«Shok» kthehet me dy çmime nga festivali amerikan




Filmi i bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në fund të viteve ’90, i realizuar nën regji të një britaniku, ka rrëmbyer dy trofe në një prej festivaleve më të mëdha të filmit të shkurtër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

«Shok» i Jamie Donoughue, është shpërblyer me çmimin kryesor të jurisë (Outstanding Live Action Short) dhe atë të audiencës në festivalin «DC Shorts International Film Festival».

Filmi i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës më 10 të këtij muaji kishte hapur edicionin e dhjetë të këtij festivali. Në ueb – faqen zyrtare të «DC Shorts…» shkruhet se festivali shpërfaq një prej përmbledhjeve më të mëdha të filmave të shkurtër në ShBA, shkruan sot «Koha Ditore».

«Nga 1 mijë e 300 aplikues nga gjithë globi, selektuesit kanë përzgjedhur 125 filma unikë që reflektojnë 24 nacionalitete që përfaqësojnë duke sjellë një pikëpamje botërore në Washington DC», shkruhet aty.

Çmimet për «Shok» në këtë festival vijnë pas suksesit në «Aspen Shortfest». Në muajin prill, në Aspen të Colorados ky film u dha premierë botërore dhe rrëmbeu tri çmime, «Best Drama», çmimin special «Audience Recognition Award» dhe «Youth Jury Prize», i cili ndahet nga nxënësit e shkollave të mesme.

Regjisori Jamie Donoughue, të hënën, pasi ka marrë lajmin për çmimet në festivalin amerikan, i ka thënë gazetës se ky është një fillim i mbarë për filmin.

«Jemi shumë të kënaqur me suksesin e filmit. Është e mrekullueshme të përzgjedhësh nga këto festivale, por të fitosh çmimin e madh është përtej asaj që e kemi imagjinuar. Jemi shumë të nderuar nga pritja edhe e jurisë, edhe e publikut», ka thënë Donoughue. «Është një fillim i jashtëzakonshëm për filmin në jetën e festivaleve». «Shok» ishte dhënë premierë kosovare në gusht, në kuadër të edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër «DokuFest», në ekranin e «DokuKinos», ku konkurroi në kategorinë «Inernaional Shorts».

Pas çmimeve në «DC Shorts…», «Shok» do të vazhdojë udhëtimin në një tjetër festival amerikan.

«Festivali i radhës do të jetë ‘Manhattan Shorts’, ku filmi do të shihet nga mbi 100 mijë njerëz në 250 kinema përgjatë 6 kontinenteve. Jemi shumë të entuziazmuar që filmi dhe Kosova do të prezantohen anekënd botës», ka hënë Donoughue për festivalin e themeluar më 1998, filmat e të cilit shfaqen nëpër rrjete kinemash e institucione të tjera të kulturës.

Filmin e presin edhe festivale të tjera. «Nuk më lejohet t’i publikoj, por mund të tregoj se filmi do të shfaqet në Azi për herë të parë», ka thënë ai.

Siç kishte shpjeguar Donoughue, «Shok» në 21 minuta rizgjon kujtimet për luftën e fundit në Kosovë nëpërmjet jetës së dy djemve dhe shoqërive të tyre.

Filmi që ka përfunduar xhirimet në nëntor të vitit të kaluar është bashkëfinancim i Qendrës Kinematografike të Kosovës me producentin Harvey Ascott nga Britania e Madhe.

Lum Veseli dhe Andi Bajgora luajnë rolet kryesore, derisa me role të tjera janë aktorët Eshref Durmishi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Aurita Agushi, Sunaj Raça, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.