Shkon në 20 numri i viktimave nga vërshimet në Maqedoni

Një mot i lig e ka mbërthyer dje dhe sot Maqedoninë. Sidomos të prekura janë rajonet e Shkupit dhe Malësia e Sharrit. Janë konfirmuar 20 viktima. Me sa merret vesh, të gjitha janë nga lagjet shqiptare të Shkupit.

20 persoan e kanë humbur jetën nga moti i lig që e ka mbërthyer dje Maqedoninë. Kështu i ka konfirmuar Radios Europa e Lirë Ministria e Punëve të Brendshme. 13 nga viktimat tani më janë identifikuar, shtatë të tjerë janë në proces.

Mediat raportojnë për numra të ndryshëm viktimash. Vetëm para disa orësh vetë Ministria e brendshme kishte folur për 15 të vdekur. «Deri më tani kemi 15 viktima nga shirat e mbrëmshme, 22 janë të lënduar, përderisa 6 llogariten të humbur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Të gjitha viktimat janë nga Hasanbegu, Haraçina dhe Stajkovci», është shprehur për Radion Evropa e Lirë Liza Bendeska, zëdhënëse e policisë.

Shtabi për Siguri dhe Shpëtim të qytetit të Shkupit  nga dita e djeshme janë në aksion për hapjen e rrugëve të bllokuara nga reshjet e shiut, ka kumtuar Qyteti i Shkupit. Qytetarët ftohen të mos dalin pa nevojë nga shtëpitë e tyre dhe t’i ngarkojnë rrugët edhe ashtu vështirë të pakalueshme në këto lagje. Në kumtesë shpjegohet se ga lagjia «Crna Gora» përmes Buliçanit ka ardhur sasi e madhe e ujit dhe është shpërndarë në lagjet Hasanbeg, dhe më pas në Inxhikovë.

Në aksionet e shpëtimit janë përfshirë ekipet e policisë dhe ushtrisë, zjarrfikësit dhe kompanitë private me makinat e tyre. «Qëllimi ynë është për të thyer rreth-rrotullimin, sepse ka rrëshqitje të tokës… Shumë automjete dhe makineri janë sjellë për të pastruar rrugën», është shprehur  kryetari i qytetit të Shkupit, KoceTrajanovsnki, vizitës së pjesëve të goditura nga vërshimet.

Banorët e lagjes Hasanbeg të Shkupit, duke rrëfyer tmerrin që kanë kaluar gjatë natës së kaluar, thonë se janë ndërtimet pa plan urbanistik dhe mospastrimi i kanaleve që kanë bërë që uji të dalë nga rrjedhat e kanalizimeve, duke shkaktuar vërshimet.

Ndërkohë Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Maqedoninë me njësite të specializuara për kërkim dhe shpëtim, në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në rast nevoje. «Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh gatishmërinë e plotë që të ofrojë ndihmën e saj të pakursyer për shtetin fqinj Maqedoninë, në çdo aspekt ku ka mundësi, për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar», thuhet në një komunikate për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për qytetarët dhe Qeverinë e Maqedonisë, si dhe për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie natyrore.