Shkollat në Zvicër: programi kompjuterik zbulon fanatikët fetarë

Përmes një programi kompjuterik arsimtarët në Zvicër kanë mundësi të detektojnë nxënësit, të cilët shprehin simpati për ideologji radikale fetare. Deri më tani gjashtë raste i janë dorëzuar policisë.

Foto: Shutterstock



I riu me origjinë nga Libia, i cili javën që shkoi ua mori jetën 22 njerëzve në Manchester gjatë një koncerti, thuhet se nuk i kishte rënë në sy askujt në lagjen e tij. Fqinjët thonë se ishte «djalë u mirë». Por, sjellja e Salman A. ndryshoi pasi ai më 2011 vizitoi Libinë. Pas kthimit në Britaninë e Madhe ai filloi të bart veshje tradicionale arabe, lëshoi mjekrën, këndonte me zë të lartë lutje islame dhe në pullazin e shtëpisë së tij vendosi në flamur islamist. Këto ishin shenja të qarta për radikalizimin e 22-vjeçarit, të cilat u injoruan.

Diçka të tillë autoritetet zvicerane nuk duan të lejojnë të ndodhë në shkollat zvicerane. Në një program kompjuterik shkollat po përpiqen që t’i detektojnë me kohë nxënësit që përkrahin islamin radikal. Programi kompjuterik është zhvilluar në qytetin e Zürichut dhe nga viti 2015 janë detektuar gjashtë nxënës me prirje ekstremiste fetare. Të gjitha rastet i janë dorëzuar policisë. Në rast dyshimi arsimtarët mund të plotësojnë një pyetësor elektronik, i cili pastaj vlerësohet nga Qendra për Parandalim të Dhunës (Fachstelle für Gewaltprävention).

Këtë metodë aktualisht janë duke e përdorur 17 qytete dhe kantone zvicerane. Interesim për programin kompjuterik kanë treguar edhe shtete të tjera: ekspertët zviceranë po diskutojnë me autoritetet në Gjermani dhe Austri për licencat përkatëse. Shkollat zvicerane po ashtu kanë reaguar edhe në lidhje me udhëtimet e nxënësve në botën e jashtme. Disa gjimnaze si Shkolla Kantonale në Baden kanë anuluar përkohësisht udhëtimet studimore për gjimnazistë në destinacionet e rrezikshme si Stambolli. (-lli)