Shkrimtari Rudi Erebara fiton Çmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë

Shkrimtari Rudi Erebara u shpall fitues për Shqipërinë i Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë për vitin 2017 me romanin «Epika e Yjeve të Mëngjesit». Romani i Erebarës, një përshkrim i jetës në kohën e komunizmit, pritet të përkthehet në shumë gjuhë europiane si dhe të botohet në shumë vende pas fitimit të këtij çmimi.

Rudi Erebara



Çmimi i Bashkimit Europian për Letërsinë financohet nga programi Creative Europe i Komisionit Europian dhe ka për synim të promovojë shkëmbimet kulturore ndërkufitare, të nxisë qarkullimin në nivel europian të artit dhe letërsisë dhe të zhvillojë dialogun ndëreuropian.

Krijimi i jurive kombëtare dhe organizimi praktik i ceremonisë së dhënies së çmimeve koordinohet nga Federata Europiane dhe Ndërkombëtare e Librarëve, Këshilli Europian i Shkrimtarëve dhe Federata Europiane e Botueseve.

Dymbëdhjetë shkrimtarë nga vende të ndryshme të Europës dhe të botës arabe u zgjodhën fitues për vitin 2017.

Rudi Erebara ka lindur në vitin 1971. Ai është poet, shkrimtar dhe përkthyes. Pasi u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës në vitin 1995, ai nisi një karrierë si analist politik, gazetar dhe shkrimtar. Ai është autori i dy librave me poezi «Fillon Pamja», 1994 dhe «Lëng Argjendi», 2013. Dy romanet e tij janë «Vezët e thëllëzave», 2010, dhe »Epika e yjeve të mëngjesit», 2016.

Përmbledhje

Romani Epika e Yjeve të Mëngjesit është një dëshmi e fatit të Sulejmanit, një piktor shqiptar i punësuar në ndërmarrjen e dekorit të Tiranës. Një problem teknik ndodh më 16 tetor 1978, ditëlindja e diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe që i ngarkohet atij si përgjegjësi nga Sigurimi i Shtetit. Rreth kësaj kohe, Shqipëria po ndërpret marrëdhëniet me Kinën komuniste të Maos. Gjithashtu më 16 tetor 1978, Józef Ëojtyła, një prift nga Polonia komuniste bëhet Papa Gjon Pali i Dytë në Vatikan. Vonë në mbrëmjen e 16 tetorit, një shi i furishëm shpëlan germat e sloganeve të shkruara nga ndërmarrja e dekorit me të kuqe të thellë, një simbol i gjakut të derdhur gjatë luftës për liri nga partizanët komunistë. Edhe pse aktivitetet festive janë mbyllur, sigurimi i shtetit, nën urdhrat e drejtpërdrejta të diktatorit komunist, fillon të kërkojë për fajtorët, edhe pse një fajtor nuk mund të ekzistojë. Sulejmani është njeriu i shënjuar sepse ai gjendet në anën tjetër të llogores së luftës së klasave, të konceptuar dhe zbatuar me fanatizëm nga komunistët në pushtet. Ndërsa ai ndjen se është shënjestruar si viktimë, Sulejmani përpiqet të ndryshojë emrin në Edmond. Ai bën gjithashtu një pikturë që tregon disa partizanë rreth një zjarri. Kjo shihet si arsye e mjaftueshme që Sulejmani të ndëshkohet.

(https://www.reporter.al/shkrimtari-rudi-erebara-fiton-cmimin-e-bashkimit-europian-per-letersine/)