht ishte planifikuar të mbulohej me 33,817 euro, përderisa është dashur që buxhetit të «Shotës» t’i merreshin edhe 6.853 euro shtesë sherri i ikjes së avionit.

Buxheti vjetor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve është 169 mijë euro.