Shkollat afër rrugëve rrezikojnë nxënësit, prindërit duan zgjidhje

Nxënësit e shkollës fillore «Elena Gjika» janë ndër më ekspozuarit ndaj rrezikut nga komunikacioni. Prindërit janë të shqetësuar, ndërsa drejtoria e shkollës ka kërkuar nga komuna të bëjë një zgjidhje me rrugët në afërsi.

Trafiku rrugor në Prishtinë zakonisht është i ngarkuar nga veturat e shumta që qarkullojnë rrugëve të kryeqytetit.

Shpesh nuk mungojnë as aksidentet. Nga to jo rrallëherë kanë pësuar edhe nxënësit.

Ndonëse në shumicën e rrugëve në afërsi të shkollave ka shenja dhe pengesa, kjo nuk i ka ndalur aksidentet.

Nxënësit e shkollës fillore «Elena Gjika» në kryeqytet, janë nga më të rrezikuarit kur bëhet fjalë për ekspozimin direkt në rrugë.

Hyrja e kësaj shkolle gjendet në cepin ku kryqëzohen tri rrugë, «Emin Duraku», «Ali Hadri» dhe «Zenel Salihu».

Pos kësaj, as shenja për ndalim ndalje e parkimi, nuk është se respektohet shumë në këtë pjesë.

E tollovia që shkaktohet nga kjo, po i shqetëson prindërit.

Ankesa nga prindërit ka marrë edhe drejtori i kësaj shkolle, Osman Vitia.
Ai pohon se për shkak të ngarkesës në këtë rrugë, prindërit janë të detyruar t’i sjellin fëmijët në shkollë.

Ndërsa shqetësimet e prindërve si të drejta po i cilëson edhe gazetarja e arsimit, Salie Gajtani-Osmankaq.

Ajo thotë se është në dijeni të një raporti të komunës që flet për këtë çështje.

Ndërkohë, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, pohon se ata kanë marrë masa së bashku me disa drejtori të tjera komunale dhe Policinë, duke vendosur shenja, pengesa e matës të shpejtësive.

Në të kaluarën, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kishin angazhuar disa policë të pensionuar në afërsi të shkollave, të cilët u kanë ndihmuar nxënësve për të kaluar rrugën.

Por kjo iniciativë sipas Policisë së Kosovës, nuk është vazhduar më.