Shkupi në shiritin e kohës

Shkupi është ndër vendbanimet më të vjetra në rajon. Ai ka kaluar nëpër faza të ndryshme të zhvillimit. Gjer në kohën e sotme ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të popullsisë, aktualisht numëron gjysmë milioni banorë. Në Shkup jeton një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve.




Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë, gjatë zhvillimi të tij ka kaluar nëpër një rrugë të ngjeshur me ngjarje historike. Qyteti shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 230 kilometra katrorë, lartësia mbidetare e tij është 245 metra. Përmes Shkupit kalon lumi Vardar. Gjurmët më të vjetra të banimit shkojnë në 5000-3000 vjet para erës sonë.

Shkupi në kohët e lashta

Në vitet 3000-600 p.e.s. supozohet që është banuar hapësira e kalasë së sotme të shkupi për shkak të pozitës së përshtatshme për mbrojtje. Si banorë të hershëm të saj përmenden dardanët, pjesë e shtetit të të cilëve ishte edhe Shkupi. Ata kanë jetuar edhe në luginën e lumit të sotëm Vardar.

Gjatë kohës së Perandorisë Romake (69-79 e.s.) Shkupi mori cilësinë e qytetit vetëqeverisës, i cili ishte statusi më i lartë administrativ për qytetet e provincave romake. Për nevojat e ushtrisë romake u krijua baza ushtarake e Shkupit në lokalitetin e fshatit Zlokuqani, rrënojat e së cilit janë ruajtur dhe mund të shihen edhe sot.

Në vitin 518 Skupi përjetoi një tërmet të fuqishëm që e dëmtoi rëndë infrastrukturën e tij. Pas kësaj kohe shpeshtohen sulmet e sllavëve, avarëve dhe fiseve të tjera të cilat sollën deri te dobësimi i qytetit dhe ndryshimi i strukturës demografike. Nga kjo kohë deri në shekullin XI qyteti e humbi rëndësinë dhe statusin urban, duke u degraduar në një hapësirë rurale.

Gjatë kohës së sundimit të perandorit bizantin Justinianit I (527-565), sllavët filluan të vendosen masovikisht në Gadishullin Ballkanik. Justiniani supozohet të ketë lindur në vitin 483 në Tauresium në afërsi të Shkupit. Ky është fshati i sotëm Taor. Me ardhjen e sllavëve, emri i qytetit nga «Skupi» iu ndryshua në «Skopje».

Sundues pas sunduesi

Zona urbane në hapësirën e kalasë së sotme përmendet që në shekullin IX. Në fund të këtij shekulli Shkupi ra nën sundimin e Perandorisë së Parë Bullgare. Në gjysmën e dytë të shekullit X sërish u vendos pushteti Bizantin. Supozohet që në këtë kohë lumit Aksios iu ndryshua emri në Vardar, për nder të administruesit të qytetit Varda Sklir, i cili urdhëroi rregullimin e shtratit të lumit. Nga fundi i shekullit X Shkupi ishte pjesë e Perandorit Samoil, ndërsa në vitin 1004 perandori Bizantin Vasili II e pushtoi Shkupin, ndërmori aktivitete ndërtimore dhe e shpalli atë kryeqytet të njësisë së tij administrative që sapo kishte formuar.

Në mesin e shekullit XI Shkupi u bë qendër e kryengritjeve, sulmeve të jashtme dhe përpjekjeve bizantine për t’i shuar ato. Në vitin 1073 normanët, të cilët nga Franca Veriore kishin pushtuar Italinë e Jugut, filluan një fushatë të madhe kundër Perandorisë Bizantine dhe në vitin 1081 e pushtuan Shkupin. Shtatë vite më vonë sundimtari serb i Rashkës Vukan e mori Shkupin nga normanët të cilin e mbajti deri në vitin 1094, kur perandori bizantin Alekseu I Komnen e vendosi autoritetin bizantin në qytet. Gjatë fushatës së tyre të viteve 1096-1097 kryqtarët të prirë nga Boemundi i Tarantos e morën në duart e tyre Shkupin. Si pasojë e dobësimit të Perandorisë Bizantine qyteti i ndërroi shpesh sundimtarët. Nga viti 1282 Shkupi u përfshi në mbretërinë serbe të Milutin Nemaniqit. Në vitin 1346 perandori serb Dushan Nemaniq e zgjodhi Shkupin si vend për kurorëzimin e tij.

Kalaja e Shkupit
Kalaja e Shkupit

Periudha Osmane e Shkupit

Më 1391 Shkupi bëhet pjesë e Perandorisë Osmane, e cila ishte në ekspansion e sipër në Ballkan. Në kohën osmane ai u quajt Yskyp. Nën sundimin osman qyteti u bë qendër e rëndësishme ushtarake për depërtimin osman drejt Evropës dhe gjatë kësaj periudhe në Shkup u ndërtuan objekte të ndryshme – hane, hamame, xhami, kulla sahati, ura etj. Një pjesë e këtyre objekteve kanë mbijetuar deri sot, dhe përbëjnë pjesë të trashëgimisë historike të qytetit. Përveç xhamive të kohës osmane që gjenden rreth Çarshisë së Vjetër, edhe Ura e Gurit, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XV, është nga tiparet dalluese të qytetit.

Gjatë sundimit osman, në vitin 1689 në Shkup në mënyrë të shpejtë u fut ushtria Austriake e udhëhequr nga Ottavio Piccolomini. Meqë ishte larg nga mbështetja logjistike, Piccolomini vendosi të tërhiqet dhe dha urdhër që qyteti të digjet. Vendimin për djegien e qytetit Piccolomini e ka shënuar në ditarin e tij: «…Atëherë vendosa, edhe pse jo me gjith zemër, qytetin ta bëj shkrumb e hi. Më vinte keq për ndërtesat, të cilat nuk i kisha parë gjatë kësaj lufte, xhamitë nga mermeri më i bukur, me mijëra kandela e të praruara me ar, të cilëve edhe në Romë njeriu do t’u kishte kushtuar vëmendje… Që të mos t’i lë asgjë armikut, që ta përhap frikën dhe tmerrin mes popujve barbarë, dhe armët e udhëheqësit tim t’i bëj të tmerrshme edhe në pjesët më të largëta, vendosa ta bëj këtë gjë…».

images-1
Ura e Gurit

Kryeqytet i Vilajetit të Kosovës

Para periudhës së ndërhyrjes së ushtrisë austriake, në Shkup jetoi e veproi edhe Pjetër Bogdani. Ai nga ky qytet dërgoi disa letra në Vatikan ku informonte për gjendjen e komunitetit katolik të Shkupit. Në vitin 1844 në Shkup u futën kryengritësit e udhëhequr nga Dervish Cara, mirëpo ata nuk arritën ta marrin kalanë e qytetit ku ishte vendosur garnizoni osman. Në vitet e veprimit të Lidhjes së Prizrenit, këtu veproi dega e Shkupit që udhëhiqej nga Jashar Bej Shkupi.

Në bazë të reformave të Perandorisë Osmane, në vitin 1864 u aprovua ligji mbi vilajetet. Në Gadishullin Ballkanik u formuan tre vilajete: i Shkodrës, Manastirit dhe i Janinës. Në vitin 1868 u formua edhe Vilajeti i Kosovës me qendër në Prizren. Vilajeti i Kosovës ndahej në katër sanxhaqe: i Prizrenit, Shkupit, Dibrës dhe i Nishit. Fundi i shekullit XIX ishte me trazira të shumta të cilat e rrezikonin qendrën e Vilajetit të Kosovës, dhe për këtë arsye qendra këtij vilajetit në vitin 1875 u transferua në Prishtinë. Mirëpo, Prishtina nuk mbeti gjatë kohë si qendër e tij. Shqetësimet për kryengritjet e shumta e detyruan Portën që në vitin 1888 qendrën e Vilajetit të Kosovës ta transferojë në Shkup. Nga këtu udhëhiqej një territor i gjerë që përfshinte sanxhakun e Shkupit, Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Pazarit të Ri dhe Taslixhes (Plevles). Selia e vilajetit të Kosovës në Shkup mbeti deri në fillimin e luftërave ballkanike, kur edhe u tërhoq Perandoria Osmane.

Motive shqiptare nga Shkupi i fillimit të she. 20.
Motive shqiptare nga Shkupi i fillimit të she. 20.

Shesh ngjarjes historike

Në vitin 1849 në Shkup u lëshua në përdorim linja e telegrafit, që e lidhi atë me qytetet tjera të rëndësishme në rajon. Ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave e lidhi më mirë Shkupin me pjesët tjera të Ballkanit. Në vitin 1873 u hap linja hekurudhore Selanik – Shkup, një vit më vonë hekurudha vijoi deri në Mitrovicë, duke e bërë Shkupin pikë të rëndësishme ndërlidhjeje.

Në vitin 1910 në Shkup lindi Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, e cila në vitin 1979 e fitoi Çmimin Nobel për paqe. Gjatë viteve 1911-1912 në Shkup botohej gazeta e përdyjavshme «Shkupi», e cila botohej nga klubi shqiptar i këtij qyteti dhe redaktohej nga Jashar Erebara.

Në vitin 1912 kryengritësit shqiptarë paraqitën para autoriteteve osmane 14 pikat e programit të Hasan Prishtinës. Ata kërkonin që nëpunësit në Shqipëri ta njohin gjuhën dhe zakonet shqiptare, shërbimi ushtarak i shqiptarëve të bëhet në viset e tyre, hapjen e shkollave shqipe etj. Nëse këreksat e tyre nuk do të pranoheshin brenda dy ditëve, ata do të marshonin në Shkup. Qeveria osmane e vonoi përgjigjen dhe më 12 gusht 1912 rreth 35’000 kryengritës të udhëhequr nga Isa Boletini dhe Bajram Curri marshuan në drejtim të Shkupit.

Qyteti ishte nën administrimin osman deri në vitin 1912. Pas betejës së Kumanovës ushtria serbe u fut në Shkup, me çrast edhe ia ndërroi emrin në Skoplje. Deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore në Shkup kaluan ushtri të ndryshme.

Pas konferencës së Parisit të vitit 1919, qyteti u bë pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe qendër e provincës së Vardarit. Në këtë kohë në Shkup ishte selia e organizatës politike të myslimanëve e quajtur «Xhemiet», e cila udhëhiqej nga veprimtarët shqiptarë dhe synonte ruajtjen e pronave të popullsisë myslimane, të cilat sipas ligjit të reformës agrare ishte paraparë t’u merren pronarëve të deriatëhershëm dhe t’u jepen kolonëve serbë.

Pas Luftës së Dytë Botërore

Në vitin 1941 Shkupi u bombardua nga aeroplanët gjermanë, dhe po të njëjtin vit ushtria gjermane qytetin ia dorëzoi Bullgarisë. Në vitin 1944, Këshilli Antifashist i Çlirimit Popullor të Maqedonisë, Shkupin e shpalli kryeqytet i Republikës Demokratike të Maqedonisë, e cila u bë pjesë e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe filloi zhvillimi urbanistik dhe industrial i qytetit sipas planifikimit të modelit socialist.

Në vitin 1945 në Shkup filloi të botohet gazeta javore në gjuhën shqipe «Flaka e Vëllazërimit». U hap edhe shkolla për kualifikimin e mësuesve shqiptarë për nevojat e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Në vitin 1950 në Shkup u themelua Teatri i Kombësive, në kuadër të të cilit vepronte edhe drama shqipe.

Si qendër administrative dhe industriale Shkupi ishte vendi drejt të cilit drejtohej një masë e konsiderueshme njerëzish. Me kalimin e viteve në Shkup ndodhën ndryshime të mëdha demografike, si nga rritja e numrit të popullsisë, ashtu edhe në aspektin e strukturës etnike. Për nevojat e industrisë që ngrihej në Shkup erdhën një numër i konsiderueshëm banorësh nga qytetet tjera të vendit, kryesisht nga Maqedonia Lindore.

Në vitin 1963 Shkupi përjetoi një tërmet tjetër të fuqishëm që e rrënoi thuajse tërësisht qytetin. Me rindërtimin e shpejtë, falë edhe solidaritetit të vendeve perëndimore, ai përjetoi një zhvillim të infrastrukturës dhe fitoi një urbanizim modern. Kështu numri i banorëve në qytet i kaloi të gjitha parashikimet, duke arritur në gjysmë milion banorë në fillim të shekullit XXI. Në planimetrinë e re urbane të Shkupit punoi edhe arkitekti i njohur japonez Kenzo Tange me ekipin e tij.

Pazari i Shkupit
Pazari i Shkupit
Pas tërmetit të vitit 1963
Pas tërmetit të vitit 1963

Kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë

Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë Shkupi vazhdoi të jetë kryeqytet i vendit, duke ruajtur një pozitë të lartë të centralizimit, në krahasim me qytetet tjera. Në qendër të qytetit është në përfundim e sipër projekti i qeverisë «Shkupi 2014», i cili kryesisht ka të bëjë me vendosjen e një numri të madh të përmendoreve të figurave historike maqedonase dhe me ndërtimin e objekteve të stilit barok.

Momente nga zhvillimet e fundit në Shkup
Momente nga zhvillimet e fundit në Shkup

Në bazë të të dhënave zyrtare statistikore të realizuara në regjistrimin e fundit të popullsisë, në regjionin e Shkupit jetojnë 578’177 banorë, që i bie 28,6 përqind e numrit të përgjithshëm të popullsisë në vend. Sipas përbërjes etnike në Shkup jetojnë 367’413 maqedonas ose 63,6 për qind, 133’893 shqiptarë – 23,2 për qind, 23’903 romë – 4,1 për qind, 18’051 serbë – 3,1 për qind, 12’123 turq – 2,1 për qind, 10’880 boshnjakë – 1,9 për qind dhe 11’881 të tjerë ose 2,1 për qind.